Kosova

LAPSH-i promovon 3 libra në gjuhën shqipe

Librat u promovuan në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Bernë

Në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Bernë, më 7 maj u bë promovimi i tre librave të LAPSh-së: i librit jubilar, botuar në 30-vjetorin e LAPSh-it, i librit të Hamzë Morinës, kushtuar veprimtarisë arsimore të LAPSh-it, të kantonit Aargau, i librit të Agim Paçarizi, i cili përmbledh veprimtarinë e LAPSh-it kantonale të Gjenevës, si dhe i 7 teksteve didaktike, të përkthyera në gjuhën shqipe, transmeton Albinfo.ch.

Programin e moderoi mësimdhënësi shumëvjeçar i arsimit në kantonin e Bernës, Amrush Avdimetaj.

Të pranishmit, në emër të ambasadorit të Kosovës në Bernë, i përshëndeti dhe u dëshiroi suksese në promovim, Favzije Blakaj, konsulle e Republikës së Kosovës në Bernë.

Pas Blakaj, mësuesja Mirela Duka-Xoxi lexoi para të pranishmëve recensionin e Nuhi Gashit, ish-udhëheqës i njësisë për mësimin plotësues në mërgatë, në MAShT dhe Inovacionit e Republikës së Kosovës.

Ndërsa autorët e librave, Hamzë Morina dhe Agim Paçarizi, folën rreth punës dhe sfidave që i kanë shoqëruar gjatë mbledhjes dhe sigurimit të materialeve për librat.

Pas autorëve të të dy librave, fjala iu dha edhe dy redaktoreve të librit jubilar: “30 vjet shkollë shqipe e mësimit plotësues në Zvicër”, Saime Isufi e Nexhmije Mehmetaj.

Në fjalën e tyre të dy zonjat nxorën në pah punën njëvjeçare rreth redaktimit të shkrimeve të dërguara nga autorët nga shumica kantoneve të Zvicrës.

Fjala e Nexhat Malokut si kryetar i LAPSh-it, por edhe si koordinator i projektit për botimin e librit, ishte mbresëlënëse. Ai ndër të tjera vuri theksin tek paraqitja modeste e veprimtarisë 30-vjeçare në një libër jubilar, por që ky libër dhe librat e kolegëve, të botuar nëpër kantone, të jetë shtytje për vazhdimësinë e nxjerrjes në pah me anë të shkrimeve dhe librave të tjerë në të gjitha kantonet, ku LAPSh ka lënë gjurmët e veprimtarisë së saj.

Fjalën e mori edhe Adem Osmani, donator i librit, i cili me modestinë shfaqi dëshirën e madhe për të kontribuar për mbarëvajtjen e mësimit plotësues.

Paraqitja për fjalë vijoi me mysafirin e nderit të LAPSh-it, Basil Schader, si koordinator i botimit jubilar dhe të shumë teksteve tjera didaktike.

Ai foli për sfidat gjatë hulumtimeve shkencore në fushën e mësimit plotësues.

Në fund, kryetari i LAPSh-it, Nexhat Maloku, zonjat Saime Isufi e Nexhmije Mehmetaj, bashkë me Basil Schader, iu përgjigjën shumë pyetjeve të të pranishmëve.

Ndër shqetësimet kryesore për të gjithë ishte: rënia e numrit të nxënësve të përfshirë në mësimin plotësues.

Të pranishmit kërkuan nga institucionet shtetërore që të angazhohen në kontaktet me organet shtetërore zvicerane, për integrimin e mësimit plotësues në mësimin e rregullt, e vetmja zgjidhje e këtij problemi.