Shqipëria

Largohen mërgimtarët, forcohet euro

Fundi i gushtit dhe fillimi i shtatorit përkojnë me ikjen e mërgimtarëve dhe uljen e fluksit të turistëve, duke ndikuar në uljen e ofertës për valutë në treg

Euro e ka mbyllur javën duke u këmbyer me 126.5 lekë, 0.08 lekë më shumë se një ditë më parë dhe duke arritur në nivelin më të lartë që nga data 12 qershor, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë.

Me përjashtim të ditës së mërkurë, euro ka qenë në rritje për 12 ditë radhazi. Më i luhatshëm ka qenë dollari, i cili këmbehej me 108.69 lekë, 0.1 lekë më pak se një ditë më parë.

Akterët e tregut pohojnë se forcimi i euros ka lidhje me mbarimin e efekteve sezonale. Fundi i gushtit dhe fillimi i shtatorit përkojnë me ikjen e mërgimtarëve dhe uljen e fluksit të turistëve, duke ndikuar në uljen e ofertës për valutë në treg, shkruan ‘monitor’.

Megjithatë, edhe në gjysmën e parë të gushit, rënia e euros ishte e frenuar, pavarësisht fluksit të shtuar të valutës, për shkak se Banka e Shqipërisë ka qenë aktive në treg për të mos lejuar nënçmimin e fortë të monedhës së përbashkët. Niveli më i ulët që u arit në gusht ishte 125.38 lekë, përcjell albinfo.ch.

Që prej fillimit të qershorit, kur euro zbriti në 124.17 lekë, nga gati 134 lekë që ishte në ditët e para të janarit, banka e Shqipërisë nisi një seri ndërhyrjesh të jashtëzakonshme në tregun e brendshëm që synonin të frenonin rënien e pakontrolluar të euros. Pas disa luhatjeve të mëdha në ditët e para, euro u stabilizua në nivelin e rreth 126 lekëve.