Integrimi
Leyla Ibrahimi-Salahi: “Puna që bëj, është para së gjithash pasion”
"Për mua, kjo që po bëj është gjithmonë edhe pasion. Nuk është se unë vij në zyrë, mbaroj punën, dal nga puna dhe shkyçem. Kjo nuk është e mundur për dikë që ka në pronë një ndërmarrje"
Kompetente, profesionale dhe ambicioze. Kështu pëlqejnë ta përshkruajnë partnerët e saj afaristë pronaren e Chair Airlines, Lejla Ibrahimi-Salahi. Në një bashkëbisedim personal, ajo na tregoi se si u bë njëra ndër sipërmarrëset më të suksesshme shqiptare të Zvicrës.
Albinfo.ch: Ju keni marrë përsipër biznesin e babait tuaj kur keni qenë vetëm 25 vjeçe. Me cilat sfida të mëdha jeni përballur në fillim?
Leyla Ibrahimi-Salahi: Kanë qenë në fakt tepër shumë. Për të pasur në përgjithësi një shans në konkurrencën e ashpër, ne na është dashur që në radhë të parë ta stabilizojmë ndërmarrjen tonë dhe që ta bëjmë atë para së gjithash të aftë për të ardhmen. Konkretisht kjo nënkupton krijimin e një strukture organizative më të “hollë” dhe investimin në fusha të reja. Duhej gjetur njerëz të mirë të rinj dhe duhej fituar besimin. Marrë në përgjithësi, ishte e domosdoshme që kompanisë t`i jepej një drejtim i ri. Dhe për të bërë këtë, kanë qenë të domosdoshme edhe ndarje të caktuara.
Në një intervistë ju keni thënë se fillimisht ju është dashur të pastronit, që d.m.th. të ndaheshit nga xhaxhallarët dhe kushërinjtë që ishin të përfshirë në kompani. A ishte e vështirë për ju si grua që të dëshmonit veten apo këtu luanin rol më tepër raportet familjare?
Kur merrni përsipër një ndërmarrje, duhet fillimisht gjithmonë të bëni pastrimin. Unë atëbotë nuk e kam shtruar pyetjen nëse kjo është më e vështirë për mua si grua. Për të sanuar një ndërmarrje dhe për ta bërë atë fitimprurëse pra, të suksesshme, kuptohet që duhet të merrni edhe vendime të vështira dhe të pakëndshme. Nuk ke si t`ia bësh ndryshe. Nëse nuk mund ta bësh këtë, ka shumë të ngjarë që nuk jeni në gjendje ta “drejtoni” një ndërmarrje fare. Të drejtoni do të thotë të përcaktoni drejtimin në të cilin do të shkoni. Prandaj për mua ka qenë një parakusht themelor që të krijoja raporte të qarta familjare. Sepse vetëm mbi një themel të qëndrueshëm ne mund të ndërtonim tutje. Dhe ai themel ende po qëndron.
Por ju keni thënë gjithashtu se jeni nënvlerësuar, Në ç`kuptim jeni nënvlerësuar?
Mbase në të gjitha.
Në kompetencat Tuaja si sipërmarrëse?
Babai im ka qenë një figurë e fuqishme drejtuese dhe të ecësh gjurmëve të tij ishte një sfidë e madhe. Caku që duhej arritur ishte i vendosur tepër lart. Të vazhdosh trashëgiminë e tij, për më tepër si grua e re, e brishtë, për shumëkënd ishte e paimagjinueshme. Nga ana tjetër, unë jam rritur me këtë biznes, ne në shtëpi, si të thuash, kemi marrë frymë me të. Prandaj unë si fëmijë dija shumë lidhur me punën. Veç kësaj unë në atë kohë kisha tashmë 4-5 vite që po punoja për të (babanë)dhe për këtë arsye e kisha idenë për atë që ndodhte. Dhe papritur, brenda natës, ra përgjegjësia mbi mua. Kjo pastaj ishte një tjetër gjë – dhe para së gjithash edhe një barrë e madhe.
Ju nga komuniteti shqiptar vazhdoni të perceptoheni si “e bija e Bexhet Sallahut”: A ishte kjo në fillimet tuaja si sipërmarrëse, rrethanë lehtësuese apo rënduese?
Me pëlqen gjithmonë ta dëgjoj këtë. Kjo është një pranim, një dëshmi se njerëzit nuk e kanë harruar atë. Dhe për mendimin tim, nuk duhet të harrojnë se çfarë ka bërë ai për vendin e tij.
Ai ka gëzuar një reputacion shumë të mirë. Prandaj, padyshim falë kësaj, mua më hapeshin atëbotë shumë dyer. Ai ka qenë dhe vazhdon të jetë një referencë. Dhe, sigurisht, ju jeni e bija e dikujt për një kohë të gjatë, derisa dikur te arrini ta bëni emrin tuaj. Kjo përfundimisht është një proces pjekurie drejt bërjes personalitet i mëvetësishëm.
Komunitetin shqiptar të biznesit vazhdojnë ta dominojnë meshkujt. E shihni funksionin Tuaj të një gruaje drejtuese si përparësi apo si pengesë?
E dini, unë thjesht e bëj punën time dhe ballafaqohem me sfidat që më dalin. Prandaj për mua kjo pyetje nuk shtrohet fare. Çdonjëri që drejton një ndërmarrje, qoftë burrë apo grua, duhet që me kohë të dëshmohet me rezultate. Dhe kush i përmbush detyrat e veta me kompetencë, do të merret seriozisht.
Partnerët tuaj afaristë ju përshkruajnë si grua kompetente dhe profesionale. A mjafton kjo për të qenë e suksesshme si sipërmarrëse apo mos nevojitet edhe një dozë shtesë diplomacie?
Po, edhe kjo sigurisht bën pjesë këtu. Por më e rëndësishmja është të jesh inovativ dhe t`u përmbahesh synimeve të tua. Të mos dorëzohesh dhe të planifikosh në mënyrë të qëndrueshme. Është tepër me rëndësi që të qëndrosh mbrapa secilit vendim tënd. Të paktën në atë moment kur e ke marrë vendimin. Sepse dihet, në retrospektivë gjithmonë bëhemi më të zgjuar.
A keni mundur të flini e qetë kur e keni marrë përsipër degën zvicerane të kompanisë Air Germania?
(Qeshet) Pyetje e mirë! Epo kam pasur disa net pa gjumë, por kjo duhet thjesht të merret me mend. Në këtë biznes është pothuajse normale që njëherë në çdo dy-tri vjet të kesh net të pagjumë. Kështu pohojnë shumë të tjerë që punojnë në këtë veprimtari.
Vetëm se ka qenë pa dyshim një detyrë gjigante! Kjo mund të përmendet lirisht. Me këtë, ne bëmë historinë në botën shqiptare. Dhe unë jam e bindur thellë se jemi duke ecur në drejtimin e duhur.
Tani, ka një vit që ju jeni pronare e Chair Airlines AG. Çfarë planesh keni për sipërmarrjen Tuaj?
Historia pothuajse po përsëritet ngapak. Edhe këtu ishte e domosdoshme që në radhë të parë të bëhet pastrimi, që CHAIR ta bëjmë të qëndrueshme dhe “fit”. Këtu përfshihej edhe investimi në sistemet më të reja dhe në softuer. Kjo është padyshim parakushti themelor që të mund të funksionosh me fitim. Që pastaj të mund të rritesh në mënyrë të qëndrueshme, por gjithmonë në varësi të kërkesave që ka tregu.
Ju, si njëra ndër sipërmarrëset më të suksesshme shqiptare në Zvicër, jeni bërë së fundi anëtare e jurisë për çmimin që SWISS-ALBS e jep për ndërmarrësi. Pyetja ime është: ku e shihni përfitimin nga rrjetëzimi i sipërmarrës/eve shqiptarë/e në Zvicër?
Përfitimi qëndron sigurisht në pasjen e qasjes mbi oferta të mira dhe profesionale, pasi që edhe “kimia” në të shumtën e këtyre rasteve funksionon. Ka shumë rëndësi të kesh qasje në një rrjet që është i besueshëm. Por parakusht për këtë është që këto kompani të jenë jashtëzakonisht të besueshme dhe të ofrojnë produkte të patëmetë. Kjo sepse në Zvicër kompromiset në dëm të cilësisë janë të paimagjinueshme. Dhe unë për fat kam parë se sipërmarrjet me sfond shqiptar e kanë kuptuar këtë formulë.
Ju përmendët disa kritere të rëndësishme për ndërmarrësinë e suksesshme. A keni këshilla të tjera që mund t`ua jepni sipërmarrësve të rinj?
Më e rëndësishmja për mua personalisht është që të besosh në atë që bën. Të kesh angazhim konstant, të jesh vazhdimisht inovativ dhe të operosh me vetëdijen për koston. Të ndërtosh dhe kultivosh një lidhje besnike me klientët respektivisht të mirëmbash kujdesin për ta. Të ndërtosh marrëdhënie korrekte dhe para së gjithash afatgjata biznesi. Dhe për fund: Të qëndrosh gjithnjë në rrjedhë.
Për mua, kjo që po bëj është gjithmonë edhe pasion. Nuk është se unë vij në zyrë, mbaroj punën, dal nga puna dhe shkyçem. Kjo nuk është e mundur për dikë që ka në pronë një ndërmarrje. Duhet të jesh i vetëdijshëm se do të kesh kërkesa nga të gjitha anët. Si nënë, si bashkëshorte, motër ose teze.
Me fjalë tjera: elasticiteti duhet të jetë padyshim njëra ndër pikat tuaja më të forta. Për të jetuar këtë jetë, duhet të bësh vazhdimisht kompromise. Duhet të llogarisësh në mbështetjen e familjes tënde. Vetëm atëherë funksionon.
Ky ka qenë vizioni i babait tim që nga themelimi
Ai dëshironte që kosovarëve që jetonin në Evropë t`u ofronte mundësi të lira, të sigurta dhe të besueshme të fluturimit për tek të afërmit e tyre në Kosovë dhe rrethinë. Dhe kjo vazhdon të jetë edhe aspirata jonë sot: t’u sigurojmë njerëzve një urë për në atdhe. Prandaj kjo është më shumë pasion, sesa punë. Njeriu jeton për atë që bën.
Intervista është realizuar nga Ermira Ljutvija
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
-
Maltina Jashari, garuesja e parë shqiptare në Formula
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?