Lajme

Lehtësimi i kufizimeve, kërkesa për certifikatën e vaksinimit në Francë

Franca po bëhet gati për fazën e ardhshme të lehtësimit të masave, me shtetrrethimin e orëve të natës që do të shtyhet nga ora 21:00 në 23:00 nga 9 qershori.

Restorantet dhe baret do t’u shërbejnë gjithashtu klientëve në ambientet e brendshme, ndërsa do të hapen dhe palestrat.

“Për një kohë të gjatë ndiejmë një padrejtësi, na u duk sikur na lanë në harresë, sepse u fol shumë për restorantet dhe u neglizhuan palestrat. Ndaj, tani shpresojmë të mund të hapemi sërish dhe të mos përballemi me një rikonfigurim ose një mbyllje të re”, thotë Hakim Chelfaoui, menaxher palestre.

Vendi po merr pjesë në një projekt pilot përpara se pasaporta e COVID të përhapet në gjithë Bashkimin Evropian nga 1 korriku.

Certifikata saktëson: nëse një individ është vaksinuar, është rikuperuar nga koronavirusi në 6 muajt e fundit, ose ka një test të vlefshëm negativ, atëherë mund ta ketë atë.