Integrimi
LAPSH “Naim Frashëri”, 30 vjet në misionin fisnik të ruajtjes së shqipes
Tridhjetëvjetori i themelimit të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) “Naim Frashëri” në Zvicër i binte të shënohej vitin e kaluar, më 2020. Por, sikur shumë aktivitete të tjera, që për shkak të pandemisë u desh të shtyheshin ose të anuloheshin, edhe shënimi festiv i përvjetorit të 30-të të mësimit shqip në Zvicër u mbajt vetëm në vitin 2021, shrkuan albinfo.ch. Më saktësisht, ky aktivitet me përmasa të mëdha u mbajt të dielën, më 14 nëntor 2021, në Küttigen të Kantonit Aargau.
Në një atmosferë solemne, me një pjesëmarrje të madhe të publikut dhe me prani përfaqësuesish të lartë politikë, jubileu i tridhjetë i LAPSH “Naim Frashëri” është shënuar në lartësinë që meritonte. Aty kishte ardhur enkas ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, Sami Ukelli etj.
Pas intonimit të dy himneve (të Shqipërisë dhe të Kosovës), fjala i është dhënë ministres Nagavci.
Ministrja e arsimit në Qeverinë e Kosovës ka përgëzuar mësuesit dhe prindërit shqiptarë për misionin e tyre fisnik në shërbim të nxënësve dhe fëmijëve të tyre, në shërbim të ruajtjes së gjuhës shqipe dhe traditave shqiptare, edhe në kushtet e mërgimit. Ajo ka përmendur me këtë rast edhe tekstin e përbashkët shkollor të dedikuar për nxënësit në diasporë, i cili është promovuar ditë më parë nga ajo dhe ministrja e Arsimit e Shqipërisë, si një kontribut në këtë drejtim.
Po ashtu, nga Kosova kishte ardhur enkas për këtë manifestim edhe ish koordinator i parë i Shkollave Shqipe të mësimit plotësues në mërgatë, prof. Meriman Braha. Nën drejtimin e tij i ishin vënë atëbotë themelet edhe organizatës që sot mban emrin LAPSH “Naim Frashëri”. Braha ka evokuar kujtimet e tij nga periudha e fillimit të viteve `90, atëherë kur regjimi serb praktikisht kishte përjashtuar shqiptarët dhe gjuhën shqipe nga sistemi shkollor dhe objektet shkollore. Ky ishte një rast i pashembullt i segregacionit, ka thënë veç tjerash z. Braha, shkruan albinfo.ch. Më tutje ai ka folur për historikun e themelimit të mësimit plotësues në gjuhën shqipe, në Zvicër dhe në shtetet tjera perëndimore.
Edhe amsbadori i Republikës së Kosovës, Sami Ukelli i është drejtuar publikut me një fjalë përshëndetjeje, duke vlerësuar lartë punën e mësimdhënësve shqiptarë në misionin e ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare në mërgim.
Zotërimi i shqipes, kusht për nxënien e gjuhës së vendit dhe bazë për sukses në shkollë
Në këtë eveniment solemn kishin ardhur edhe mysafirë të lartë nga autoritetet kantonale e komunale, dhe jo vetëm të arsimit. Kështu, fjalën e kanë marrë zëvendës drejtoresha kantonale e arsimit në Kantonin Aargau zonja Michaela Brühlmeier, zoti Markus Truniger ish-udhëheqës i Sektorit të pedagogjisë ndërkulturore, i cili e ka përkrahur vazhdimisht Shkollën shqipe të mësimit plotësues në Zvicër. Fritz Weber – ish-ministër i Arsimit në kantonin e Glarusit dhe zonja Maya Hauser udhëheqëse e sektorit për arsim dhe kulturë në vitet ’90, të cilët kanë përkrahur hapjen e klasës së parë shqipe në kantonin e Glarusit. Po kështu, para të pranishmëve ka folur edhe Carmen Suter, kryetare e komunës Suhr të Kantonit Aargau.
Të gjithë këta, varësisht nga perspektiva e bashkëpunimit që kanë pasur me shkollën shqipe, gjegjësisht LAPSH “Naim Frashëri”, kanë shpalosur eksperiencat e tyre në këtë drejtim. Zonja Brühlmeier, veç tjerash, ka vënë theksin në faktin e mbështetur edhe shkencërisht, sipas të cilit, zotërimi i mirë i gjuhës amtare është parakusht që nxënësit me preajrdhje të huaj të zotërojnë në nivel edhe gjuhën e vendit dhe kështu, të jenë të suksesshëm në shkollimin e mëtejmë.
Ndërsa kryetarja e Komunës Suhr ka thënë veç tjerash se në komunën e saj ka një pjesëmarrje të madhe të popullatës me prejardhje të huaj në përgjithësi dhe të asaj shqiptare, në veçanti. Këtë diversitet ajo e ka vlerësuar si pasuri për komunën e saj dhe Zvicrën.
Profesori Basil Schader, një albanolog dhe pedagog i shquar zviceran, njëherësh anëtar nderi i LAPSH i cili ka merita të mëdha për profilizimin dhe ngritjen cilësore të mësimit shqip në Zvicër, nuk kishte si të mungonte në këtë shënim përvjetori, shkruan albinfo.ch. Ai, me një shqipe të rrjedhshme ka përgëzuar bartësit e mësimit në gjuhën shqipe në Zvicër për punën e tyre vetëmohuese, tashmë mbi 30 vjeçare.
Dr. Schader, në fjalën e tij ka prekur, veç tjerash edhe realitetin e hidhur të uljes së numrit të nxënësve që ndjekin mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Por, ka thënë ai, për këtë nuk janë fajtorë mësuesit që udhëheqin këtë mësim. “Fajin e kanë autoritetet zvicerane që nuk e kanë futur mësimin e shqipes dhe gjuhëve tjera të komuniteteve me prejardhje të huaj në planet e financimit”.
Në emër të Këshillit Kantonal të Argaut si mikpritës i këtij manifestimi qendror, kryetari kantonal z. Riza Demaj ka përshëndetur të pranishmit dhe ka falënderuar sidomos mikpritësit, autoritetet zvicerane për ndihmesën e tyre të madhe që kanë dhënë për mësimin shqip dhe në përgjithësi, për mirëqenien e shqiptarëve në Zvicër.
Mësuesja e parë, Drita Krasniqi
Në këtë përvjetor nuk është harruar edhe mësuesja e parë e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, Drita Krasniqi, së cilës LAPSH “Naim Frashüëri” i ka ndarë një mirënjohje të veçantë. Ajo, në vitin 1990 kishte hapur klasën e parë të asaj që më vonë do të quhej shkollë e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, në Glarus. Zonja Krasniqi me këtë rast është ngjitur në skenë dhe ka falënderuar për nderimin që po i bëhej. Mirënjohjen ja ka ndarë ministrja Arbüërie Nagavci
30 vite të LAPSH, në shifra e fakte
Kryetari aktual i LAPSH “Naim Frashëri”, njëherësh mësues nga vitet e para, Nexhat Maloku ka prezantuar një historik të LAPSH-së, të ilustruar me pamje dhe shifra, të paraqitura në ekran. Ai ka përmendur me këtë rast rrethanat në të cilat ka filluar punën shkolla shqipe në Zvicër, themelimin, në fillim, ndaras të Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë dhe Lidhjes së Prindërve Shqiptarë të Zvicrës, pastaj bashkimin e tyre në një dhe themelimin e asaj që sot quhet LAPSH “Naim Frashëri”, si bartëse e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, në Zvicër. Maloku jka dhënë edhe detaje të tjera, si pranimin e LAPSH nga autoritetet zvicerane, konferencat e ndryshme të mbajtura përgjatë viteve në bashkëveproim me autoritetet arsimore nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia, seminaret për ngritjen profesionale të mësuesve etj.
Ai ka prekur edhe faktin se numri aktual i nxënësve që ndjekin mësimin shqip është, mjerisht, shumë i ulët, në krahasim me numrin e fëmijëve shqiptarë të moshës shkollore në Zvicër por edhe në krahasim me numrin e nxënësve që kishim nga fundi i viteve `90, pak para luftës në Kosovë.
Dhe, tani e kanë radhën nxënësit!
Pas një numri të madh folësish, radha u ka ardhur edhe nxënësve, gjegjësisht programit të pasur e të larmishëm artistik të përgatitur prej tyre dhe mësuesve.
Nxënëset Era Gashi dhe Altina Veseli kanë recituar poezinë “Flamuri”, nxënësi Art Luma ka kënduar këngën “Duaje Atdheun tënd”. Më tutje është prezantuar recitali “Drama e zhbërjes”, përgatitur nga mësueset e kantonit të Argaut Elfete Hysenaj – Gashi dhe Fitnete Balaj. Në vazhdim janë prezantuar nxënësit e kantonit të Glarusit: Hava Avdulli ka recituar vjershën Gjuha shqipe, Diell Asani poezinë “Shqiponja”, Olsa Dauti poezinë Mëmëdheu dhe Alina Hamzaj poezinë “Dita e bardhë”.
Nxënësit e kantonit të Bernës janë paraqitur me recitalin “Nëntorët me një flamur” përgatitur nga mësuesja Ida Jashari, ndërsa xënësit e kantonit të Glarusit: Blerina, Altina, Olsa, Erda, Dorina, Samara, Erjola, Esma dhe Anila kanë kërcyer Vallen e Rugovës.
Nxënësja nga kantoni i Argaut Janina Isufi, (e cila fare në fillim ka interpretuar Himnin e Flamurit), ka recituar tekstin e Faik Konicës “Malli i Atdheut”. Nxënësit e kantonit të Basellandit Amelia dhe Leona Frangi janë paraqitur me këngën “Jam lindur në mërgim” dhe kanë recituar poezitë “Vjeshta” dhe “Familja”
Nxënësit e kantonit të Gjenevës: Arion, Edon dhe Valon Rexhepi kanë deklamuar po ashtu një recital ndërsa nxënësja Leona Lumeshi nga kantoni Jura ka recituar poezinë “Ti Shqipëri me jep nder”.
Këngë, valle dhe ndarje mirënjohjesh
Pas nxënësve të shkollës shqipe, programin e kanë vazhduar me këngë, këngëtarja shkodrane që jeton në Zvicër Gentjana Tafilaj si dhe nga dueti nënë e bijë, Luljeta Fetahaj dhe Laura Kastrati.
Ndërsa me valle të përgatitura e të interpretuara në nivel të lartë interpretues, publikut i është prezantuar Shoqëria Kulturore Artistike “Dardania” nga Winterthuri. Ajo, veç tjerash, është prezantuar me vallen premierë “Vallja e zanave” luajtur nga grupi i vajzave, “Vallen tiranase” dhe “Vallen e Gollakut.
Si pikë përmbyllëse e aktivitetit ka qenë ndarja e mirënjohjeve për të gjithë mësuesit dhe kontribuuesit tjerë për mbajtjen gjallë të mësimit shqip në Zvicër, që nga viti 1990 e këndej. Mes të tjerëve, mirënjohje ka marrë edhe platforma mediale, albinfo.ch.
Mirënjohjet janë ndarë nga ministrja e arsimit në Qeverinë e Kosovës, Arbërie Nagavci dhe nga ambasadori kosovar në Zvicër, Sami Ukelli.
I gjithë aktiviteti është moderuar me kompetencë, nga Mirela Duka-Xoxi dhe Ramadan Morina.
Foto:30 vjet nga themelimi i LAPSH “Naim Frashëri” në Zvicër
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
-
Maltina Jashari, garuesja e parë shqiptare në Formula
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?