Integrimi

Lirohet nga paraburgimi kosovarja që lindi foshnjën në burg

Edhepse nuk përjashtohet motivi që gruaja mund të ketë pasur për vetëvrasje, gjykata konstaton se nuk ka rrezik për arratisje ose përsëritje të veprës

Nëna e re kosovare e cila ditë më parë ka lindur foshnjën e saj deri sa mbahej në burgun për hetime (albinfo.ch ka shkruar të mërkurën), është liruar nga burgu. Gjykata e Qarkut e Cyrihut ka marrë një vendim sot që ajo të lirohet pasi që, sipas qëndrimit të gjykatës, nuk ka ndonjë arsye të mbajtjes së mëtejme të saj në burg.

Gruaja 24 vjeçare rreth një muaj më parë në rrethana ende të pasqaruara kishte rënë në valët e lumit Limmatt në afërsi të Cyrihut së bashku me të birin 4 vjeçar. Ajo ishte ndaluar pastaj në burgun për hetime, pasi që dyshohej se kishte hedhur në ujë fillimisht të birin duke dashur ta mbyste atë dhe pastaj edhe veten.

Me gjithë faktin se ende nuk mund të përjashtohet motivi që gruaja mund të ketë pasur për vetëvrasje, gjykata konstaton se nuk ka rrezik për arratisje për përsëritje ose për mbulim të veprës, shkruan nzz.ch. Për këtë arsye Gjykata e Qarkut e Cyrihut ka urdhëruar lirimin e saj.

Rasti kishte ndodhur pasditen e 7 marsit. Dy kalimtarë rasti kishin parë se si një grua me një fëmijë po përpëlitej në valët e lumit dhe po bërtiste duke kërkuar ndihmë. Pasi që ata i shpëtojnë të dy, policia e merr në arrest nënën. Gjatë gjithë kohës, rreth një muaj, ajo kishte fshehur se ishte shtatzënë.

Kjo ishte zbuluar vetëm para tri ditësh, kur i kishin filluar dhimbjet e lindjes. Nga burgu ajo ishte dërguar në spital ku kishte sjellë në jetë një djalë. Pas një nate të kaluar në spital me mbikëqyrje dhe e lidhur për këmbe të shtratit (nga frika se mund të ikte ose të vetëvritej), atë e kishin kthyer në burg.

Ndërkohë, foshnja vazhdon të mbahet në spital, pasi ka çrregullime në frymëmarrje.