Gruaja

“Leonora EM” ndjek ëndrrën e saj për fotografinë artistike në Zvicër

 E njohur me emrin artistik në fotografi si “Leonora EM” Leonora Elshani-Murati po bën emër në qarqet artistike zvicerane me fotografitë e saj. Fotografitë e saj mund t'i shihni në ekpozitën e hapur në Embrach nga 7 shtatori deri më 9 shtator.

Është lindur dhe rritur në Kosovë. Fakultetin e Arteve, dega dizajn grafik e ka përfunduar në Prishtinë. Për dy vite e ka ushtruar këtë profesion në Prishtinë. Tash e nëntë vite ajo jeton në Zvicër, ku përveç me dizajn, merret edhe me fotografi dhe pikturë abstrakte. Kjo është Leonora Elshani –  Murati e njohur me emrin artistik në fotografi si Leonora EM e cila po bën emër në qarqet artistike zvicerane me fotografitë e saj magjike.

Pasioni i Leonora EM për fotografi ka filluar nga koha e studimeve, ku fotografinë e ka pasur lëndë obligative. Duke e përdorur foto kamerën e fakultetit, ajo filloi të fotografonte për tema të ndryshme që ua caktonte profesori. Kështu, me kohë ajo mësoi shumë gjëra dhe fotografia u bë pjesë e rëndësishme e jetës së saj.

“Fotoaparati im është miku im më i ngushtë. Me të jam i shoqëruar kudo. Unë, me dëshirë fotografoj fëmijë, portrete, natyrën, makro, e po ashtu edhe gjatë natës me kohë  të gjatë (long exposure), ky është edhe fokusi im në të ardhmen për fotografinë”, thotë Leonora për “albinfo.ch”.

Arti për të është qetësim shpirti

Dëshira e saj për artin, vullneti dhe përkushtimi i madh janë faktorët kryesorë që Leonora të ndjek këtë drejtim të fotografisë. Arti për të është qetësim i shpirtit sepse artisti çdoherë krijon diçka të re nga imagjinata dhe ndjenjat e tij.

“Gjëja më e mirë e të qenit fotografe është fakti se të jep frymëzim të fotografosh çdoherë diçka të re dhe më ndryshe, lidhesh emocionalisht me ngjarjet apo momentet e caktuara, të intereson dhe studion çdo detaj të natyrës, lëvizjeve etj. Syri e vëren çdoherë atë më të bukurën dhe shpreh dëshirën që kjo në çdo moment të ruhet dhe të kujtohet gjatë jetës” nënvizon ajo.

Vlerësohet për krijimet e saj

Punën artistike të saj, të ndryshme nga të tjerët e bën thjeshtësia dhe përpikëshmeria, dhe kjo duke u bazuar nga shumë komente të artistëve të ndryshëm që kanë vlerësuar krijimet e saj.

Në fakt, dy vitet e fundit i kanë sjellë shumë fat në punën e saj. Leonora e cila është nënë e dy fëmijëve i ka pasur dy ekspozita në Zvicër. “Njëra ka qenë ekspozitë kolektive, ndërsa tjetra personale, e cila është ende e hapur. Punimet me të cilat jam prezantuar janë peizazhe, makro, natyrë dhe piktura abstrakte”, tregon ajo për për albinfo.ch. Por jo vetëm kaq, fotografja Elshani – Murati në tetor të këtij viti do të prezantohet edhe me një ekspozitë tjetër në kantonin e Cyrihut për të vazhduar më pas edhe me ekspozita të tjera.

Së shpejti do t`i ekpozojë edhe bukuritë e Kosovës

Fotografitë e Leonorës të cilat venë në në pah bukuritë e vendeve të ndryshme të Zvicrës, kanë tërhequr edhe vëmendjen e artdashësve zviceranë. Ndërkaq, në fotografitë që Leonora ka prezantuar deri më tash, ende nuk kemi parë fotografi nga bukuritë e Kosovës. Por, ajo na premton se do t’i shohim shumë shpejt.

“Edhe bukuritë e Kosovës shpresoj që do t`i shihni së shpejti nga unë. Këtë e kisha në plan edhe më herët mirëpo, për shkak të angazhimeve të shumta dhe të kohës së pamjaftueshme gjatë pushimeve në Kosovë, ishte e pamundur të realizoja një gjë të tillë. Megjithatë shpresoj që do të bëj diçka të veçantë e cila do të jetë një surprizë për shqiptarët që jetojnë në Zvicër”, thotë ajo duke na lënë kurreshtarë për projektin e saj.

Duhet ndjekur ëndrrën tënde me këmbëngulje

Puna e fotografëve shpeshherë konsiderohet si hobi, madje nuk përfitojnë asgjë materiale. Por, a mund të jetohet prej punës si fotografe profesionale në Zvicër? Për këtë na përgjigjet Leonora: “Në qoftë se njeriu di ta gjejë veten si duhet, i kushton rëndësi, punë dhe përkushtim, natyrisht që mund të jetohet prej çfarëdo pune, e pse jo edhe prej fotografisë. Çdo fillim ka vështirësitë e veta, por njeriu nuk duhet të dorëzohet, duhet të jetë këmbëngulës për atë që i fle në zemër”.

Ajo i është mirënjohëse shtetit zviceran për mundësitë që ia jep për të ushtruar këtë profesion duke e përkrahur për të ndjekur ëndrrën e saj.

Leonora tashmë posedon aparaturë profesionale dhe është në përpunim të studios së saj. Falë punës dhe angazhimeve që ka, studioja e re do t`i japë më shumë mundësi dhe lehtësim të ushtrojë profesionin si dizajnere por edhe si fotografe profesionale.

Fotografitë e saj mund t’i shihni në ekpozitën e hapur në Embrach nga 7 shtatori deri më 9 shtator.