Shkurt.ch

Lihtenshtajni propozon memorandum mirëkuptimi me Kosovën

Kjo është biseduar në një takim të dy shteteve në nivel autoritetesh dhe ekspertësh nga sfera e migracionit

Lihtenshtajni dhe Kosova janë marrë vesh për një bashkëpunim më të ngushtë në mes të dy vendeve në të ardhmen. Kështu ka dalë nga takimi që kanë pasur paraditën e sotme përfaqësuesit e autoriteteve të dy shteteve në nivel ekspertësh për partneritetin në sferën e migracionit mes Zvicrës, Lihtenshtajnit dhe Kosovës.

Principata e Lihtenshtajnit ka të nënshkruar që në vitin 2007 një memorandum mirëkuptimi. Nënshkrimi një memorandumi të tillë edhe me Kosovën ka qenë subjekt i takimit të sotëm të delegacionit kosovar të drejtuar nga Shkodran Manaj, përgjegjës i departamentit për shtetësi, azil dhe migracion.

Manaj ka shprehur kënaqësinë me propozimin e bërë nga Lihtenshtajni. Me këtë rast të dy palët janë marrë vesh për një takim bilateral në nivel ministrash për të bërë hapin e radhës në drejtim të nënshkrimit të një memorandumi të tillë, bën të ditur agjencia NA-portal e Lihtenshtajnit.

Temat tjera që janë rrahur në takimin e ekspertëve në Vaduz kanë qenë heqja e detyrimit të vizave për qytetarët e Kosovës për vizitat e tyre në BE, Zvicër e Lihtenshtajn.

Po kështu luftimi i migracionit ilegal dhe planifikimi e koordinimi i projekteve ndërkombëtare për ndihmë refugjatëve dhe migrantëve, që mbështeten financiarisht nga Lihtenshtajni dhe Zvicra.