Kosova

LDK: “Mërgata, pjesë thelbësore e vizionit tonë për Kosovën e Re”

Kryetari i LDK-së, Abdixhiku ka krijuar një ekip politik të dedikuar për diasporën, që drejtohet nga vetë ai me një grup bashkëpunëtorësh të angazhuar

Që nga shkurti i vitit 2021, kur Kosova përfundoi procesin e fundit zgjedhor parlamentar dhe diaspora përbënte 5% të numrit të përgjthshëm të votuesve, e kur u kuptua që përfaqësonte 10% të votave të partisë fituese Vetëvendosjes së Albin Kurtit, të gjitha partitë politike në vend kanë kthyer sytë drejt diasporës shqiptare në mbarë botën.

Një qasje të tillë ka ndërmarrë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ështe partia më e vjetër në vend, e qe në ato zgjedhje u rendit si e treta me vetëm 17 vende në parlamentin e Kosovës.

Me ardhjen e lidershipit të ri, LDK ka vendosur të fokusohet sërish te diaspora, një komunitet që ka rrënjë të thella në historinë e partisë dhe u krijua kryesisht nga vetë themeluesit e LDK-së gjatë viteve ’90, kur për shkak të represionit serb, shumë prej tyre u detyruan të largohen nga Kosova për të vazhduar aktivitetin politik për të drejtat e shqiptarëve, nga mërgimi.

Anton Çuni, përfaqësues i LDK-së, në një intervistë për albinfo.ch, ka theksuar se me ardhjen e kryetarit të ri, Lumir Abdixhiku, objektivi kryesor ka qenë rikthimi i LDK-së në pozicionin dhe rolin e saj historik, siç ishte konceptuar nga vet presidenti Ibrahim Rugova.

Çuni, i cili kishte braktisur jetën e tij në Zvicër për të ju bashkuar strukturave ushtarake të FARK-ut ne luftën e Kosovës, nënvizoi se ky rikthim përfshin ripërtëritjen e lidhjeve të fuqishme me diasporën shqiptare, të cilën Rugova e kishte ndërtuar si një urë komunikimi dhe bashkëpunimi. Abdixhiku, sipas Çunit, ka marrë hapa të rëndësishëm për të rivendosur këtë marrëdhënie dhe për ta bërë diasporën pjesë të pandashme të zhvillimit politik të LDK-së dhe të Kosovës në tërësi.

Për të forcuar lidhjet me mërgatën, kryetari Abdixhiku ka krijuar një ekip politik të dedikuar për diasporën, që drejtohet nga vetë ai me një grup bashkëpunëtorësh të angazhuar. Deri tani, ky ekip ka ngritur struktura të reja në 13 degë dhe 72 nëndegë në shtete të ndryshme evropiane, duke dëshmuar përkushtimin e LDK-së për t’u afruar me bashkatdhetarët në mërgim.

Lidhja Demokratike e Kosovës sipas Çunit është afër përfundimit të themelimit të Forumit të Gruas dhe Forumit të Rinisë të LDK-së në diasporë, dhe gjithashtu po punojnë për riaktivizimin e strukturave të LDK-së në SHBA, ku vërehet një gatishmëri e lartë për riangazhim dhe për të rikthyer lidhjet me “shtëpinë e tyre”, LDK-në.

Sipas LDK-së  mërgimtarët shqiptarë gjithmonë kanë qenë një faktor kyç në zhvillimin e Kosovës dhe ndikimi i tyre është jetik. Programi qeverisës i LDK-së, i quajtur “Rruga e Re,” synon që diaspora të ketë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e vendit, duke u përqendruar në projekte konkrete zhvillimore që krijojnë një mjedis të favorshëm për investime nga diaspora. Për të garantuar përfshirjen e diasporës në vendimmarrjen e Kosovës, LDK ka rezervuar pesë vende për kandidatë nga diaspora në listën për deputetë të Kuvendit, ndërsa në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, diaspora përfaqësohet me shtatë delegatë, duke e siguruar kështu përfshirjen e saj të përhershme në rrugëtimin politik të partisë.

Çuni shprehu besimin se mbështetja e diasporës për LDK-në po rritet dhe se ky besim do të shndërrohet në mbështetje të fuqishme për partinë në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke kontribuar në rikthimin e LDK-së në pozicionin që i takon si një prej partive më të rëndësishme në vend.

Në zgjedhjet e fundit lokale, LDK kishte hapur dyert për mërgatën duke nominuar Përparim Ramën, i cili kishte ardhur nga diaspora, konkretisht nga Londra, për postin e kryetarit të Prishtinës. Rama arriti jo vetëm të fitojë besimin e qytetarëve, por edhe të rikthejë LDK-në në kryeqytet, një sukses ky që dëshmon ndikimin e mërgatës dhe të profesionistëve shqiptarë të angazhuar jashtë vendit. Përmes kësaj, LDK synon që të përfshirë talentet dhe përvojat më të mira të diasporës në zhvillimin politik dhe shoqëror të Kosovë.

“Hapa të fuqizimit të LDK-së në diasporë”

 Lidhja Demokratike e Kosovës sipas Çunit është afër përfundimit të themelimit të Forumit të Gruas dhe Forumit të Rinisë të LDK-së në diasporë, dhe gjithashtu po punojnë për riaktivizimin e strukturave të LDK-së në SHBA, ku vërehet një gatishmëri e lartë për riangazhim dhe për të rikthyer lidhjet me “shtëpinë e tyre”, LDK-në.