Kosova

“Letra lejlekut”, një roman që pasuron letërsinë shqipe për të rinj

Gani Bytyçi i është paraqitur publikut letrar me një libër të ri. Në kapërcyellin në mes të dy viteve ka dalë nga shtypi romani i tij për të rinj, “Letra Lejlekut”

Gani Bytyçi, një krijues në fushën e letërsisë dhe pikturës, është një emër i njohur gjerësisht në komunitetin shqiptar të Zvicrës dhe më tutje, në Kosovë e Shqipëri. Ai është autor i disa librave me prozë dhe poezi, për fëmijë dhe të rritur si dhe ka prapa vetes një numër të konsiderueshëm ekspozitash personale të punimeve të tij në pikturë.

Së fundi, Gani Bytyçi i është paraqitur publikut letrar me një libër të ri, roman për të rinj dhe fëmijë. Në kapërcyell të dy viteve ka dalë nga shtypi romani i tij për të rinj “Letra Lejlekut”, (në botim të SHP Faik Konica), në Prishtinë. Duhet cekur se romani për të rinj dhe fëmijë është një “produkt deficitar”, fare pak i pranishëm në jetën tonë letrare dhe, së këndejmi, është për tu përshëndetur ardhja e këtij libri në duart e lexuesit tonë.

Romani i sapobotuar ka ngjallur tashmë një interesim të publikut dashamirës të letërsisë si dhe të kritikës letrare. Kështu, shkrimtari, studiuesi dhe kritiku i njohur letrar Anton N. Berisha, në parathënien e tij për librin, veç tjerash shkruan: “…me romanin “Letra Lejlekut” ai dëshmon aftësinë të përftojë vepra, që jo vetëm shprehin botën e ndërliqshme të fëmijëve, po dhe zgjojnë interesimin tek ata. Në këtë roman për fëmijë e të rinj, Gani Bytyçi, bën objekt artistik shqetësimin, frikën, ankthin dhe dramën e luftës të perceptuar nga një vogëlushe tetëvjeçare.

Nëpërmjet 19 letrave, të cilat vogëlushja ia drejton lejlekut të saj, autori shpreh absurdin dhe tragjiken e luftës për botën e çiltër të fëmijëve dhe traumën që ajo u shkakton atyre në rrafshin shpirtëror dhe mendor. (…) Gjithë këtë, autori e shpreh përmes një rrëfimi të veçantë, të menduar dhe tërheqës.

Një vështrim për librin e ka realizuar edhe MIrela Duka-Xoxi. Sipas saj “romani “Letra Lejlekut”, i autorit Gani Bytyçi është një rrëfim psikologjik i frikës e i ankthit, që i shkakton lufta dhe i tronditjes e traumës, që ajo i lë pas tek njerëzit përgjithësisht dhe tek fëmijët veçanërisht. Libri është rrëfim i dramës dhe tragjikes së njeriut nga pasojat e luftës, e vështruar në rrafshin psikologjik dhe e shprehur në mënyrë letrare, me një ndërthurje të shkëlqyer të fiksionit dhe realitetit. Autori, gjatë gjithë rrëfimit, percepton dhe mendon me logjikën e fëmijëve e të rinjve, ndien me shpirtin dhe shprehet me gjuhën e tyre…”. „Letra Lejlekut“ është roman me temë të veçantë, me rrëfim letrar të rrallë dhe me mënyrën e të shprehurit estetik të shkëlqyer. Si i tillë, ky libër me vlera të veçanta letrare, estetike, historike dhe edukative e pasuron fondin letrar për fëmijë e të rinj”, shkruan veç tjerash Mirela Duka-Xoxi.

Një vështrim më të gjatë rreth librit “Letra Lejlekut” ka shkruar studiuesi letrar Sulejman Salihu. Ai, në shkrimin e tij ka vënë në pah vlerat ideoestetike të romanit dhe e ka përkufizuar atë si një roman epistolar.

“Kam në dorë librin e sapobotuar të Gani Bytyçit “Letra Lejlekut”. Është një roman për fëmijë, i shkruar në formë letrash, domethënë një roman epistolar. Në letërsinë shqipe dhe në letërsinë botërore nuk janë të panjohura romanet e shkruara në formë letrash, që përçojnë ide, mesazhe, vlera dhe emocione. (…). Libri “Letra Lejlekut”, ndonëse i shkruar pas një çerekshekulli të mbarimit të luftës, trajton temën e luftës. Por jo vetëm të luftës, sepse pas lufte vjen liria, tema më universale njerëzore, për të cilën luftohet. Por ky shkrim për luftën nuk është një shkrim diskursiv, por një shkrim imagjinar, madje i shkruar nga një distancë kohore, ku gjurmët e luftës nuk janë më: as shtëpitë e rrënuara e të djegura, por në vend të tyre janë varrezat dhe përmendoret e dëshmorëve të lirisë. Lulja, personazhi dhe autorja e letrave, i shkruan Lejlekut të saj nëntëmbëdhjetë letra, në kohë të lufte, atëherë, kur tashmë ajo nuk ishte në fshat, sepse bashkë me të vëllain dhe me nënën e gjyshen, ishin larguar nga lufta, kurse babai ishte në vijat e frontit në radhët e UÇK-së”.

Duke ju qasur simbolikës që bart lejleku në këtë roman, autori i vështrimit bën një analogji me Lejlekun e përdorur në mënyrë të ngjashme nga rilindësi i madh, Ndre Mjeda, në poezitë e tij ku bën fjalë për malli  për vendlindjen.

Rrëfimi për luftën, pa e parë luftën, por duke i shpërfaqur pasojat e saj, duke i dëgjuar të tjerët teksa flasin për disa njerëz me uniforma të zeza, që bëjnë edhe punë të zeza, që mund të thuhet se jetët e njerëzve i shndërrojnë në vdekje…”.

Autori , që edhe përpara ka shkruar letërsi për fëmijë, e njeh psikologjinë e fëmijëve dhe edhe rrëfimin, edhe tekstin ia përshtatë moshës së tyre, që të mund ta kuptojnë dhe njëherazi edhe ta shijojnë porosinë dhe mesazhin”, shkruan veç tjerash Syljman Salihu.

Libri është botuar nga SHB “Faik Konica”, me redaktor Anton N. Berishën, korrektore gjuhësore e librit është Mirela Duka ndërsa autor i dizajnit dhe përgatitjes teknike është Fahredin Spahija. Ilustrimin e ballinës e ka bërë piktori Demush R. Avdimetaj. Botimin e librit e ka mbështetur Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës.