Integrimi
“Lomi” sfidon invaliditetin dhe kandidon për Asamblenë e Cyrihut
Islam Alijaj është person me nevoja të veçanta por kjo nuk e ka penguar që të zhvillohet në një politikan të profilizuar dhe të kandidojë për një vend të Asamblenë e qytetit të Cyrihut
Islam Alijaj është një politikan i ri i cili në zgjedhjet për Asmablenë Komunale të Cyrihut që mbahen më 4 mars garon për Partinë Socialdemokrate (SP). Deri këtu, asgjë e jashtëzakonshme: ka edhe mjaft shqiptarë tjerë, moshatarë të tij nga kjo parti dhe parti të tjera që bëjnë të njëjtën gjë.
Por, Islami ose “Lomi” siç e thërrasin në rrethin miqësor, është person me nevoja të veçanta Ai, që nga lindja e tij është prekur nga paraliza cerebrale. Kjo sëmundje ka bërë që Lomi të ketë pengesa në të folur dhe kufizime në lëvizje, por për fat, aftësitë njohëse (të menduarit) nuk i janë prekur. Këto rrethana sigurisht nuk janë të tilla që do të favorizonin angazhimin në politikë të kujtdoqoftë. Ndërkaq “Lomi”, anëtar kryesie në SP të qarkut të nëntë të Cyrihut, është tashmë një politikan me profil mjaft të qartë.
Por janë dy momente kyçe të biografisë së tij të cilat kanë bërë që emri i Alijajt të vendoset në listën e kandidatëve të SP-së për zgjedhjet për Asamblenë e Cyrihut, sherkaun gazeta Neue Zürcher Zeitung. Momenti i parë është ai që e ka bërë të vetëdishëm Islamin se nuk është si të tjerët. Në moshën e adoleshencës ai i kryente detyrat e shtëpisë të shkollës speciale. Alijaj shikonte fletoret e punës dhe konstatonte se ai si 16 vjeçar po i zgjidhte detyrat e matematikës për nxënësit 12 vjeçarë. “Në atë moment mua më kapi një krizë”, thotë tash Alijaj duke shikuar në retrospektivë.
Nuk u dorëzua
Por Lomi nuk u dorëzua. Ndodhi e kundërta: nga kjo krizë pasoi një shtytje zhvillimi, e cila do ta karakterizojë jetën e tij në vazhdim. Kështu ai brenda dy viteve pasuese mbaroi materien e tri viteve të shkollës. Ai fiton vetëbesim, bëhet më i pavarur, mëson si i ri të ecë pa mjete ndihmëse. Sepse “si do të mund të njihesh me një vajzë nëse je duke ecur me rollator?”. “E dija se nëse tash nuk “i jap gas”, nuk dal dot kurrë nga ky qark i mbyllur”. Kështu ai mbaron, bashkë me nxënës pa nevoja të veçanta, një shkollim të mesëm (zanat) për nëpunës.
Lomi ka ardhur në moshën njëvjeçare me nënën dhe dy vëllezërit më të mëdhenj në Zvicër, ku babai i tij punonte që nga vitet `80 si punëtor sezonal.
Momenti i dytë kyç është ai që e orientoi Alijajn në politikë. Pas mbarimit të shkollës së mesme ai donte të fillonte studimet. Ekonominë ose informatikën ekonomike, i kishte në plan. Me një diplomë fakulteti dhe me ndihmën përkatëse, ai do të kishte një shans në tregun primar të punës, ishte i bindur atëbotë si 22 vjeçar. Por firma ku e bëri zanatin (punën praktike) dhe sigurimi invalidor e bindën se për të më mirë do të ishte një pension invaliditeti dhe një vend pune i mbrojtur (i rezervuar për personat me nevoja të veçanta). Vetëm më vonë ai e ka kuptuar se ndërmarrjet marrin të ardhura nga sigurimi invalidor për çdo vend të plotësuar pune. Veç kësaj, lartësia e pensionit invalidor varet nga shkalla e arsimimit. Alijaj u ndie i mashtruar. As punëdhënësi i tij dhe as sigurimi invalidor nuk kishin pasur interesim për planet e tij të studimeve, thotë ai. “Vlerësimi i gabuar financiar i bërë nga institucionet, më ka lënë pa studime”, është i bindur Alijaj. Dhe shton “Kjo ngjarje më ka politizuar rrufeshëm”.
Ai do ta bëjë “më sexy” temën për njerëzit me nevoja të veçanta
Kështu me këmbënguljen që e karakterizonte ai fillon një karrierë politike. Në fokus ka barazimin dhe barazinë e shanseve të njerëzve me hendikep. Me sulmet e tij frontale kundër organizatave të personave me nevoja të veçanta ai bënte edhe armiq. Pengesat më të mëdha për një veprimtari politike të personave të kësaj kategorie ai i sheh në mungesën strukturave dhe në vetëdijen e mangët të njerëzve. Duhet të kuptohet që politikanët me nevoja të veçanta kanë nevojë për mbështetje, në mënyrë që të kenë një shans në konkurrim. Alijaj ka një asistente verbale e cila i lexon fjalimet e tij në aktivitete të ndryshme. Krahas kësaj ai ndien se ka mbështetje edhe nga udhëheqja e partisë. Por megjithatë nuk ndihet i trajtuar në mënyrë plotësisht të barabartë. Kështu, në një kuvend të partisë ai dëshironte të qëndronte pranë pultit të folësit, krahas asistentes së tij. Por, për shkak të një shkalle aty, ai nuk mundi të ngjitej në skenë.
“Tema e personave me nevoja të veçanta ende nuk është `sexy`. Unë dua ta bëj përfundimisht të tille”, thotë Alijaj. Njerëzit me nevoja të veçanta vazhdojnë të konsiderohen si të varfër, të pafuqishëm dhe aseksualë. Ndërsa ai dëshiron ta përmbysë këtë klishe. Për një barazim të njerëzve me aftësi të kufizuara duhet të emancipohet e gjithë shoqëria, thotë ai. “I vetëm, nuk mund t`ia dal”.
Krahas aktivitetit të tij politik, Alijaj është iniciator i një shoqate për ndihmë njerëzve me nevoja të veçanta në realizimin e ëndrrave të tyre profesionale. Kërkimi i investitorëve është në vlug. Energjinë për këtë ngarkesë të dyfishtë ai e merr te familja e tij. Si baba i dy fëmijëve të shëndetshëm, Lomi, me hendikepin që ka, vazhdimisht përballet me shikime plot habi. “Tema e seksualitetit dhe e aftësive të kufizuara vazhdon të jetë tabu”, thotë ai dhe shton: “Po i pres me padurim reaksionet nga mbledhja e parë e prindërve ku do të marr pjesë”.
Një mendje kritike dhe karakter këmbëngulës
Alijaj është një mendje kritike dhe i mbështet fuqishëm pikëpamjet e veta. Kështu ai, pa ngurruar kërkon që Asamblea Komunale e Cyrihut të ketë një kuotë prej 10 deri 20 për qind për personat me nevoja të veçanta. Ai është mjaft realist për të ditur se një gjë e tillë është një ëndërr. Por po ashtu është mjaft kokëfortë sa për ta shpërfaqur atë megjithatë.
Por çfarë do të ketë në fokus Islam Alijaj, përveç temës së personave me nevoja të veçanta, nëse do të marrë një vend në Asamblenë e Cyrihut?
“Krahas tematikës së përmendur unë në asamble dua të merrem edhe me temën e trafikut (komunikacionit) dhe të ekonomisë”, thotë ai për albinfo.ch. “Konkretisht dua të provoj reformimin në degën e taksive, e cila aktualisht ndodhet në krizë. Nuk është në rregull që një taksist për një qarkullim ditor prej 200 frangash, të detyrohet të kalojë 14 orë në ditë në veturë. Platforma `Uber` e ka ashpërsuar edhe më shumë problemin. Dëshira ime do të ishte që veprimtaria e taksistëve të integrohet në trafikun publik. Se si do ta jetësojmë këtë në mënyrën më të mirë, duhet të shohim së bashku me ekzekutivin e qytetit. Kjo zgjidhje do të eliminonte edhe kufizimin në mobilitet të shumë personave me nevoja të veçanta. Veç kësaj dua ta përmirësoj pozitën e personave të vetëpunësuar në qytetin e Cyrihut. Shumë nga ta detyrohen që shërbimet e tyre t`i ofrojnë për një pagë të mjerueshme, pasi që nuk mund të maten me të mëdhenjtë. Në këtë pikë na duhet ta forcojmë ndërmarrësinë dhe t`i mbështesim njerëzit e kësaj kategorie”.
Për zgjedhësit shqiptarë dhe për emrin “e papërshtatshëm”
Ndërsa lidhur me ofertën eventuale që ai mund ta ketë për qytetarët me prejardhje shqiptare dhe në përgjithësi me prejardhje të huaj në Cyrih ai fillimisht shprehet: “Unë shpresoj se bashkëqytetarët tanë me prejardhje shqiptare nuk më zgjedhin vetëm nga shkaku se unë kam rrënjë shqiptare. Por, nëse unë mundem t`i bind ata për politikën time dhe për atë për çfarë unë angazhohem, atëherë fitorja është e të dyja palëve.
Siç e kam përmendur tashmë, unë do të merrem me kushtet bazë për të vetëpunësuarit. Duke qenë se shqiptarët e brezit të pas luftës po pavarësohen me të madhe, ata me mua fitojnë një zë të fuqishëm në Asamblenë komunale”, shprehet ai për albinfo.ch.
Në këtë kohë kur polarizimet dhe paragjykimet kanë fituar për fat të keq pothuaj një “status qytetar” të pranueshëm në shoqërinë ku po jetojmë, edhe një emër “i papërshtatshëm” mund të jetë shkas për uljen e shanseve të atij që bart këtë emër. Ndërsa emri “Islam” në këtë kontekst nuk është bash më i përshtatshmi. Duke u pajtuar parimisht me këtë konstatim, “Lomi” thotë për albinfo.ch se megjithatë ka qenë i kursyer nga diskriminimi i kësaj natyre. “Pasi që unë vi nga pollitika e njerëzve me nevoja të veçanta dhe hendikepi im është kaq i dukshëm, njerëzit nuk reagojnë aspak në atë mënyrë kur përmendet emri im. Edhe shumë veta nga SVP-ja thjesht e injorojnë atë dhe flasin me mua lidhur me temat shoqërore që lidhen me tematikën e njerëzve me nevoja të veçanta. Megjithatë, unë e kam vënë në përdorim pseudonimin tim (”Lomi”) ashtu që ata që kanë problem me emrin tim, të mund të më thërrasin me pseudonim. Sidoqoftë, thekson Lomi, deri tash nuk ka pasur asnjë pengesë me emrin”.
https://www.facebook.com/lomali/videos/10210892530659946/?q=islam%20alijaj
E-Diaspora
-
Bern: Helvetikët presin Dardanët në rrethin e tretë parakualifikues për “Eurobasket 2027” Më datë 21 nëntor në orën 19:30, në adresen Mobiliar Arena, Muri bei Bern....
-
Gjermania rregullon problemin në platformat e tyre, Kosova nuk do të paraqitet më si pjesë e Serbisë
-
I riu shqiptar vetëvritet në Hamburg
-
Gjermani, seminar mbi përvojat e mësuesve në diasporë
-
Huber takon tre shqiptarë të suksesshëm në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Pagat reale po rriten në Zvicër Partnerët socialë që nënshkruan marrëveshjet kryesore të negociatave kolektive (CBA) për vitin aktual kanë rënë dakord...
-
Ndihmë financiare për të rinjtë punëkërkues të Gjenevës
-
Shpejtësi dhe çmenduri: 4 personave u konfiskohen veturat
-
Ku t’i shikoni zgjedhjet presidenciale në SHBA sot në Zvicër
-
Gjeneva krijon ndihmë financiare për punëkërkuesit e rinj