Shkurt.ch

“Libri i pagave 2019” tregon se sa më shumë fitohet në Cyrih se në Tiçino

Në "Librin e pagave 2019" tregohet, për shembull, se pagat më të ulëta në Zvicër jepen në sallonet e frizerëve ose berberëve

Në cilat degë ekonomike janë pagat më të larta dhe në cilat më të ulëta? Po në cilat regjione ose kantone paguhet më shumë? Përgjigjet për këto dhe pyetje të tjera mund të gjenden në “Lohnbuch 2019” (Libri i pagave 2019) i publikar sot nga jobs.ch dhe blick.ch.

Në këtë libër tregohet se pagat më të ulëta në Zvicër jepen në sallonet e frizerëve ose berberëve, transmeton albinfo.ch. Kështu, një punëtor me licencën federale të profesionit, në vitin e tretë të punës fiton më së paku 3850 franga. Në një studio për mirëmbajtjen e thonjve, ndërkaq, paga minimale është 4000 franga, ndërsa një kuzhinier fiton më së paku 4195 franga.

Në tregtinë me pakicë, për shembull, një punëtor në Coop dhe në Migros që ka mbaruar shkollimin (zanatin) trevjeçar të degës përkatëse, fiton 4100 franga, ndërsa në Lidl, nën të njëjtat kushte, paga më e ulët është 4350 franga.

Në sferën e softuerëve ose për një menaxher social medial, me licencën federale të aftësisë, paga më e ulët është 4615 franga.

Ndërkaq, dukshëm më të lartë pagën mujore e ka menaxheri e-komercial, i cili fiton mesatarisht 6154 franga.

Është interesant fakti se, sipas këtij libri, profesioni i priftit rezulton mjaft fitimprurës, përcjell albinfo.ch. Kështu, paga mujore bruto e një prifti reformist është 9084.45 franga, ndërsa prifti katolik fiton pak më pak se ai, gjegjësisht 8595.25 franga.

Ky libër pagash vërteton edhe atë tashmë dihej: mjekët fitojnë mesatarisht dukshëm më tepër se ushtruesit e shumicës së profesioneve të tjera. Kështu, të jesh kryemjek në Kantonin e Cyrihut do të thotë se ke një pagë mesatare prej 13.017.10 frangash.

Përpos mbi bazë të profesionit, dallimet në paga janë të konsiderueshme edhe në mes të kantoneve, në mes të moshave dhe të gjinive.

Kështu, paga mediane (që nxirret jo nga mbledhja dhe pjesëtimi i të gjitha pagave, si te mesatarja, por nga pagat që janë në mes të një liste nga më e ulëta deri te më e larta) që merret në regjionin e gjerë të Cyrihut, është dukshëm më e lartë se ajo që për punë të njëjtë merret në kantone ose regjione të tjera.

Pra, përderisa paga mediane në nivel të Kantonit të Cyrihut është 6671 franga, ajo në Kantonin e Ticinos është për rreth një të katërtën më e ulët, gjegësisht 5262 franga, transmeton albinfo.ch. Më e ulët se në regjionin e gjerë të Cyrihut, paga është edhe në Zvicrën lindore (5886 franga), në Regjionin e Liqenit të Gjenevës (Kantoni i Gjenevës dhe ai i Vaudit), 6184 franga etj. Ndërsa paga mediane në nivel të Zvicrës është 6235 franga.