CH-Ballkani

LVV, LDK dhe “Virusi Trojan”

Ky ‘’E-Mail’’ me virusin trojan i shkaktoi një problem shumë të madh LVV-së, e cila më duket se u hutua shumë nga manovrat, ndoshta të papritura të z. Isa Mustafa. Bisedimet u bllokuan, erdhi edhe një delegacion gjerman për të ndihmuar. Por, as “antivirusi” gjerman, së paku deri më sot, nuk e zhbllokoi situatën...

Më kujtohet kur para zgjedhjeve LDK-ja vendosi që znj. Vjosa Osmanin ta propozojë si kandidate për postin më të lartë ekzekutiv, që është Kryeministria. Njerëzit kryesorë të LDK-së, të cilët janë  bashkëfajtorë për gjendjen në të cilën ka ardhur shteti, filluan t’ia ’’shesin’’ popullit këtë hap si një fillim të ndryshimit të LDK-së dhe të “mbështetjes” së “forcave të reja”. Ashtu edhe kërkonte votën e popullit, sepse sikur e vërejtën edhe vet që me figurat të cilat për vite të tëra na kanë sjellë në këtë gjendje që me vetëpërmbajtje maksimale, mund ta përshkruaj si katastrofike, nuk do kishin gjasa të garonin me LVV-në në zgjedhjet e fundit.

Më kujtohet kur disa adhurues të LDK-së filluan të merrnin më lehtë frymë, thoshin se tash LDK-ja do të fillojë të ndryshojë, sepse ka lëshuar rrugën kryetari Isa Mustafa dhe disa nënkryetarë, që njihen si shumë të zëshëm në LDK dhe mbështetës të z. Isa Mustafës.

Që ky ndryshim ishte vetëm sa për sy e faqe dhe sa për t’i futur hi syve të popullit, u pa qysh në ditët e para pas zgjedhjeve. Nëse do të analizohej më mirë vendimi para zgjedhjeve, do të vërehej qysh atëherë, që kryetari realisht nuk lëshoi vend. Po të ishte kryesia e LDK-së me të vërtetë për një frymë të re të kandidatëve, atëherë do t’ia lëshonte vendin znj. Vjosa Osmani edhe në pozitën udhëheqëse të partisë. Çka atëherë arriti ta mjegullojë, pak pas zgjedhjeve vërehej çdo ditë më shumë qëllimi kryesor: Të shkojë në zgjedhje me një kandidate, e cila frymëzoi mbështetësit e partisë si dhe disa të tjerë, që nuk kishin ndonjë simpati me ndonjë parti. Por, çështjen e ndarjes së „tortes“ së pushtetit e kishin rezervuar për vete, duke e ditur qysh para zgjedhjeve që qeverisja do të ishte shumë e mundshme, nëse jo si parti e parë, atëherë së bashku me të parën, si parti e dytë. Po përgatitej „Virusi Trojan“.

Pra, duket se kështu veproi edhe LDK-ja në raport me LVV-në. Ata njëherë garuan me znj. Osmani. Flitej për ndryshim dhe për bashkëqeverisje duke ia ngritur duart herë njëri nënkryetar e herë tjetri dhe duke folur për fitoren që do ta korrin së bashku. Menjëherë pas zgjedhjeve, LVV-ja dhe LDK-ja u ulën dhe i harmonizuan programet. U duk se gjithçka po shkon në rregull në mes të dy partnerëve, të cilët “dëshirojnë” të qeverisin së bashku. Pastaj i erdhi radha Isa Mustafës dhe disa nënkryetarëve për t’u futur në pazarin e ndarjes së pozitave, sidomos asaj të Presidentit. U bllokuan bisedimet, filluan taktikat e pazareve të atyre që kanë përvojë shumëvjeçare në nxjerrjen e maksimumit kur bëhet fjalë për pozita në pushtet.

Ky ‘’E-Mail’’ me virusin trojan i shkaktoi një problem shumë të madh LVV-së, e cila më duket se u hutua shumë nga manovrat, ndoshta të papritura të z. Isa Mustafa. Bisedimet u bllokuan, erdhi edhe një delegacion gjerman për të ndihmuar. Por, as “antivirusi” gjerman, së paku deri më sot, nuk e zhbllokoi situatën. Në vend se të pranohet humbja, jo vetëm me fjalë, disa nga LDK-ja vazhdojnë me shumë fantazi të bëjnë interpretimin e rezultatit të zgjedhjeve në favor të tyre. E disa thonë  që “populli votoi për ndryshimin”. Në rend të parë do të duhej të brengoseshin se pse populli nuk i ndëshkoi ata që ishin në qeveri, sepse në fakt populli nuk votoi për ndryshim. Koalicioni PAN, nëse mblidhet numri i votuesve të tyre, nuk pati zvogëlim të numrit të votuesve. Ky do të duhej të ishte shqetësimi i LDK-së. Duke e bërë sa më shpejt koalicionin dhe duke pranuar vendin të cilin ia tregoi populli me 6 tetor, pra vendin e humbësit dhe duke tentuar të tregojë se çka paska ndryshuar nga keqqeverisjet e kaluara. Duke bllokuar koalicionin me apetite të mëdha për pozita në pushtet, nuk po tregon se ka ndryshuar.

Fatkeqësisht, për momentin nuk ka ndonjë alternativë tjetër, përveç koalicionit në mes të LVV-së dhe LDK-së. Por, nëse LDK-ja bën kaq shumë probleme në këtë fazë, ku bëhet fjalë për përfitime personale nga ndonjë pozitë në pushtet, si do të reagojë LDK-ja nëse gjatë qeverisjes ndodh tentimi i ndëshkimit të atyre personave në LDK, që kanë shkaktuar dëme shtetit gjatë qeverisjeve të mëhershme? LVV-ja është zotuar se do të jetë e pa kompromis me ata që kanë sjellë shtetin në gjendjen ku është sot. LVV-ja duhet të fillojë qysh tash në fillim për ta realizuar këtë zotim dhe të mos “lëshojë pe” për postin e Presidentit si dhe të jetë i pa kompromis me ata që dëshirojnë të bëjnë pazare me pushtet, sikur që kanë bërë në të kaluarën. Pra, mos t’ia lërë në duar pozitën e Presidentit z. Isa Mustafa dhe LDK-së. Njëkohësisht LDK-ja duhet të tregojë që së paku njëmend ka filluar të ndryshojë dhe të lëshojë rrugë duke hequr dorë nga kërkesa e marrjes së pozitës së Presidentit.

Fundja, në rast të zgjedhjeve të reja, votuesit nuk i harrojnë këto sjellje dhe LDK-ja e harxhoi kartën e Vjosa Osmanit.

  • Ky është një opinion i autorit dhe jo domosdoshmërisht pasqyron qëndrimin e redaksisë