Kosova
Sa rrezikohet ikja e fuqisë punëtore nga Kosova me ligjin e ri gjerman
Bizneset thonë se po rrezikohet humbja e fuqisë punëtore
Ligji mbi emigrimin e fuqisë punëtore të kualifikuar në Gjermani, i cili ka hyrë në fuqi në mars të këtij viti, ka ngritur shqetësime në Kosovë se një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, kryesisht atyre të kualifikuar, do të lëshojnë vendin.
Përfaqësues të bizneseve dhe shoqërisë civile thonë se disa vjet që me ikjen e qytetarëve të Kosovës nga vendi, po rrezikohet edhe humbja e fuqisë punëtore. Kurse me miratimin e ligjit të ri gjerman, shqetësimet janë ngritur për humbjen e fuqisë së kualifikuar punëtore apo “trurit të Kosovës”.
Instituti për Studime të Avancuara (GAP) ka bërë një hulumtim lidhur me emigrimin e fuqisë punëtore të Kosovës në Gjermani.
Blend Hyseni, hulumtues i lartë në Institutin GAP, thotë për Radion Evropa e Lirë se në bazë të një hulumtimi që kanë bërë, një rregullore e vitit 2015 e shtetit gjerman dhe ligji tjetër, i cili ka hyrë në fuqi së fundmi, që të dyja bashkë, mundësojnë emigrimin e fuqisë punëtore nga Kosova në Gjermani.
“Ikja e fuqisë punëtore të Kosovës rrezikohet më shumë nga rregullorja e vitit 2015 e aprovuar nga Gjermania, e cila u jep mundësi më të lehtë në tregun e punës gjerman qytetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe e cila është ende në fuqi dhe që në një forme kishte lehtësuar emigrimin”, thotë Hyseni.
Më 2015, Gjermania pati hapur tregun e punës për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në përgjigje të një rregulloreje që u miratua dhe ftonte punëtorët e kualifikuar dhe të pakualifikuar në tregun gjerman të punës mbi bazën e ofrimit të një vendi të punës.
Hyseni thotë se pas miratimit të kësaj rregulloreje, nga viti 2016 deri në vitin 2018, mbi 15 mijë qytetarë nga Kosova kanë arritur të marrin viza dhe të shkojnë në Gjermani.
Personat të cilët janë pajisur më vizë, gjatë këtyre viteve dhe kanë shkuar në Gjermani, janë të profileve si, ndërtimtaria, hotelieria dhe shërbimet e kujdesit.
Kurse në mars të këtij viti, në Gjermani ka hyrë në fuqi edhe Ligji mbi imigrimin e fuqisë punëtore të kualifikuar, i cili iu mundëson punonjësve të kualifikuar në arsim profesional nga shtetet jashtë Bashkimit Evropian të emigrojnë më lehtë në të ardhmen në drejtim të Gjermanisë.
Për dallim nga rregullorja e vitit 2015, e cila u mundësonte punëtorëve nga profile të ndryshme të kërkojnë punë ne Gjermani, me ligjin e ri kryesisht kërkohen punëtorë të kualifikuar.
Pronarë të bizneseve prodhuese në Kosovë, thonë se duhet të ndërmerren hapa urgjent për të krijuar kushte më të mira për të rinjtë në mënyrë që ata të mos ikin nga vendi.
Shaqir Palushi, pronari i kompanisë për prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike, “Frutex”, thotë për Radion Evropa e Lirë se përveç institucioneve, edhe bizneset duhet të krijojnë kushte të mira për punëtorët, në mënyrë që këta të fundit të shohin Kosovën si vend ku mund të jetohet dhe punohet.
“Aktualisht ka një interesim më të madh të qytetarëve dhe sidomos te të rinjtë që të sigurojnë viza pune në Gjermani, por nëse flasim për kompaninë tonë, nuk kemi vërejtur ndonjë ndryshim, përkatësisht rritje të kërkesës për largim nga vendet e punës, ndoshta arsyeja është se tek ne pagat janë pak më të larta sesa mesatarja në sektorin privat”.
“Është e nevojshme që edhe ne si punëdhënës të reflektojmë karshi kësaj situate të krijuar dhe të rrisim pagat dhe përmirësojmë kushtet e punës në mënyrë që kjo tendencë e ikjes të zvogëlohet”, thotë Palushi.
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka dhënë informacione rreth Ligjit mbi imigrimin e fuqisë punëtore të kualifikuar.
Sipas një postimi në faqen zyrtare të kësaj ambasade thuhet ‘se ligji u krijon mundësi të reja punonjësve me kualifikim të njohur në arsim profesional nga shtetet jo-anëtare të Bashkimit Evropian për të punuar në Gjermani’.
Për hyrjen në Gjermani me qëllim të krijimit të një marrëdhënie punësimi apo kërkimi të një vendi pune, Ambasada e Gjermanisë njofton se do të vazhdojë të jetë e nevojshme pajisja me vizë, për të cilën duhet të aplikohet pranë Ambasadës Gjermane në Prishtinë.
Por, duke iu referuar vetëm shqetësimeve në Kosovë për mundësinë e humbjes së fuqisë së kualifikuar punëtore, sipas hulumtimit të Institutit GAP, thotë Blend Hyseni, Ligji nuk pritet të “atakojë” vetëm një vend, në këtë rast Kosovën, sepse ai i përfshinë të gjitha shtetet jo-anëtare të BE-së. Kështu që sipas tij, këtu edhe qëndron rreziku më i vogël që ky Ligj të zbrazë fuqinë punëtore të Kosovës, pasoi që nuk u dedikohet vetëm vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Ligji i ri i prek kryesisht punëtorët me aftësi të larta, pra një rrezik ekziston vetëm për ata profesionistë që kanë aftësi të larta dhe që i duhen Kosovës. Largimi i tyre do të kishte një efekt negativ për vendin, por sa i përket volumit të njerëzve unë nuk mendoj se do të ketë efekte të mëdha, pra nuk do ta ikin shumë qytetarë, por ata që do të dalin do të jenë njerëz me aftësi profesionale të kualifikuar, e të cilët i duhen Kosovës”, thotë Hyseni.
Por, me vet faktin se bëhet fjalë për fuqinë e kualifikuar punëtore, Hyseni thotë se është shqetësuese nëse nga Kosova do të ikte kjo kategori. Kosova ka më pak se 1.7 milionë banorë dhe me 2-3 valë të emigrimit, thekson ai, do të mund të krijohet mungesë e punëtorëve.
“Vala e emigrimit është duke vazhduar dhe ne iu bëjmë thirrje të gjitha institucioneve që të bëhet një analizë e tregut dhe të shihet se cilat janë këto profesione që po largohen nga Kosova dhe sa ka Kosova potencial të lejojë që këto profesione të largohen nga Kosova pa e pasur një efekt negativ për ekonominë e vendit”, thotë Hyseni.
Qeveria e re e Kosovës, me kryeministër Albin Kurtin, ka potencuar se brenga e shoqërisë në Kosovë aktualisht është migrimi.
Qeveria Kurti ka paralajmëruar si të domosdoshëm miratimin e një plani të menjëhershëm zhvillimi që u rikthen njerëzve besimin dhe guximin për të qëndruar në Kosovë dhe që motivon kthimin e njerëzve të kualifikuar apo trurit nga jashtë.
“Potencialet janë mes nesh, por investimet nuk janë adresuar në mënyrën e duhur dhe janë përqendruar në fushat e gabuara”, pati thënë kryeministri Kurti.
Në dekadën e fundit, më shumë se 220 mijë qytetarë të Kosovës kanë lëshuar vendin, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Numri më i madh i qytetarëve, të cilët kanë emigruar nga Kosova gjatë periudhës 2010-2018, u shënua në vitin 2015, kur nga Kosova u larguan mbi 75 mijë qytetarë. Ndërsa në vitin 2018, mbi 28 mijë persona vendosën të ikin nga vendi.
E-Diaspora
-
Gjermania e Zvicra prijnë me numrin e të regjistruarve për votim nga diaspora 107,158 votues nga diaspora kanë aplikuar për votim në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit të...
-
Një neurokirurg akademik shqiptar, në mes të Kolorados dhe Bazelit
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
Jeta në Zvicër
-
Si do të ndikojnë te qytetarët ndryshimet në ekonominë zvicerane në vitin 2025? Lajmi i mirë është se ekonomia e Zvicrës do të mbetet e qëndrueshme në përgjithësi –...
-
Ҫfarë mund të prisni në Zvicër në vitin 2025?
-
Taksat e turizmit shtohen në koston e pushimeve të skive në Alpet zvicerane
-
Aplikimi për patentë shoferë, një hap me rrezik të lartë për të moshuarit
-
Fishekzjarret zvicerane lëshojnë deri në 400 tonë grimca