Lajme

Liberalizimi dhe migrimi, procese të ndara

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian thonë se liberalizimi i vizave nuk e ndal migrimin e kosovarëve, por zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës

Derisa përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës po e konsiderojnë liberalizimin e vizave si instrument për ndaljen e migrimit, në Bashkimin Evropian mendojnë të kundërtën. Ata thonë se liberalizimin e vizave nuk e ndal migrimin, por zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës.

Komisioneri i Bashkimit Evropian për politikë ndaj fqinjëve dhe për negociatat e zgjerimit, Johanes Hahn, ka thënë në Bruksel se nuk pajtohet me ata që mendojnë se liberalizimi i vizave me Kosovën do të ishte përgjigjja më e mirë për parandalimin e azilkërkuesve kosovarë në BE.

“Arsye kryesore pse njerëzit duan të emigrojnë është mungesa e perspektivës ekonomike, prandaj edhe zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të punës do të ishte përgjigjja më e mirë në këtë rast”, ka deklaruar Hahn në një takim me gazetarët nga rajoni në prag të nisjes së tij për vizitë në Maqedoni dhe Kosovë.

I pyetur se sa mund të ndikojë çështja e emigrimit ilegal të kosovarëve në procesin e dialogut të vizave, Hahn ka thënë se “këto dy gjëra nuk duhet ngatërruar”, citon Koha.

Ndryshe, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës thonë se migrimi masiv po vjen edhe si pasojë e izolimit të kosovarëve. Ata kanë kërkuar heqjen e vizave nga BE, në mënyrë që të kontrollohet lëvizja e qytetarëve.