Lajme

LDK: deri në zgjedhje të reja, me qeveri teknike

Duke i quajtur zgjedhjet e 12 dhjetorit të parregullta, LDK-ja kërkon një proces të ri zgjedhor në Kosovë, gjatë vjeshtës së ardhshme

 

Formimi i një qeverie teknike deri në organizimin e zgjedhjeve të reja të parakohshme është “plani B” i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në rast se partia e parë, që doli sipas rezultatit preliminar, dështon të formojë qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Arben Gashi, thotë se legjitimiteti demokratik i këtyre zgjedhjeve është i dëmtuar. Sipas tij, në këso situate, LDK-ja, qoftë partia e parë apo e dyta, nuk do ta merrte përsipër nismën për formimin e qeverisë së re.

Duke i cilësuar zgjedhjet e 12 dhjetorit të parregullta, LDK-ja thotë se nuk i beson rezultatit të tyre dhe kërkon një proces të ri zgjedhor në Kosovë, gjatë vjeshtës së ardhshme.

“Zgjidhja do të ishte që të formohet një qeveri teknike, me një bazë të gjerë… Të merret vullneti politik nga të gjitha partitë politike që të shkohet në zgjedhje të reja në një afat optimal prej 6, 7 apo 9 muajsh, derisa të përgatiten zgjedhjet mirë. Pra, të jemi në gjendje që diku në fillim apo fund të muajit shtator, të kemi zgjedhje, të cilat do të ishin shprehje e vullnetit të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Gashi.

“Në të këtë mënyrë, ne do të krijonim kushte që të kemi një përfaqësim më të mirë të vullnetit të qytetarëve të Kosovës”, thotë Gashi.