Lajme

Lufta në Ukrainë do të shkaktojë tronditje në ekonominë evropiane

Ekonomia ruse do të “pësojë kolaps”, Ukraina do të “rrënohet”, ndërsa efektet e konfliktit në Ukrainë dhe sanksionet mund të zhysin disa vende të Evropës qendrore dhe lindore në recesion këtë vit, sipas parashikimeve të reja të publikuara nga Capital Economics, një shoqëri konsulente në Mbretërinë e Bashkuar.

“Lufta në Ukrainë ka shkaktuar një tronditje të madhe, ndaj së cilës ekonomitë në zhvillim të Europës janë ndër më të cenuarat”, thotë Capital Economics.

Në Rusi, goditja nga sanksionet do të çojë në një rënie prej 12% të PBB-së këtë vit, që do të ishte recesioni më i keq që nga vitet 1990. Në të njëjtën kohë, inflacioni do të arrijë në 23%. PBB-ja gjithashtu do të ulet me 1.5% në vitin 2023, argumenton firma konsulente.

“Autoritetet duket se kanë bërë mjaftueshëm për të parandaluar një krizë financiare dhe Rusia po del nga faza më e keqe e krizës”, thotë ai.
Megjithatë, ai paralajmëron se sanksionet më të ashpra në të ardhmen mund të çojnë në një kolaps të bankave. Bankat janë dobësuar, veçanërisht bankat më të vogla me kapital të kufizuar, gjë që do të çojë në kreditim më të dobët. Mungesa e shlyrjeve do të mbajë të shtrenjta kostot e huamarrjes.

E vetmja anë pozitive duket se është rritja prej 100 miliardë dollarësh e të ardhurave nga eksporti i energjisë, për shkak të çmimeve më të larta këtë vit, gjë që do të rrisë suficitin e llogarisë korrente.

Capital Economics thotë se ekonomia e Ukrainës mund të përgjysmohet këtë vit, duke pasur parasysh përvojën e shteteve të tjera që vuajnë luftëra, dhe më pas vendi do të jetë i detyruar të kryejë një ristrukturim të borxhit sovran. Megjithatë, ekonomia gjithashtu mund të rritet me 40% në vitin 2023.

FMN-ja këtë javë parashikoi se PBB-ja ruse do të bjerë me 8.5% këtë vit, ndërsa ajo e Ukrainës, me 35%. Në fillim të këtij muaji, parashikimi i Bankës Botërore ra përkatësisht me 11.2% dhe 45%.

Rritja ekonomike në rajon

Ndikimi i rënies së tregtisë me Rusinë dhe Ukrainën, si dhe rritja e kostove të energjisë, do të çojnë në uljen e PBB-së në Bullgari, Sllovaki dhe shtetet baltike në një periudhë afatgjatë, argumenton shoqëria e konsulencës.

“Shtetet baltike dhe Bullgaria varen më shumë se çdo vend tjetër nga Rusia për eksportet e tyre dhe për të ardhurat e ndërmjetme të importuara. Dhe Sllovakia, Çekia, Hungaria dhe Polonia varen shumë nga nafta dhe gazi rus për nevojat e tyre për energji”, thotë Capital Economics.
Inflacioni do të arrijë në nivele dyshifrore për shkak të çmimeve të mallrave dhe problemeve me zinxhirin e furnizimit. Kjo do të godasë të ardhurat reale dhe konsumin.
Prodhimi industrial ra në tremujorin e parë, për shkak të problemeve në zinxhirin e furnizimit, të shkaktuara nga konflikti në Ukrainë, raporton monitor, përcjell Albinfo.ch.

Në të njëjtën kohë, rritja e EQL-së do të goditet nga kërkesa më e dobët në Eurozonë dhe bankat qendrore do të detyrohen të vazhdojnë shtrëngimin monetar.
Bankat qendrore në të gjithë rajonin ka të ngjarë të vazhdojnë të rrisin normat e interesit dhe t’i mbajnë ato të ngritura për të zbutur pritshmëritë inflacioniste.

Deficitet e jashtme do të zgjerohen nën ndikimin e çmimeve më të larta të energjisë ruse dhe mallrave të tjerë, duke çuar në probleme të mundshme në Hungari dhe Rumani.
Ndërkohë, çekuilibrat makroekonomikë në inflacion dhe llogaritë korrente, rreziku i recesionit të Eurozonës dhe shtrëngimi monetar global, do të çojnë në zhvlerësimin e monedhave të rajonit.