Shkurt.ch

Lihtenshtajni jep 340 mijë franga për dy projekte në Kosovë

300 mijë franga jepen për projektin e integrimit të pakicave etnike në Kosovë "MAAR", ndërsa 40.000 franga për kopshtin e fëmijëve "Dielli"

Qeveria e Principatës së Lihtenshtajnit, në mbledhjen e mbajtur më 31 maj ka miratuar donacionet në vlerë prej 340 mijë frangash për dy projekte të IFMH (organizata humanitare për ndihmë refugjatëve) në Kosovë, shkruan faqja zyrtare e qeverisë.

Pjesa më e madhe e donacionit, prej 300 mijë frangash jepet për projektin e integrimit të pakicave etnike në Kosovë “MAAR”, ndërsa 40.000 franga është donacioni për projektinpilot të kopshtit të fëmijëve “Dielli”, në Drenas.

Projekti i Kopshtit të Fëmijëve do të drejtohet nga Caritasi i Zvicrës dhe konsiston në trajnimin e edukatoreve në lëmin e punës me fëmijët. Synimi është që të ofrohet një shkallë bachelor e arsimit, diploma e të cilës do të njihej në gjithë Evropën.

Ky projekt është vlerësuar nga një eksperte ndërkombëtare e kësaj fushe si i dobishëm që në muajin mars të vitit të kaluar. Në bazë të këtij vlerësimi, ky program është akredituar në korrikun e kaluar nga Ministria e Arsimit e Kosovës. Ndërsa në mars të këtij viti, Lichtenshtajni ka vendosur që të mbështesë kopshtin e fëmijëve “Dielli” që do të funksionojë krahas shkollës së pëmendur, të cilin e ka mbështetur edhe në dy vitet e kaluara.

Projekti tjetër që mbështetet nga Lihtenshtajni “MAAR”, ka të bëjë me krijimin e kushteve më të mira për integrim të pakicave etnike në Kosovë, respektivisht në komunat Prizren, Dragash, Shtërpcë.