Lajme

Von der Layen: Pritëm 4 vjet për këtë moment

Javën tjetër, Joe Biden do të jetë Presidenti i ri i SHBA-së. Shumë prej nesh kanë pritur për katër vjet këtë moment, tha ajo, duke shtuar se BE-ja do një fillim të ri në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara

Ursula von der Layen, presidentja e Komisionit Europian, mirëpriti faktin që të tre kandidatët për udhëheqjen e Partisë Demokristiane (CDU) janë “deklaruar evropianë”, transmeton albinfo.ch.

Po ashtu, Von der Layen, e cila i përket Partisë Demokristiane gjermane, në fjalimin e saj në hapjen e kongresit të CDU për zgjedhjen e pasardhësit të Angela Merkel vlerësoi kancelaren dhe qeverinë gjermane për kontributin e saj në muajt e fundit në presidencën e Këshillit të BE-së.

“Ne mund të shohim me të vërtetë se çfarë ofron Gjermania. Jemi më të fortë kur jemi të bashkuar“, tha Presidentja e Komisionit.

Gjatë fjalës së saj, ajo nuk kurseu edhe lëvdatat për presidentin e ri të SHBA-së, Joe Biden.

“Javën tjetër, Joe Biden do të jetë Presidenti i ri i SHBA-së. Shumë prej nesh kanë pritur për katër vjet për këtë moment“, tha ajo, duke shtuar se BE donte një fillim të ri në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë mbrojtjen e klimës.