Lajme

Lucerni organizon festë popullore për “bijën e tij”, Ylfete Fanajn

Me zgjedhjen e Ylfete Fanajt në qeveri, "me një goditje kapen disa shenja": Qeveria e Kantonit të Lucernit bëhet më “femërore”, “më e majtë” dhe më “multikulturore”

Një rast unik në historinë e re politike të qytetit të Lucernit. Kështu u quajt nga folësit solemniteti i prezantimit të Ylfete Fanajt para popullit, si pjesëtare e re, e zgjedhur e ekzekutivit të Kantonit të Lucernit. Dhe, ishin disa arsye të cilat shtynë autoritetet e qytetit, mbase më të bukur të Zvicrës, t`i organizonin këtë festë popullore pikërisht Ylfete Fanajt, shkruan albinfo.ch.

Së pari, kjo u bë për faktin se me Ylfete Fanajn, pas një kohe të gjatë, Lucerni si qytet ka sërish përfaqësues të vetin në Qeverinë e Kantonit. Së dyti, falë fitores së Fanajt dhe koleges së saj Michaela Tschuor nga partia e Qendrës (Mitte), qeveria, po ashtu pas një kohe të gjatë, ka jo një, por dy gra, ministre, përnjëherë. Së treti, Partia Socialdemokrate fiton një vend në qeveri pas një mungese të gjatë.

Dhe, e fundit, por jo për nga rëndësia: me Ylfete Fanajn, për herë të parë në një qeveri kantonale zgjidhet një person me prejardhje shqiptare, ballkanike e më gjerë, të huaj në përgjithësi.

Kështu, “me një goditje”, kapen disa shenja: qeveria e njërit prej kantoneve më konservatore, siç është Lucerni, bëhet më “femërore”, “më e majtë” dhe më “multikulturore”.

Prandaj, pasditja e vonë me diell, e të martës së 6 qershorit jepte të gjitha arsyet për të festuar, në sheshin “Europaplatz”, drejtpërdrejt buzë liqenit të Lucernit dhe nën strehën e Qendrës gjigante Kulturore e të Kongreseve (KKL) të Lucernit.

Disa stenda të vendosura në shesh ofronin pije dhe ushqime falas, për qindra festues dhe kalimtarë rasti. Një bandë muzikore me instrumente frymore i paraprinte “marshit” të Ylefete Fanajt dhe përfaqësuesve më të lartë të qytetit të Lucernit, që po afrohesin drejt skenës së improvizuar. Aty pastaj kanë marrë fjalën dy krerët kryesorë të qytetit: kryetari i ekzekutivit, Beat Züsli dhe krytari i Parlamentit Christian Hochstrasser si dhe kryetari i ekzekutivit të Kantonit, Guido Graf.

Secili prej tyre, në fjalimet e tyre frymëzuara folën në superlativ për Ylfete Fanajn, duke mos harruar të nënvizonin rolin e saj prej shembulli që duhet ndjekur nga të rinjtë tjerë me prejardhje të huaj. Fakti se Fanaj ka arritur në këtë shkallë do të trimërojë ata që të ecin në rrugën e arritjeve në nivelet më të larta të politikës zvicerane.

Züsli, nga pozita e kryebashkiakut të Lucernit, i ka dhuruar Ylfetes, në mënyrë simbolike, një ombrellë shiu, duke i lënë porosinë se pozita e re do ta përballë edhe me “shira e stuhi” por që krerët e qytetit të saj nuk do ta lënë “në baltë”.

 

Me zgjedhjen e saj, Ylfetja ka bërë që diversiteti kulturor, etnik etj., tashmë kaq i pranishëm në shoqëri, të pasqyrohet edhe në politikëbërje dhe kjo tregon maturitetin e kësaj shoqërie, kanë thënë politikanët në fjalë, që vijnë nga parti të ndryshme.

Në përmbyllje, publikut të shumtë në Europlatz i është drejtuar edhe Ylfete Fanaj. Përmes duartrokitjeve dhe brohoritjeve të të tubuarve ajo ka falënderuar të gjithë ata që kanë bërë të mundur zgjedhjen e saj në postin e lartë dhe me përgjegjësi, shkruan albinfo.ch. Më tej Fanaj  ka theksuar se do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve, edhe të atyre që nuk e kanë zgjedhur, duke çuar kështu në vend njërin ndër postulatet kryesore të demokracisë.

Ajo në vazhdim, së bashku me kolegen e saj në qeverinë kantonale, Michaela Tschuor, u është përgjigjur disa pyetjeve të moderatores së aktivitetit. Pyetjet kishin të bënin kryesisht me rolin e ri prej qeveritareje të Fanajt, si grua, si socialdemokrate dhe si person me prejardhje të huaj.

Ajo ka theksuar se prejardhjen, rrënjët e saj nuk do t`i mohojë asnjëherë por se, megjithatë, ka për të ofruar më shumë se vetëm prejardhjen e saj të huaj. Pastaj, e pyetur nëse pritjet e zgjedhësve të saj do të përmbushen, Ylfetja ka thënë se përpjekjet nuk do të mungojnë por “dihet se qeveria funksionon si organ kolektiv dhe shumëçka nuk varet nga vullneti i njërit ose tjetrit anëtar të saj”.

Ajo ka folur edhe për synimin e përputhjes në mes të punës dhe jetës private, që ka qenë një ndër pikat e angazhimit të saj si parlamentare. Ndërsa marrja përsipër nga ana e saj, e resorit mbase më të ndjeshëm, atij  të punëve të brendshme përbën edhe një sfidë të cilën ajo, bazuar në njohjen e problematikës, pret ta tejkalojë me sukses.

Në vazhdim, me dhjetëra pjesëmarrës të tubimit kanë kërkuar të fotografohen me ministren “e tyre” të re, duke shprehur kështu gëzimin për zgjedhjen e saj. Fanaj, nga ana e saj, ka përqafuar dhe falënderuar të gjithë ata, veç e veç, duke u fotografuar dhe duke bashkëbiseduar me ta.

Të kujtojmë: Ylfete Fanaj ka kaluar deri më tani të gjitha shkallët e karrierës politike në nivelin komunal dhe atë kantonal. Ajo është e pranishme në politikën e Lucernit që nga viti 2007, shkruan albinfo.ch. Pas postit në legjislativin e komunës, ajo ka realizuar dy mandate në Parlamentin e Kantonit, duke u zgjedhur në vitin 2021, gjatë mandatit të tretë, edhe kryetare e Parlamentit, që ishte posti më i lartë i mbajtur ndonjëherë nga një politikan me prejardhje të huaj, dhe jo vetëm në kantonin e saj.

Tani, Ylfete Fanaj ka jetësuar besimin e partisë së saj dhe bazës partiake, e cila e kishte kandiduar atë për postin e lartë ekzekutiv. Ajo po e konfirmon konstatimin e bërë nga njohësit e skenës së këtushme politike se zotëron me një kompetencë të lartë, të fituar nga përvoja e gjatë në politikë dhe me aftësi menaxhuese.

Ylfete Fanaj është e lindur në vitin 1982 në komunën e Prizrenit. Ajo jeton në Zvicër, nga mosha 9-vjeçare, kur u është bashkuar prindërve, në Sursee (Kantoni Lucern), të cilët që me kohë jetonin këtu.

Me bashkëshortin, Stéphane dhe djalin e tyre, Arian Diell, Ylfetja jeton prej disa vjetësh në qytetin e Lucernit.