Shqipëria

Largohen studentët nga Shqipëria, “sytë nga vendet e BE-së”

Sipas statistikave, në vitin 2021, në auditorë ka rreth 124 mijë studentë, sipas të dhënave që janë bërë publike nga INSTAT, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se ky është numri më i ulët i studentëve, të paktën që prej vitit 2017, kur raportohen të dhënat. Numri i tyre është 5% më pak se në 2020-n. Ndërsa në krahasim me vitin 2017, në banka ka 12% më pak studentë.

Tkurrja e numrit të studentëve reflekton tri dukuri kryesore. Së pari, rënien e numrit të lindjeve dhe plakjen graduale të popullsisë. Së dyti, nivelin e lartë të emigracionit, sidomos tek të rinjtë. Të dhënat e Eurostat bënë të ditur se në periudhën 2019-2020, rreth 23% e aplikimeve totale për azil ishin nga grup mosha deri në 14 vjeç. Së treti, vitet e fundit shumë studentë zgjedhin që të ndjekin studimet e larta jashtë vendit.

Arsimi publik vijon të tërheqë pjesën më të madhe të studentëve. Rreth 97.4 mijë të rinj ndjekin shkollën në një prej universiteteve publike, ose gati 79% e totalit. Megjithatë, numri i tyre ra me rreth 7.1% në 2021, në krahasim me vitin e mëparshëm.

Në universitetet private janë të regjistruar 26.4 mijë studentë. Ndryshe nga publiku, numri i tyre shënoi një rritje të lehtë me gati 4% këtë vit. Dekanët e universiteteve private pohojnë se këta të fundit kanë përfituar nga mbyllja që u shkaktua nga pandemia, për shkak se studentët nuk kanë arritur të ikin jashtë dhe për rrjedhojë kanë zgjedhur të regjistrohet në universitetet publike shqiptare.

Universitetet publike

Universiteti i Tiranës ka numrin më të madh të studentëve nga publiku, me 27% të totalit. Ky universitet pa një rënie me gati 8% të të regjistruarve në 2021, në raport me vitin e mëparshëm.

I dyti më i madh është Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, me 20% të totalit në publik. Ky universitet është bërë i preferuar vitet e fundit, pasi pa rritjen më të lartë të regjistrimeve në 2021, me rreth 5%.

Përveç Durrësit, Fakulteti i Mjekësisë ishte i vetmi që shënoi rritje të regjistrimeve me 4%, duke arritur në gati 6,700 studentë.

Rënien më të madhe e kishte Universiteti “Luigj Gurakuqi” Shkodër, ku numri i të regjistruarve u tkurr me 40%, duke reflektuar dhe emigracionin e lartë të zonave të Veriut.

Më pak interes kishte dhe për Universitetin Bujqësor i Tiranës, që shënoi një rënie të regjistrimeve me gati 19%. Në Vlorë tkurrja ishte 9% dhe në Elbasan rreth 10% (shiko grafikun: Studentë për çdo universitet në arsimin publik).

Universitetet private

Më i madhi privat, sipas numrit të studentëve vijon të jetë “Albanian University”, me 15% të totalit, por që shënoi një rënie të lehtë të numrit të studentëve me 1%.

I dyti më i madh është “Universiteti Europian i Tiranës”, me 13.5% të totalit të studentëve në arsimin e lartë jo publik. Në 2021, numri i të regjistruarve në këtë universitet u rrit me 2%.

I treti renditet “Universiteti Zoja e Këshillit të Mirë”, me 10% të totalit. Në këtë universitet numri i studentëve u rrit me 6.5% këtë vit.

“Epoka” është universiteti i katërt më i madh në vend, por që në 2021 pa rritjen më të lartë të të regjistruarve me 13%. (shiko grafikun Studentë për çdo universitet në arsimin e lartë jo publik).