Integrimi

Lehtësime për të huajt pa leje qendrimi në Gjermani

Qeveria gjermane duket se kërkon tani të zbatojë shpejt reformat për të drejtën e të huajve.

Fjala është për trajtimin e të huajve të cilët qendrojnë në Gjermani pa leje.

Me anë të një projektligji të Ministrisë së Brendshme garantohet e drejta qendrimi në rastet e “integrimit të vazhdueshëm”.

Projektligji, siç u bë e ditur nga mediat gjermane, do të ketë edhe një sërë kushtesh që lidhen me dhënien e lejes së qendrimit: personat duhet të jenë prej tetë vitesh në Gjermani, të mund ta përballojnë vetë jetesën dhe të flasin mjaftueshëm mirë gjermanisht. Për prindërit mjafton të kenë kaluar gjashtë vjet në Gjermani.

Ndër kushtet bën pjesë edhe pranimi i sistemit politik të Republikës Federale dhe respektimi i ligjeve.

Edhe ardhja në Gjermani e familjarëve të refugjatëve, që plotësojnë këto kushte, mund të lehtësohet. Ligji për shumë të huaj pa leje qendrimi përbën megjithatë një ashpërsim të ndjeshëm të situatës së tyre. Veçanërisht atëherë kur nuk kanë qendrim bashkëpunues apo kanë shkelur ligjet.

Shumë prej tyre e kundërshtojë dëbimin nga Gjermania duke fshehur identitetin e tyre. Në këto raste autoritetet kanë të drejtë të kontrollojnë llogaritë e postës elektronike, telefonët mobilë apo të dhënat në kompjuter, për të zbuluar identitetin e vërtetë të refugjatit.

Për refugjatët që kanë tashmë të drejtë qendrimi, do të bëhet më i lehtë dëbimi nëse për p.sh. ndaj tyre është dhënë një masë dënimi me heqje lirie ose për të rinjtë, prej të paktën një viti, apo kur klasifikohen si rrezik shtetëror.

Aktualisht në Gjermani janë rreth 150 mijë të huaj pa një leje të vlefshme qendrimi.

Rreth 30 mijë njerëz të këtij grupi janë prej më shumë se tetë vjetësh në Gjermani dhe mund të përfitonin nga rregulli i ri, me kusht që të plotësojnë katalogun e gjatë të kritereve.

Se sa është numri i atyre që do të preken nga paragrafët e ashpërsuar të ligjit, është e paqartë.

Projektligji i qeverisë gjermane nisi në sfondin e numrit në rritje të refugjatëve.

Këtë vit në Gjermani kanë ardhur 140.000 refugjatë.

Problematika e hyrjes së ligjshme është edhe për UNHCR shkak për shqetësim.

Në një deklaratë të saj organizata e OKB-së paralajmëron për një shtim masiv të burgosjeve të refugjatëve.