Gjuha

Hapet një pikë e re shkollore në gjuhën shqipe në Eglisau të Cyrihut

Të shtunën, në Eglisau të kantonit të Cyrihut, me iniciativën e LAPSH-it dhe Këshillit të prindërve në këtë rajon u bë hapja solemne e një pike të re shkollore të mësimit plotësues në gjuhën dhe kulturën amtare, shkruan albinfo.ch.

Në ceremoninë e hapjes së kësaj pike shkollore, përpos mësueses Afërdita Veliu, e cila do të japë mësim në këtë pikë mësimi të gjuhës shqipe, ishte i pranishëm edhe kryetari i LAPSH-it për kantonin e Cyrihu, zotëri Naser Ulaj, sikurse edhe një pjesë e prindërve që dërgojnë fëmijët në këtë shkollë.

Kryetari Ulaj mbajti një fjalë të shkurtër rasti mbi rëndësisnë që ka mësimi në gjuhën amtare dhe përfitimet që kanë nxënësit me këtë rast. Për prindërit u bë prezentimi i mësueses Afërdita Veli, mësuese me përvojë shumëvjeçare në kuadër të LAPSH-it, e cila po ashtu nga prizmi i mësimdhënëses njoftoi prindërit dhe fëmijët me programin shkollor që do të zhvillohet me nxënësit.

Duke shfrytëzuar këtë mundësi takimi, prindërit zgjodhën edhe kryesinë dhe kryetaren e Këshillit të prindërve për këtë rajon, zonjën Aida Jusufi. Zonja Jusufi u zotua për një intensifikim të mëtejmë të punës me prindër, me qëllim që sa më shumë fëmijë të shkojnë në shkollë për të mësuar gjuhën e tyre amtare.

E veçanta e këtij takimi ishin vetë fytyrat e buzëqeshura të nxënësëve, të cilët gravitojnë në këtë pikë shkollore nga sot e tutje. Ata ishin shumë të interesuar për librat dhe materialin shkollor në gjuhën shqipe. Urojmë të shkojë mbarë e me sukses puna e nisur e LAPSH-it në këtë rajon!

Së shpejti do të njoftoheni edhe për hapjen e pikave të tjera të reja në kantonin e Cyrihut.

albinfo.ch
albinfo.ch 

 

Për LAPSH-in e kantonit të Cyrihut, Gëzim Kasumaj, nënkryetar.