Zhvillim
Letër të hapur popullit tim: “Si populli, ashtu qeveria – si qeveria, populli” *
Në vend të urimit për vitin e Ri 2016
E kam dëgjuar me qindra herë “Secili popull udhëhiqet nga qeveria, të cilën e meriton”, por thënë sinqerisht, nuk jam përpjekur sa duhet që ta di se kush e kishte thënë këtë, për t’i thënë i lumtë, ose ju thaftë goja. I lumtë, sepse e ka qëlluar. Ju thaftë goja, sepse u rrita e po plakem me dëshirën që të mos jetë ashtu.
Edhe pse do të mjaftonin këto reshta, për ta kuptuar shkakun, arsyen dhe dëshirën e madhe, përse do të doja të mos ishte ashtu, do t’i jap të drejtë vetes që raportin e ndërsjellë popull-qeveri-popull ta trajtoj më gjatë, më gjerë e më thellë, sepse nga ato që i përjetuam me vjet, po del që thënia e mësipërme të jetë më se e vërtetë.
Meqë është kështu, vendosa mos ta ngushëlloj më veten- do të bëhet mirë, e mos të lutem më si zakonisht- insha-Allah bëhet mirë. Vendosa ta braktisi shpresën vetë-ngushëlluese dhe mos ta praktikoj lutjen e zakonshme, sepse nuk po e ndjej, e nuk po e shoh, që do të bëhet më mirë. Për fatin e keq të gjeneratave të tashme e të ardhshme, nuk duket në horizont kurrfarë ndryshimi. Kur ndryshimi vonon, koha dhe të mashtruarit, të pakënaqurit, të zhgënjyerit, të pashpresët, të harruarit, të varfëruarit e të uriturit mallkojnë. E kur këta mallkojnë, Zoti nuk përton, dënon! Që dënimi mos të jetë edhe më i rëndë, edhe më joshës për zullumqarët, jam lutur me përgjërim, kam kërkuar dhe do të kërkoj vazhdimisht me përkushtim që populli im të ndryshojë. Po, të ndryshojë, që edhe Zoti të na ndihmojë të ndryshojmë, sepse kështu më nuk bën. Nuk bën pra, sepse është e padurueshme që për shkak të qëndrimit, sjelljes dhe veprimeve të bashkëkombësve tu, të jesh vëzhgues, dëshmitar e përjetues i triumfit të së keqes mbi të mirën, të së shtrembëtës mbi të drejtën, të rrenës mbi të vërtetën, jovlerës mbi vlerën, të hipokrizisë mbi çiltërsinë, të të fortit mbi të pambrojturin, të keqit mbi të mirin, dembelit mbi punëtorin, koprracisë mbi bujarinë, vjedhjes mbi zellshmërinë, korrupsionit mbi ndershmërinë, ashpërsisë mbi urtësinë, mendjemadhësisë mbi modestinë, formalitetit mbi përkushtimin, kamuflimit mbi korrektësinë etj. etj. I zhgënjyer nga të gjitha këto, vendosa që lutjen time përgjërues dhe kërkesën time dashamirëse për ndryshim ta bëj në bazë të udhëzimit të të gjithëfuqishmit “Kërkomë e më bind, që të ta jap atë që dëshiron e meriton”.
I bindur thellë në këtë, kam vendosur, që në vend të qortimit e mallkimit, ta ftoj popullin tim për meditim, reflektim e kthjellim, sepse baza e përmirësimit të një gjendjeje është te vullneti dhe forca e kërkimit të ndryshimit, te forca e besimit dhe e bashkimit. Nuk e ka thënë kot i madhi Zot “Ndrysho veten, që ta ndryshosh gjendjen, e nëse ke nevojë për ndihmë, kërkomë!”.
Meqë vitet po kalojnë, e në ndërveprimin popull-qeveri-popull asgjë nuk ndryshon, vendosa t’ia shkruaj këtë letër të hapur popullit tim, i cili si në Maqedoninë Shqiptare, ashtu edhe në Kosovë e Shqipëri kërkon zgjedhje të parakohshme, që t’ia rikujtojë se ka qenë Graf Joseph Marie de Maistre (1753-1821) shkrimtari, filozofi dhe diplomati francez, i cili në letrën e tij të shkruar më 15 gusht 1811, në kuptimin „Si populli, ashtu qeveria” patë thënë me të drejtë: „Secili popull udhëhiqet nga qeveria që e meriton“.
Meqë për fat të keq, për ndonjë popull për fat të mirë, kjo thënie vlen për të gjitha kohërat, vendosa t’i them popullit tim kujdes. Mos e nënçmo e mos e dëno veten, duke votuar dosido e gjithkënd! Mos lejo që për shkak të pakujdesit tënd të të udhëheqin qeveri pa dinjitet e kredibilitet.
Për sa i përket raportit popull dhe udhëheqës, votues dhe të votuar, profeti Muhamed a.s thotë në një hadith të mrekullueshëm, kështu: “Më i miri udhëheqës është ai, të cilin e doni e ju do, luteni për të dhe ai për ju, kurse udhëheqësi i keq është ai, të cilin nuk e doni dhe nuk ju do.”
* Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion shprehin mendimet e autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë.
Në vijim, ju mund të shkarkoni versionin e gjatë të këtij shkrimi.
Letër e hapur - versioni i gjatë
Shkarko DokumentinE-Diaspora
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga Ylli shqiptar i Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, ka përfunduar si pjesë e formacionit më të mirë...
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?