Kosova
Libri “Masakrat në Kosovë 1998 – 1999”, një monument kundër harresës
"Libri `Masakrat në Kosovë 1998-1999 është një monument që bën të mundur të mos harrohen viktimat e luftës", u tha në promovimin e tij, në Cyrih
Libri “Masakrat në Kosovë 1998-1999” ka pasur promovimin e tij këtë të diel, para publikut shqiptar dhe zviceran, në Cyrih. Prezantimi i librit, një kontribut serioz për dokumentimin dhe ndriçimin e krimeve të kryera mbi shqiptarët në luftën e fundit, kishte nxitur interesimin e një numri të madh të njerëzve për të qenë të pranishëm dhe për ta siguruar këtë libër.
Moderimin e aktivitetit e ka bërë, në gjermanisht dhe në shqip, Arbela Statovci, aktiviste e njohur e komunitetit shqiptar të Zvicrës.
Veç autorit të librit, studiuesit të njohur nga Prishtina, Shkëlzen Gashi, në “podium” për librin do të flisnin edhe ish-ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, ambasadori aktual i Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi, pastaj Georg Häsler, redaktor në gazetën “Neue Zürcher Zeitung”, Naser Morina, hulumtues në ambulatoriumin për trajtimin e viktimave të torturave nga luftërat, në Spitalin Universitar të Cyrihut, Arbnora Aliu, doktorante në Universitetin e Cyrihut dhe publicisti i njohur, Enver Robelli, në cilësinë e organizatorit gjegjësisht nikoqirit, shtëpisë botuese “Dora D`Istria”.
Ishin veçanërisht mbresëlënës në fjalët e tyre ish-ambasadori Lebet dhe redaktori Häsler. Ata u angazhuan jo vetëm për hulumtimin dhe ndriçimin e masakrave të kryera në Kosovë, por edhe për ndëshkimin më meritor të shkaktarëve të tyre, të krerëve të makinerisë serbe të luftës.
Kështu, Jean-Hubert Lebet ka folur për një logjikë të frikshme të mosndëshkimit të Serbisë për krimet e kryera në Kosovë. Ai ka thënë se Zvicra, ashtu si dhe e gjithë ajo që quajmë “bashkësi ndërkombëtare”, mjerisht nuk e thonë dot asnjë fjalë që do të kuptohej si masë ndëshkimi kundër Serbisë së Vuçiqit. Ai ka ngritur zërin që t`i jepet fund një logjike të tillë dhe një ledhatimi që i bëhet shkaktarit të të gjitha vuajtjeve të popujve në fundin e shekullit 20 në Ballkan. Lebet ka kundërshtuar me forcë “revizionimin” që po i bëhet kohëve të fundit qasjes së Perëndimit në raport me ndërhyrjen e drejtë ndërkombëtare në Kosovë.
Häsler, nga ana e tij, ka treguar për trishtimin që ka përjetuar në vitin 1999, menjëherë pas luftës, kur ai ishte në Kosovë fillimisht si pjesë e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, kur bëhej hapja e varrezave masive në Kosovë. Më vonë Häsler ka shërbyer si gazetar, korrespondent i SRF për Ballkanin, në Beograd dhe ka ndjekur nga afër zhvillimet politike e të tjera, edhe në Kosovë.
Ai, me një fjalë emocionuese ka thënë se botimi i këtij libri ishte një veprim i duhur në kohë të duhur. Në një kohë kur, siç ka theksuar ai, ka kaq shumë përpjekje për vënien në pyetje të drejtësisë së ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe kur viktimat e luftës, të masakruarit ka tendenca të harrohen ose krimi mbi ta të relativizohet. Për këtë arsye, ka theksuar ai, libri “Masakrat në Kosovë 1998-1999” është një monument që bën të mundur të mos harrohen viktimat e luftës dhe të mos amnistohen shkaktarët e viktimizimit të tyre.
Në fjalën e tij të lexuar me këtë rast, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Bernë, Mentor Latifi, ka apeluar që të mos harrohen krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës. Ai ka thënë se mjerisht për një kohë të gjatë pas luftës, nuk është punuar (nga vendorët) sa është dashur për zbulimin dhe evidentimin e krimeve të luftës të kryera në Kosovë. Është menduar, veç ejrash, se kjo “është detyrë e organizatave ndërkombëtare” të specializuara këtë punë. Prandaj, ka theksuar se botimi i librit që po promovohet është pikërisht një kontribut i duhur në këtë drejtim, edhe pse ia ardhur vonë.
Naser Morina, psikolog dhe hulumtues në ambulatoriumin për trajtimin e të viktimave të torturave nga luftërat, në Spitalin Universitar të Cyrihut, ka bërë një vështrim të thelluar të problematikës së traumave të luftës në Kosovë, të cilat janë po ashtu pjesë e punës së përditshme që kryen ai në institutin ku punon. Dhe, libri i autorit Shkëlzen Gashi është një kontribut për të sjellë drejtësi për viktimat e masakrave të luftës në Kosovë, ka theksuar ai, vec tjerash.
Morina ka elaboruar në hollësi trajtimin e të mbijetuarve të dhunës nga luftërat, duke u ndalur në vështirësitë që përfshin përpunimi i plotë i përjetimit të dhunës nga të prekurit. Ky përpunim ose tejkalim i traumës, nëse fare ndodh, mund të marrë edhe disa dekada ose edhe një jetë të tërë njeriu, është shprehur Naser Morina.
Sipas Arbnora Aliut, doktorante në Universitetin e Cyrihut dhe docente në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Cyrihut, ky libër, ndonëse i punuar me neutralitet dhe me përkushtim shkencor, ka një lëndë e cila nuk lë indiferent lexuesin. Bëhet fjalë për një tematikë të rëndë, traumatike që e njohim të gjithë, por që tani ky libër na e kthen në kujtesë.
Ajo ka bërë thirrje që ky libër të lexohet dhe të shërbejë si bazë për një debat të gjerë shoqëror mbi temën që trajton.
Autori i librit, Shkëlzen Gashi, në paraqitjen e tij para publikut ka folur për punën rreth pesëvjeçare që ai i ka kushtuar realizimit të këtij projekti madhor. Si njërin ndër motivet për ta shkruar librin “Masakrat në Kosovë 1998 1999” ai ka përmendur mungesën e një përpunimi sado modest të kësaj teme në Kosovën e pasluftës. Gashi ka folur pastaj për gjendjen skandaloze sa i përket studimit të kësaj tematike dhe edhe më shumë, ndëshkimit të shkaktarëve të masakrave. Sipas tij, janë dhjetëra masakra për të cilat nuk gjendet asnjë rresht në asnjë publikim, në gjuhën shqipe ose në ndonjë tjetër. Ndërsa është një numër fare simbolik i masakrave, shkaktarët e të cilave janë dënuar. Kjo gjendje, sipas tij, kërkon angazhim më të madh shoqëror për të bërë punën që na takon ne, si shoqëri dhe si shtet i Kosovës.
Ndërsa Enver Robelli, në fjalën e tij drejtuar publikut, është marrë me librin dhe kulturën e kujtesës në Kosovës, duke thënë se një kulturë e tillë, sa i takon vlerësimit të sakrificës së viktimave civile të luftës, tek ne është, mjerisht, shumë e munguar.
Ai i ka bërë një apel komunitetit shqiptar në Zvicër që t’u kthehet sa më shumë aktiviteteve kulturore dhe të qëndrojë sa më larg propagandave të ndryshme politike dhe fetare që burimin e kanë jashtë Zvicrës.
Libri është pritur shumë mirë nga publiku në sallë, i cili në numër të madh e ka blerë atë dhe ka marrë autografin e autorit, i cili ka theksuar se të ardhurat nga shitja do të përdoren për ngritjen e një vebsite për masakrat e luftës në Kosovë.
Promovimi i librit është bërë në ambientet e lokalit të njohur SOHO, që drejtohet nga Kastriot Çaushi, i biri i profesorit të shquar prof.dr. Bardhyl Çaushi, i zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Prokurori publik i Cyrihut hap procedurë kundër Sanija Ametit Prokuroria publike e Cyrihut ka hapur procedurë penale kundër Sanija Ametit. Në shtator, politikania e GLP-së...
-
Zvicër: Kosovari dënohet me 32 muaj burgim për vrasje nga pakujdesia
-
Kosova për herë të parë në Yellow Cup në Zvicër
-
Certifikohen nga KQZ-ja 11 subjekte politike dhe 606 kandidatë për deputetë
-
Kjo është arsyeja pse nuk ka anulime të fluturimeve të aeroplanëve edhe nëse ka mjegull në Prishtinë
Jeta në Zvicër
-
Norma e rritjes ekonomike goditet nga “Evropa e ngadaltë” Parashikuesit po ulin parashikimet e rritjes ekonomike për Zvicrën – të gjitha për shkak të aktivitetit...
-
Zvicër: Parlamenti miraton letërnjoftimin e ri elektronik
-
Zvicër: Krijohet lehtësim i shkëmbimit të informacionit ndërmjet shteteve të Shengenit
-
Dhoma e Kantoneve refuzon të shtrëngojë masat për bashkimin familjar
-
Këshilli Federal dëshiron të ndajë paketën e marrëveshjeve me BE-në