Lajme

Lira turke bie për 5% kundrejt dollarit amerikan

Vlera e Lirës – monedha turke, ka rënë për 5 për qind kundrejt dollarit amerikan. Rënia e valutës vjen një ditë pasi presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, përsëriti qëndrimin e tij se nuk do të rrisë normat e interesit, me qëllim që të stabilizojë vlerën e monedhës kombëtare.

Erdogani ka detyruar Bankën Qendrore turke që të ulë normat e interesit, pavarësisht se inflacioni ka arritur në mbi 20 për qind. Ekonomistët besojnë se kjo politikë mund të bëjë që në muajt e ardhshëm inflacioni të rritet mbi 30 për qind.

Por, Erdogani tha më 19 dhjetor se besimi i tij islam e ndalon atë që të mbështesë rritjen e normave të interesit.

“Ata po ankohen se ne po ulim normat e interesit. Mos prisni diçka tjetër nga unë”, tha Erdogan. “Si mysliman, unë do të vazhdoj të bëj atë që më udhëzon feja”, shtoi ai.

Sipas besimit islam, myslimanëve u ndalohet të marrin ose të vendosin interes ndaj parave të huazuara apo të marra borxh.

Lira turke në tre muajt e fundit ka humbur më shumë se gjysmën e vlerës së saj.