Kultura
Libër që synon të vërtetën “e pakonvertuar”
Autori Sylejmani në librin “Vrasja e trefishtë” rrëfen ngjarjet pa i retushuar, pa i konvertuar në të sotmen, saktë dhe në mënyrë autentike
Vlerësimi i një kohe kur dëshmitarët e saj ende jetojnë, është gjithmonë delikat. Një mision të tillë, delikat, ka marrë përsipër edhe veprimtari i moçëm i çështjes shqiptare, Nuhi Sylejmani, njeriu nga rrethi më i ngushtë i bashkëpunëtorëve të Jusuf e Bardhosh Gërvallës. Ai ka shkruar librin dokumentar “Vrasja e trefishtë” që, duke u bazuar në dokumente autentike, trajton rrethanat e veprimit të vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës. Në një plan më të gjerë në libër pasqyrohen zhvillimet brenda mërgatës shqiptare në Gjermani e Zvicër në vitet 70 dhe 80 të shekullit të kaluar.
Libri “Vrasja e trefishtë” është promovuar të shtunën që shkoi, në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Bernë.
Folësi i parë, Faton Topalli, hapi promovimin duke përshëndetur në emër të organizatorit, Bashkësisë Shqiptare të Shafhauzenit dhe qendrës Pro Integra. Ai, në fjalën e tij, librin e vendosi në kontekstin e kohës që po jetojmë, kohë antagonizmash të shumtë, sipas tij. “Ky libër, edhe për shkak të kësaj kohe, fiton një rëndësi të veçantë. Ai është edhe një apel për dëshmitarët e kohë, që t’i shpalosin kujtimet e tyre, për të dhënë kështu një kontribut për brezat e ardhshëm dhe për historinë”.
Ndërsa referuesi Gani Bytyçi i bëri një analizë më të detajuar librit “Vrasje e trefishtë”. Pasi që autorin, Nuhi Sylejmanin, e cilëson si bashkëveprimtarin dhe njeriun më besnik të tre dëshmorëve, Bytyçi thotë se ky libër është një pjesë e jetës së Jusufit, Kadriut e Bardhoshit. “Nuhi Sylejmani nuk është shkrimtar, ngase ai nuk shkruan. Ai është dëshmitar që dëshmon. Ai është dëshmitar procesesh, ngjarjesh e rrethanash. Edhe pse Sylejmani rrëfen ngjarje nga një distancë kohore prej tri dekadash, ai ato i rrëfen ashtu siç kanë ndodhur, pa i ritushuar, pa i konvertuar në të sotmen, në mënyrë të saktë, autentike dhe të natyrshme”, ka thënë Bytyçi më tutje.
Muharrem Blakaj, redaktor i librit, në parathënien të cilën e lexoi para të pranishmëve, veç tjerash ka thënë: “Ky libër kujtimesh, i mbështetur me dokumente e fakte të kohës, vjen në një kohë kur rreth vrasjes tragjike të 17 janarit 1982 janë shkruar me dhjetëra libra, një pjesë e të cilëve në mënyrën më tendencioze e lëndojnë realitetin historik dhe e shtrembërojnë të vërtetën. Prandaj libri “vrasja e trefishtë” le të mbetet një pamje reale e atyre ngjarjeve të dhembshme të 17 janarit `82”.
Ibish Neziri, si redaktor gjuhësor i librit ka bërë po ashtu një vështrim të tij, duke u përqendruar në vlerësimin e kohës dhe njerëzve që janë objekt i librit. “Libri “Vrasja e trefishtë” ishte dashur t’u shërbejë njerëzve si shembull se si duhet shkruar kujtimet dhe se si kujtimet duhet te mbështeten me fakte”, ka thënë Neziri.
Autori Nuhi Sylejmani, në letrën e tij falënderuese të lexuar në këtë promovim, veç tjerash është shprehur: “Unë po ia besoj lexuesit vlerësimin e librit tim, por dëshira ime dhe e të gjithë bashkëkohësve të heronjve është që t’i nderojmë ata në mënyrën më të mirë që ata e meritojnë. Unë dhe të gjithë bashkëveprimtarët e asaj kohe, kurrë nuk do të ndjehemi mirë përderisa heronjtë janë të ndarë në pjesën e atdheut që e konsiderojmë të çliruar”.
Ndërsa Nysret Hajdari, bashkëpunëtor i vëllezërve Gërvalla dhe i autorit të librit në vështrimin që lexoi e konsideroi librin si brumë të mirë për institutet tona shkencore përkatëse. “Libri “Vrasja e trefishtë” ka një nivel dokumentar të organizimit, prandaj, është një ndihmesë e madhe për institutet tona shkencore,të cilat duhet të merren me ndriçimin e kësaj periudhe historike të luftës sonë”. Është edhe një dëshirë e atyre që e vazhduan rrugën e lirisë, ka shtuar z. Hajdari: “Që në mesin e Prishtinës të ngrihet monumenti që do ta nderonte luftën e Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit, monument që do ta nderonte përpjekjen tonë për krijimin e shtetit”.
Artana Bardhi, ministre këshilltare e Ambasadës së Kosovës në Bernë
Në cilësinë e nikoqires, organizatorët i ka përshëndetur Artana Bardhi, ministre-këshilltare në Ambasadën e Kosovës në Bernë. Ajo, duke përcjellë përshëndetjet e ambasadorit Naim Malaj, ka vlerësuar lartë rolin dhe sakrificën e mërgatës në të gjitha proceset e shtetformimit të Kosovës. Një pjesë e kësaj sakrifice, ka thënë ajo, dokumentohet edhe në librin që po promovojmë. Prandaj ky organizim është nder edhe për ambasadën e Kosovës, ka thënë znj. Bardhi.
Të tjera nga Kultura
E-Diaspora
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit Valdete Hoti dhe Shoqata “Parandalo”, të cilën ajo e drejton, dëshmojnë se edhe një iniciativë e...
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
Jeta në Zvicër
-
Zvicra ka indeksin më të ulët të mjerimit në botë Zvicra shënon një shkallë të ulët papunësie dhe një rritje shumë të ulët të çmimeve. Kjo...
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
Gjeneva aktivizon planin e saj të akomodimit emergjent
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik në Zvicër
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës