Kosova

Liberia nuk ka hequr dorë nga njohja e Kosovës

Gjatë ditës së sotme Ministri i Jashtëm serb, tha se Liberia ka hequr dorë nga njohja e Kosovës, Ministri i Jashtëm në Kosovë, Behgjet Pacolli ka hudhur poshtë deklarimet e ministrit serb.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behxhet Pacolli, ka thënë se shteti i Liberisë nuk e ka tërhequr njohjen për Kosovën.

Gjatë ditës së sotme  ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka thënë se Liberia “e ka anuluar njohjen e pavarësisë së Kosovës”.

Ministri i Punëve të Jashtme, Pacolli, me anë të një postimi në profilin e tij zyrtar në “Facebook”, ka thënë se ka biseduar me zyrtarë të lartë të Liberisë, të cilët sipas tij kanë thënë se tërheqja e njohjes nuk është e vërtetë.

“Sapo zhvillova një bisedë telefonike me udhëheqësit e lartë të Qeverisë së Liberisë, të cilët më konfirmuan se tërheqja e njohjes së Republikës së Kosovës nuk është e vërtetë, prandaj është për keqardhje që Beogradi zyrtar vazhdon të investojë përpjekje të kota në propagandë destruktive për konsum të brendshëm në Serbi”, ka shkruar Pacolli në “Facebook”.