Shqipëria

Lulëzon turizmi estetik në Shqipëri

Qarkullimi i sektorit llogaritet nga 200 deri në 250 milionë euro në vit

Dikur vendi më i mbyllur në botë, Shqipëria sot pret miliona turistë, një pjesë e madhe e të cilëve vijnë çdo vit edhe në kërkim të një buzëqeshjeje rrezatuese, të buzëve të plota apo të një gjoksi të ri.

“Nuk më pëlqen të flas për turizmin mjekësor. Është pak i ashpër, është i frikshëm… Preferoj të flas për turizmin e lumturisë, i cili i bën njerëzit të lumtur”, thotë Dritan Gremi, kreu i industrisë së turizmit klinik në Tiranë, që ”ofron kujdes cilësor me pajisje të garantuara dhe të certifikuara” sipas standardeve evropiane.

Italianë, francezë, belgë, zviceranë…: shumë prej tyre vijnë për t’u kuruar në klinikën “Gremi”, që ndërthur zbulimin e vendit me kirurgjinë estetike apo ortodontinë.

“Shqipëria ofron procedura dentare me çmime konkurruese – pa cenuar cilësinë e kujdesit”, sigurojnë autoritetet shëndetësore shqiptare, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

Stéphane Pealat, udhëheqës i ekipit në Valence (juglindje të Francës), vuante, ashtu si vëllai i tij, nga probleme të shumta dentare – abscese, humbje dhëmbësh e tjerë.

“Në Francë bëmë një kuotë të parë që ishte shumë, shumë e shtrenjtë. Më pas në internet filluam të kërkojmë: Bullgari, Turqi, Shqipëri, Spanjë…”, shpjegon ai.

Pikërisht në Lion, ku skuadrat shqiptare erdhën për të paraqitur ofertat e tyre, ai mori vesh për klinikën “Gremi”.

Pasi erdhën në gusht “për të parë”, gjatë të cilit mjekët u treguan ambientet, qytetin…, dy vëllezërit vendosën të ktheheshin në vjeshtë.

“Një çmim në Francë arriti në 50 000 euro”, thotë Stéphane.

“Për të njëjtin operacion, transplantin, dhëmbët…, ja ku e mora për 13 500 euro”.

Është një shumë parash, por “të kënaqësh njerëzit, të kesh një buzëqeshje të bukur është ende e rëndësishme”.

Partnerja e tij ka ”dhëmbë të mrekullueshëm”, ndaj operacionet ”i bëj për vete, por edhe për të”.

Nathalie Gangloff, moderatore në një EHPAD në Koniak (jugperëndim), gjithashtu zgjodhi Shqipërinë për të trajtuar problemet e saj të rënda dentare.

“Mjeku im në Francë më tha për një reportazh që u transmetua në M6”, shpjegon gruaja që pagoi pak më pak se 15 000 euro, krahasuar me 42 000 euro në Francë.

Pas trajtimit të parë në muajin shkurt (nxjerrja dhe vendosja e implanteve), ajo u kthye në Tiranë në mesin e shtatorit, ”e lumtur” që kishte gjetur buzëqeshjen e saj.

“Me punën time si prezantuese është e rëndësishme të kem flokë të bukur, të kem dhëmbë të bukur…”, tha pa e fshehur gëzimin ajo që ndërroi menjëherë foton e profilit në Facebook për të treguar buzëqeshjen e saj të ngrohtë.

Kostot e ulëta të menaxhimit dhe taksimi që nuk i kalon 15% i lejojnë klinikat shqiptare të jenë shumë konkurruese dhe të vendosen në hartën e turizmit mjekësor.

Qarkullimi i sektorit llogaritet nga 200 deri në 250 milionë euro në vit.

Sipas të dhënave të pakta që disponojmë, të paktën 50 mijë italianë vijnë për kurim në Tiranë çdo vit.

Për Anna Maria, një 30-vjeçare nga Milano, ”buzëqeshja e shpirtit i kalon edhe nga buzët”. Psikologe, ajo përfitoi nga pushimet e saj për të vendosur faseta dentare, operacion të cilit i shtoi edhe një operacion buzësh.

“Pas kujdesit dentar, gjithnjë e më shumë turistë të huaj po i drejtohen edhe trajtimeve estetike për të ndriçuar buzëqeshjen e tyre”, shpjegon Monika Fida, dermatologe dhe profesoreshë universiteti në Tiranë.

Injeksionet e acidit hialuronik, të certifikuara sipas standardeve evropiane janë shumë të njohura.

“Mbi të gjitha, ata duan të ndihen mirë, sa më natyrshëm dhe të kenë buzë të konturuara mirë”, shton Fida, e cila mirëpret çdo vit nga 750 deri në 1 000 pacientë të huaj në klinikën e saj.

Vera Panaitov, 60 vjeçe, një kuzhiniere në Verona, në Italinë veriore, erdhi fillimisht për të bërë dhëmbët. Por, aty shtoi edhe operacione të tjera: bëri gjoksin dhe holloi belin.

“Duhet të jesh e bukur në çdo moshë dhe të përjetosh dashurinë dhe lumturinë në çdo moment”, thotë ajo, duke buzëqeshur në shtratin e saj të spitalit, të cilin do ta lërë pas pak ditësh, “e lumtur dhe e rinovuar”.

Christine Cincunegui, një drejtuese biznesi franceze, së shpejti mund të zërë vendin e saj.

E ardhur në Paris për t’u konsultuar me mjekë shqiptarë në turne për të promovuar klinikat e tyre, ajo duket e joshur. “Për t’u ndjerë më bukur dhe për t’u argëtuar, çfarë duam më shumë?”.