Futboll

Likës i realizohet ëndrra që të veshë fanellën kuqezi

25-vjeçari, i lindur në Ferizaj dhe i rritur në Zvicër, shpjegoi në konferencën për shtyp se nuk u mendua gjatë kur Christian Panucci e ftoi të vishte ngjyrat kuqezi

Bujar Lika është një prej futbollistëve të rinj të grumbulluar për herë të parë në Kombëtaren shqiptare. 25-vjeçari, i lindur në Ferizaj dhe i rritur në Zvicër, shpjegoi në konferencën për shtyp se nuk u mendua gjatë kur Christian Panucci e ftoi të vishte ngjyrat kuqezi.

“Kam patur shumë lëndime, por vitin e fundit kam mundur ta tregoj veten, pastaj erdhi kontakti me Panuccin. Kam zgjedhur Shqipërinë, nuk kam pasur kontakt nga Kosova. Nuk u mendova dy herë për të vendosur. Gjithnjë e kam patur ëndërr për të luajtur me ngjyrat kuqezi, kaq. Pres të aktivizohem në miqësore. Është kënaqësi edhe për familjen time”, ka thënë Lika, përcjell albinfo.ch.

Ai foli edhe për atmosferën në kombëtare. “Lojtarët më kanë pritur shumë mirë, sidomos ata të Zvicrës. Atmosfera është shumë e mirë. Kjo është një mundësi e madhe për mua të tregoj veten”, theksoi futbollisti i Grasshoppersit.

“Shqipëria ka marrë tjetër vlerë pas pjesëmarrjen në Evropian. Shokët e mi të skuadrës u gëzuan shumë kur më erdhi ftesa me e Shqipërisë”, theksoi Bujar Lika.