Lajme

LDK filloi riorganizimin e degëve dhe nëndegëve në Austri

Në këtë takim u formua një këshill punues prej afër 20 personave të cilët do të punojnë që sa më shpejt të caktojnë datën për mbajtjen e zgjedhjeve për formimin e strukturave të degëve dhe nëndegëve të LDK-së në Austri

Lidhja Demokratike e Kosovës – dega në Austri, ka mbajtur të shtunën në Vjenë një tubim me anëtarët dhe simpatizantët, në funksion të riorganizimit të degëve dhe nëndegëve të saj. I pranishëm në këtë manifestim ishte edhe deputeti i parlamentit të Kosovës dhe njëherësh nënkryetar i LDK-së, z.Anton Quni.

Hapjen e këtij takimi e bëri organizatori Yll Blakaj i cili foli për qëllimin e këtij tubimi dhe procedurat për themelimin e një këshilli punues. Më pas folën edhe ish-drejtues të degëve dhe nëndegëve të LDK-së në Austri si: Ibish Rugova, Miftar Berisha dhe Mehdi Prushi etj, ndërkohë përmes një video mesazhi, takimin e përshëndeti edhe eurodeputeti austriak, Lukas Mandl.

Nënkryetari i LDK-së, Anton Quni, gjatë fjalimit të tij, ishte i befasuar me numrin e madh që kishin ardhur në këtë takim, duke menduar se ai do të takohej me një grup të vogël punues.

“Ka ditë e javë që jemi në kontakt të drejtpërdrejt me Yll Blakajn. Kur u dakorduam që të mbanim këtë takim, kisha përshtypjen se takimi do të jemi një grup i vogël me ish drejtuesit e degëve, nëndegëve e LDK-së me 10- 15 persona, por nuk e kisha menduar që sonte të mblidhemi mbi 100 burra dhe gra, anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së që ju falënderoj që keni ndarë kohën që të bashkëbisedojmë për riorganizimin dhe riaktivizimin e LDK-së në Austri” tha ai.

Deputeti Quni theksoi se në një etapë kohore kur LDK ishte pasive në diasporë, kjo u shfrytëzua shumë mirë nga kundërshtarët politikë, por me ardhjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, gjërat kanë ndryshuar për të mirë.

“Me zgjedhjet e fundit në LDK, nga momenti i Kuvendit të jashtëzakonshëm kur për kryetar u zgjodh z. Dr. Lumir Abdixhiku, këto çështje janë studiuar dhe analizuar mirë. Janë hartuar plane dhe projekte të ndara në procese që ato ura të komunikimit që ndërkohë janë shkëputur të rindërtohen, ndërsa të ndërtojmë ura të reja aty ku mendojmë që duhet të fillojmë nga zero”.

Ai shtoi se rruga e nisur e këtyre proceseve nuk do të jetë e lehtë por është i vetishëm që ata të cilët marrin përgjegjësi, i pret një punë e madhe.

Sipas tij formimi i këtij këshilli punuese do i paraprirë për formimin e strukturave dhe kuvendit të degës dhe nëndegëve të LDK-së në gjithë territorin e Austrisë, ku do të zgjidhet kryetari, nënkryetari dhe forumet përkatëse dhe sa më shpejtë të kapin hapin që të bëhen pjesë e vendimmarrjes.

“Të bëheni pjesë e vendimmarrjes do të thotë ju duhet ta keni një delegatë tuajin i cili do të jetë një përfaqësues i juaj në të gjitha strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës në qendër, pse jo në të ardhmen të jetë edhe një ndër kandidatët për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës”

Më pas, gjatë këtij takimi, u formua një këshill punues prej afër 20 personave të cilët do të punojnë që sa më shpejt të caktojnë datën për mbajtjen e zgjedhjeve për formimin e strukturave të degëve dhe nëndegëve të LDK-së në Austri.

Pas formimit të këtij këshilli punues, Yll Blakaj për albinfo.at, theksoi. “Ishte një iniciativë e duhur, ndoshta paksa e vonuar sepse ka qenë dasht të organizohet shumë më herët. Sot, u formua një këshill punues i cili do të merret me riorganizimin e nëndegëve, zgjedhjen e delegatëve, i cili do ta merr përsipër edhe organizimin e kuvendit të përgjithshëm të LDK-së në Austri që shpresohet të  mbahet brenda pak kohësh”, theksoi ai.

Blakaj shtoi se, LDK është parti shtet formuese dhe është e vetmja parti që është e degëzuar, ka demokraci të brendshme, lejohet diskutimi, mendimet ndryshe dhe zgjedhjet mbahen të pavarura, në mënyrë të lirë dhe demokratike.

“Ne sot vërejtëm një vullnet të madh të rinjve dhe rejave, persona me kredibilitet dhe të shkolluar në Austri të cilët shprehen dëshirën në mënyrë vullnetarë të marrin përgjegjësitë mbi vete për organizimin e kuvendit zgjedhor.  Jam i bindur që ditën e zgjedhjeve të kuvendit, do të këtë një numër edhe më të madh të simpatizantëve të LDK-së në Austri”, përfundoi ai.