Tematike
Liberalizmi zviceran, midis qytetarisë aktive dhe lirive individuale
Opusi i dytë i diskutimeve mbi liberalizmin i realizuar nga shoqata Albinfo.ch në bashkëpunim me Qarkun demokratik të Lozanës mundësoi që të vihen në pah paqartësitë historike të kësaj rryme mendimi.
Pas një debati të parë të organizuar në fillim të qershorit mbi integrimin e të huajve në partitë e djathta, tryeza e rrumbullakët e radhës, e organizuar këtë 13 qershor nga Qarku demokratik i Lozanës në bashkëpunim me Albinfo.ch, iu kushtua historisë së liberalizmit. Shumë tekste historike botuar kohët e fundit na rikujtojnë se Zvicra e fillimshekullit XIX ishte në të vërtetë një laborator i rëndësishëm i përsiatjeve mbi mendimin liberal.
Fillimisht tri biografi risollën epokën e artë të atyre personaliteteve të shquara të Zvicrës frëngjishtfolëse të cilët, në fillet e epokës së Iluminizmit, nxitën jo vetëm në Zvicër po edhe në Paris a në Evropë, një ide që synonte të rimendonte rolin e Shtetit në të mirë të lirive individuale: ajo e Benjamin Constant (1767-1830) nga regjioni i Vaud, teoricien i shquar i liberalizmit, e autorit Léonard Burnand, drejtor i institutit “Benjamin Constant”, profesor i historisë moderne si dhe dekan i fakultetit të filologjisë pranë Universitetit të Lozanës; Shënimet e një simpoziumi kushtuar Jean Sismonde de Sismondi (1773-1842), një tjetër mendimtar i shquar i fillimit të shekullit XIX nga Gjeneva, botuar nga Shoqëria e historisë e Zvicrës frëngjishtfolëse dhe udhëhequr nga Guillaume Poisson; si dhe një vepër kushtuar filozofit, juristit dhe teologut nga Lozana Charles Secrétan (1815-1895), shkruar nga Olivier Meuwly, historian dhe nënkryetar i Qarkut demokratik të Lozanës. Ky i fundit është edhe autor i veprës së botuar majin e kaluar La Régénération, le libéralisme suisse à l’épreuve du pouvoir (1830-1847)(shën. përkth. Ripërtëritja, liberalizmi zviceran sprovuar nga pushteti (1830-1847)), e cila vë në dukje kontekstin politik te atyre viteve vendimtare për Zvicrën që çuan në luftën civile të Sonderbundit, Kushtetutën e vitit 1848 si dhe krijimin e Zvicrës moderne.
Të pyesësh veten rreth prejardhjes
Këtyre katër veprave të mrekullueshme mbi liberalizmin u duhet shtuar edhe librin e Eric Rochat, mjek dhe ish-Këshilltar shtetëror liberal, Mais entrez donc!(shën. përkth. Po hyni pra !). Aty ai rrëfen pesëdhjetë vite takime e emocione gjatë karrierës së tij si mjek si dhe bazat e asaj që, sipas tij, është liberalizmi shoqëror: liri, padyshim, por një liri e përgjegjshme dhe aftësi për të marrë përsipër pasojat e vendimeve tona.
Qarku demokratik i Lozanës i mblodhi këta autorë rreth një tryeze të rrumbullakët të udhëhequr nga Vjosa Gërvalla, drejtoreshë e shoqatës Albinfo.ch. “Sepse është thelbësore të vihet në pah çështja e prejardhjes dhe rrënjëve duke kërkuar përgjigje nga historia si dhe nga mendimet e personaliteteve të vendit mikpritës”, tha udhëheqësja e diskutimit e cila për më tepër nuk ngurroi të trajtojë paqartësitë e liberalizmit: marrëdhëniet e tij të paqarta me fenë, pozitën e dhënë gruas e madje edhe të metat e veprimit politik liberal.
Të drejtat individuale dhe veprimet publike
Si mund të përafrohen, ta zëmë, edhe nevoja për të mbrojtur të drejtat individuale që predikon liberalizmi, edhe pjesëmarrja në veprime publike? Ose si ia dilnin liberalët e shekullit XIX, të ndodhur mes refuzimit të fesë dhe admirimit për protestantizmin, ta përthekonin këtë kontradiktë?
Padyshim, teoricienët e mendimit liberal, me Benjamin Constant në krye, ishin mosbesues ndaj pushtetit. “Megjithëkëtë, Constant nuk ka predikuar asnjëherë idenë e një individualizmi të vrullshëm, e as nuk është bërë zëdhënës i njëfarë egoizmi apo i doktrinës së abstenimit”, pohon Léonard Burnand. “Përkundrazi, ai është përpjekur të përafrojë, përmes sistemit të përfaqësimit, lirinë e përbashkët të të Moçmëve (shën. përkth. les Anciens), që bazohej në qytetarinë aktive, si dhe atë të Modernëve (shën. përkth. les Modernes), që bazohej në gëzimin e pavarësisë individuale”. E nëse këta të fundit u kanë deleguar përfaqësuesve të tyre një pjesë të pushtetit, ata megjithatë nuk janë bërë moskokëçarës ndaj çështjes publike (shën. përkth. res publicae). “Ashtu edhe ne, si pasardhës të tyre, duhet të jemi vigjilent në lidhje me punët e shtetit dhe të ndërtojmë një opinion publik të përgjegjshëm, të mirinformuar, të aftë që të luftojë kundër abuzimeve”, sqaron Léonard Burnand. E Guillaume Poisson sjell në kujtesë që Jean de Sismondi kishte pasë mbrojtur atëbotë idenë, tronditëse për atë kohë, që debatet e Këshillit të Gjenevës do të botoheshin e që qytetarët të kishin të drejtë për fletushka informuese.
Kurthi i ndarjes publike – private
Në lidhje me çështjen e fesë si dhe pozitës së gruas, Olivier Meuwly pohon se ndarja mes sferës publike (a priori e ruajtur për burrat) dhe sferës private (tradicionalisht e mbuluar nga gratë), ndarje aq e dashur për liberalët e asaj kohe, i ka penguar ata që ta ndjejnë evoluimin e kohës, edhe përkundër faktit që ishin të rrethuar nga gra intelektuale dhe që ishin avangardë në shumë fusha, sikurse dënimi i skllavërisë apo liria e shtypit. Do të duhej pritur megjithatë të vinte Charles Secrétan, burrë i gjysmës së dytë të shekullit XIX, për të ngritur zërin në mbrojtje të të drejtave politike të grave.
Sa i përket fesë, liberalët e asaj kohe bënin një dallim mes besimit, si çështje personale, dhe institucionit fetar, si çështje publike. Megjithëse kundërshtonin kontrollin e klerit, ata iu mbështetën pikërisht fesë për të ndërtuar një digë morale për liberalizmin. “I ndikuar nga vizioni i shoqërisë së asaj kohe, liberalizmi mbeti mjaft konservator dhe nuk evoluoi aq shpejt sa u përket këtyre çështjeve”, vë re Olivier Meuwly. “Në përplasje me realitetin, liberalizmi e ka shpesh të vështirë të zgjedhë dhe mund të bëhet i paqartë, për këtë arsye edhe ka kërkuar mbështetje në rryma tjera idesh – në Zvicër tek radikalizmi – për t’ia dalë mbanë me kontradiktat e tij.”
Një porosi aktuale
Sa i takon atij, Guillaume Poisson sheh në këto paqartësi njëfarë procesi evolutiv: “Liberalizmi nuk ka lindur sa hap e mbyll sytë; këta intelektualë nuk ishin as të majtë, as të djathtë, ata ushqeheshin nga ndikime të nduarndurshme dhe rrëmonin për të gjetur llojin më të mirë të qeverisjes”. I këtij mendimi ishte edhe Eric Rochat i cili mendon se liberalizmi është në ndryshim të vazhdueshëm e se pikërisht ky është thelbi i tij. Porosia e Constant dhe të tjerëve mbetet gjithashtu jashtëzakonisht aktuale, sipas Léonard Burnand i cili kujton që kriza sanitare ka ngritur seriozisht çështjen e të lirive themelore të individit dhe atë të ndërhyrjes së mundshme të shtetit në sferën private.
——————-
Benjamin Constant, par Léonard Burnand, chez Perrin.
Sismondi, les facettes d’une pensée, dirigé par Guillaume Poisson, Institut Benjamin Constant/UNIL – Société d’histoire de la Suisse romande.
La Régénération, le libéralisme à l’épreuve du pouvoir (1830-1847), Olivier Meuwly, Presses polytechniques et universitaires romandes, collection du Savoir suisse.
Charles Secrétan, une utopie libérale, Olivier Meuwly, Infolio, collection Presto.
Mais entrez donc!, Eric Rochat, éditions de l’Aire
E-Diaspora
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji Në një ceremoni homazhi në Gjenevë, të përgatitur nga familja dhe miqtë e dashamirët e tij,...
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
Jeta në Zvicër
-
Pronarët e shtëpive të dyta do të përballen me taksa më të larta Nëse keni një shtëpi të dytë në Zvicër (domethënë, një që nuk është vendbanimi juaj kryesor),...
-
Hotelet e Bazelit nuk duhet të rrisin shumë çmimin për shkak të Eurovizionit
-
Festivali Federal i Muzikës 2026 do të mbahet në Biel
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë