Integrimi

Ligji për mërgatën, por këtë herë me mërgatën

Nenet e prezantuara të projektligjit për diasporën e Kosovës në konsultimin publik në Cyrih u kritikuan nga pjesëmarrësit në debat

Rruga ligjore për qytetarët që kanë vendbanim apo vendqëndrim jashtë Kosovës dhe të cilët kanë lindur apo kanë prejardhje nga Republika e Kosovës nuk do të rregullohet këtë herë pa konsultimin e mërgatës së Kosovës.

Pas Shtutgardit të Gjermanisë, përpiluesit e projektligjit për mërgatën nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Diasporës, janë ndalur në Cyrih, në dëgjimin publik të organizuar me mërgatën kosovare në Zvicër.

Ligji për mërgatën, i miratuar vitin e kaluar, e që ka për qëllim të ndikojë në ruajtjen dhe kultivimin e identitetit gjuhësor, kulturor e arsimor të pjesëtarëve të mërgatës dhe në lidhshmërinë e tyre me institucionet e Republikës së Kosovës, do të pësojë ndryshime dhe këtë herë do të plotësohet me sugjerime dhe vërejtjet që do të vijnë direkt nga mërgata. “Ne jemi këtu të marrim, jo të japim. Ne jemi të interesuar për ide dhe sugjerime që vijnë nga ju për ta bërë të aplikueshëm ligjin për mërgatën”, ka thënë në konsullatën e Kosovës në Cyrih drejtori i zyrës ligjore në Kryeministrinë e Kosovës, Besim Kajtazi.

Ai tha se ndryshimet e Draftligjit po bëhen konform nevojave të mërgatës dhe në funksion të ruajtjes së vlerave kulturore të pjesëtarëve të mërgatës dhe në të njëjtën kohë, një kornizë e tillë ligjore shërben si urë lidhëse ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve të saj gjithandej jashtë vendit.

Edhe drejtori i Departamentit për Politika të Diasporës, Mustafë Xhemaili, tha se konsultimi me mërgatën që konsiderohet të jetë 1 milionëshe, pa e përfshirë Turqinë, është i domosdoshëm në hartimin e ndryshimeve të projektligjit.

19 nenet e prezantuara të projektligjit për diasporën e Kosovës në konsultimin publik në Cyrih u kritikuan nga pjesëmarrësit në debat, si në aspektin gjuhësor, po edhe në atë përmbajtjesor.

Vërejtjet e para për projektligjin e diasporës kanë ardhur nga Nexhmedin Gërguri. Ai ka adresuar vërejtje sa i përket aspektit gjuhësor të formulimit, ndërsa ka propozuar që me ligj të sanksionohet funksionimi i qendrave kulturore për diasporë, me të cilat do të rregullohet çështja e ngritjes profesionale dhe arsimore e mësimdhënësve kosovarë, duke ofruar si model një shkollë profesionale të italianëve në Zvicër, të quajtur “Ecap”. Sipas tij, qendrat e tilla do të duhej të përfaqësoheshin edhe nga pjesëtarët e mërgatës.

Lirije Veseli, afariste në Zvicër, ka kërkuar nga hartuesit që me ligj të rregullohet çështja e investimeve të Diasporës në Kosovë. Sipas Veselit, vetëm në këtë mënyrë mund të garantohen investimet e mërgatës në vendlindje.

Orhan Spahiu, kryetar i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës, ka sugjeruar që në nenin që ka të bëjë me informimin dedikuar diasporës të specifikohet se të gjitha ngjarjet që mbulohen nga Televizioni Publik RTK në diasporë të jenë falas.

Edhe Hamit Zeqiri, anëtar i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës, ka kritikuar projektligjin, duke e cilësuar me shumë mangësi, ku sipas tij, dominon vetëm kultura, e jo edhe mbrojtja e interesave të qytetarëve të Kosovës. ”Në të nuk vërehet shteti i Kosovës. Në ligj më shumë dominon kultura dhe askund nuk është theksuar mbrojtja e interesave të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Zeqiri.

Kishte të tilla kërkesa që me ligj të organizohet përfaqësimi i mërgatës në Zvicër.

“Këtë diasporë nuk dihet kush e përfaqëson, është Kuvendi i Shqiptarëve, funksionojnë shoqata të shumta, LAPSH-i. Duhet të bëhet organizimi i diasporës”, ka thënë në këtë debat publik Bejtullah Tahiri.

Një propozim i tillë ka marrë përgjigje negative nga sponsorët e projektligjit. “Qeveria e Kosovës nuk mund të imponojë organizimin e mërgatës, përkundrazi, organizimi i mirë i diasporës mund t’i bëjë presion Prishtinës të merret me projektet e tyre”, ka thënë zyrtari i lartë ligjor nga Prishtina, Besim Kajtazi.

Më konstruktiv në këtë dëgjim publik ka qenë publicisti Ismet Rashiti, i cili ka dhënë sugjerime dhe plotësime të kësaj kornize ligjore gati se për çdo nen. Ai ka kritikuar se projektligji i propozuar i Diasporës është i hartuar shpejt, ose është kopjuar dhe më së paku i përket ligjit për mërgatën. Publicisti Rashiti ka kërkuar që me ligj të rregullohet edhe e drejta e mërgatës për të marrë pjesë në zgjedhjet dhe të përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës.

Pjesëmarrësit janë përqendruar më shumë në pjesën e projektligjit që ka të bëjë me qendrat kulturore.

Kishte propozime që ato të mos financohen nga buxheti i Qeverisë së Kosovës, por të përfaqësohen dhe të financohen nga vetë mërgata.

Një propozim i tillë për zyrtarin e lartë ligjor nga Prishtina do të ishte i pamundur. ”Për fillim do të ishte mirë që qendrat në fjalë të financoheshin nga buxheti i Kosovës”, ka thënë Besim Kajtazi. Ai ka njoftuar të pranishmit se qendrat e para tashmë së shpejti do të hapen në Turqi, pastaj pasojnë Zvicra dhe Gjermania. Por të gjitha këto veprime të Qeverisë së Kosovës do të bëhen në përputhje me ligjet e vendeve pritëse.

Sipas të gjitha gjasave, qendrat kulturore do të kenë statusin e OJQ-ve, ndërsa do të përfaqësohen nga njerëzit e zgjedhur nga Kosova.

Më të zëshëm në këtë debat, të parin të këtij lloji në Zvicër, kanë qenë përfaqësues të LAPSH-it, të cilët edhe një herë kanë alarmuar për përfshirjen e vogël të nxënësve shqiptarë në mësimin plotësues në gjuhën shqipe. “Tre vjet shkuan që kur na është premtuar se do të institucionalizohet mësimi plotësues në gjuhën shqipe në Zvicër. Duhet të reagojmë më shpejt që fëmijët në diasporë të dinë të flasin gjuhën shqipe”, është shprehur i shqetësuar Hamzë Morina, kryetar i LAPSH-it.

Mustafë Xhemaili, drejtor në Departamentin e Politikave të Diasporës, ka tërhequr vëmendjen se ligji nuk bëhet vetëm për Zvicër. ”Institucionalizimi i mësimit plotësues në gjuhën shqipe do të bëhet përmes akteve normative gjithandej ku jetojnë qytetarët e Kosovës. Do të verifikohen të gjithë mësimdhënësit. Nuk do të ketë më mësimdhënës të matematikës në Suedi që jep lëndën e gjuhës shqipe”, ka thënë Xhemaili.

Në këtë dëgjim publik, edhe pse ishte paralajmëruar prania e ministrit të Diasporës, Ibrahim Makolli, ky i fundit megjithatë nuk erdhi.

Dëgjimi i radhës organizohet sot pasdite në Gjenevë. Zyrtarë të Ministrisë së Diasporës premtuan se shumë shpejt do të jetë i gatshëm ligji i ri i plotësuar i Diasporës, i cili më pas do t’i procedohet edhe Kuvendit të Kosovës për miratim.

Ligji aktual për mërgatën është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 15 prill të vitit të kaluar, kurse është shpallur me dekretin e Presidentit më 4 maj. Zbatimi i tij shumë pak është parë në praktikë.