Lajme

Macron pas sulmit në Nicë: E gjithë Franca u sulmua

Presidenti francez, Emmanuel Macron, është zotuar se Franca nuk do të heqë dorë nga “vlerat e saj” dhe gjithashtu u bëri thirrje njerëzve të të gjitha feve të mos “dorëzohen në frymën e përçarjes” pas sulmit në qytetin jugor të Nicës.

Macron tha se e gjithë Franca është sulmuar, duke shtuar se ai do të vendosë mijëra trupa të tjerë për të mbrojtur vendet kryesore, të tilla si vendet e kultit dhe shkollat, shkruan rel, përcjell Albinfo.ch.

Macron tha se Franca ishte e ekspozuar ndaj një sulmi terrorist islamik.

“Franca u sulmua për shkak të vlerave tona, për shkak të ndjenjës sonë të lirisë, për shkak të aftësisë sonë për të pasur liri të besimit në tokën tonë, sepse nuk i nënshtrohemi asnjë terrori. Më lejoni ta them këtë shumë qartë: kurrë nuk do të dorëzohemi”, tha Macron.

Ai i bëri komentet pasi tre persona kanë vdekur nga një sulm me thikë në qytetin francez, Nicë, ka thënë policia.

I dyshuari është ndaluar pak pas sulmit.