Kosova

Lidhja e veçantë e Wolfgang Ischinger me Kosovën

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Berlin, Faruk Ajeti, ka zhvilluar sot një takim me Ambasadorin Wolfgang Ischinger, drejtues i Konferencës së Sigurisë në München, me të cilin ka shkëmbyer ide për zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës.

“Familja Ischinger gëzon një marrëdhënie të veçantë me Republikën e Kosovës. Shkolla fillore në fshatin Sllatinë të Kaçanikut mban emrin e djalit të tij të ndjerë Florianit: Shkolla fillore “Florian Ischinger”. Jo vetëm fshati, por edhe shkolla ishte e shkatërruar nga forcat ushtarake serbe gjatë luftës së Kosovës 1998-1999”, shkruan në Facebook ambasadori Ajeti.

Ai më tutje rrëfen tmerrin që kishte përjetuar Floriani gjatë luftës në Kosovë.

“Floriani ishte tmerruar nga krimet e bëra në Bosnjë dhe Kosovë. Ai kishte realizuar vizita të shumta në vendin tonë, duke bërë edhe studime të ndryshme. Pak para vdekjes së tij dhe ende pa i mbushur 20 vjet të plota, Floriani kishte lënë një testament që të gjitha paratë e tij të dedikohen për një projekt për fëmijë në Kosovë”, rrëfen tutje ambasadori Ajeti.