Lajme

Lumi Sava mbetet kërcënim për Serbinë

Sipas autoriteteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, nga përmbytjet e fundit e kanë humbur jetën së paku 47 persona. Rreziku ende nuk ka kaluar

Më shumë se një milion njerëz janë prekur nga përmbytjet e fundit në Bosnjë dhe Serbi, ndërsa në të dy vendet, janë regjistruar së paku 47 viktima. Këto konsiderohen përmbytjet më të mëdha në 100 vjeçin e fundit në këto dy shtete. I vetmi dallim me luftën, siç kanë thënë autoritetet në Sarajevë, është se tash ka më pak viktima.

Përmbytjet e fundit janë krahasuar me luftën në Bosnjë dhe Hercegovinë gjatë viteve 1992-1995, e cila përfundoi me 100 mijë viktima dhe më shumë se dy milionë refugjatë e të zhvendosur.

Tani, sipas autoriteteve të Sarajevës, më shumë se 100 mijë njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre ndërsa ata që janë prekur nga vërshimet, kalon në gati 1 milion banorë.

Edhe në Serbia më shumë se 30 mijë njerëz janë evakuuar nga rajonet e përmbytura, sidomos nga qyteti Obrenovac, nga i cili për shkaqe sigurie janë larguar 13.600 qytetarë. Sipas autoriteteve të dy vendeve, nga përmbytjet jetën e kanë humbur së paku 47 persona.

 

Ditët e zisë pas vërshimeve  

Në Bosnjë, e marta ka qenë ditë zije, ndërkohë që autoritetet serbe kanë shpallur tri ditë zije kombëtare.

Në Serbi, situata është tejet e nderë sidomos në Shabac, Sremska Mitrovica e Beograd. Ky i fundit vazhdon të jetë i rrezikuar nga lumi Sava, i cili vazhdon të paraqesë kërcënimin më të madh që nga Kroacia e deri në kryeqytetin e Serbisë.

Prurjeve të para kryeqyteti serb u ka mbijetuar falë digave të ngritura në një gjatësi prej dymbëdhjetë kilometrash, raportojnë mediet.

Në rajonet e goditura nga vërshimet në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, punonjësit e shërbimeve emergjente po përballen me mijëra kafshë të ngordhura në ujë. Me ndaljen e reshjeve dhe tërheqjen e ujit, në sipërfaqe po dalin mijëra lopë, derra, dele, qenë dhe kafshë të tjera të ngordhura.

“Janë me tonelata kafshë të ngordhura, të cilat duhet t’i heqim sa më parë”, ka thënë kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në Bosnjë, në një fermë të qytetit Shamac është raportuar për mbytjen e së paku 500 gjedhëve.

 

BE ndihmon Serbinë

Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuciq deklaroi mbrëmë se Serbia do të merr ndihmë të rëndësishme nga BE për sanimin e pasojave nga vërshimet.

Ai pas bisedës me komisarin e Bashkimit Evropian për bashkëpunim ndërkombëtar dhe humanitar Kristalin Georgijev tha se Serbia do të mund të llogarisë në ndihmën nga Fondi i solidaritetit të BE, nga mjetet e IPA fondeve, sikurse dhe ndihma humanitare

Kryeministri megjithatë ka shpjeguar se Serbia mjetet e rëndësishme do të mund të marr vetëm pasi të vlerësoj dëmin se ai është më i madh se 0.6 të bruto prodhimit shoqëror, përkatësisht 174,6 milion euro.

Në territorin e Serbisë deri më tashti janë evakuuar 31.873 persona nga vendete e rrezikuara, ndërsa qindra mijëra njerëz janë të prekur nga vërshimet. Janë vërshuar 2.260 objekte, janë rrezikuar 1.763 objekte përgjatë Serbisë, thuhet mes tjerash në komunikatë.

 

Të ndihmohet edhe Bosnja

Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka paralajmëruar gjatë një vizite në Bruksel se një konferencë donatorësh për të mbledhur fonde, për rindërtimin e vendit pas vërshimeve që kanë goditur pjesë të saj, do të mbahet në Beograd, më 22 maj.

Komisionari i Bashkimit Evropian përgjegjës për politikat rajonale, Johannes Hahn, tha se ka gjasa që dëmet e shkaktuara nga vërshimet e fundit në Serbi të mund të kualifikohen në fondin e Solidaritetit Evropian.

Vendet anëtare të BE-së dhe vendet kandidate për anëtarësim mund të ndihmohen nga ky fond prej 500 milionë eurosh, kur goditen nga shkatërrimet natyrore.

Bosnja e Hercegovina ndërkaq, e cila nuk është vend kandidat, nuk kualifikohet për këtë fond, por Hahn tha se BE është duke shikuar mundësitë për të zotuar fonde nga blloku evropian si ndihmë financiare për Sarajevën.

Rreth 400 punonjës vullnetarë nga 19 vende anëtare të BE-së janë aktualisht në Serbi dhe Bosnjë, për të ndihmuar në sanimin e dëmeve nga vërshimet.