©albinfo.ch
CH-Ballkani
Lanë familjet dhe Zvicrën që të flijohen për Kosovën
Muret e sallës së Qendrës Kulturore Shqiptare në Cyrih janë të veshura me portretet e vizatuara të 64 dëshmorëve, aq sa janë identifikuar deri më tash, në kuadrin e ekspozitës tematike ‘’Ti je pjesë e atdheut’’
“Agim Bajrami, Agim Ramadani, Agim Mazrekaj, Agim Zenelaj…” tek i lexon me radhë emrat e 64 dëshmorëve nga Zvicra, të rënë në luftërat e fundit të shqiptarëve, Shukrije Ramadanin e tradhtojnë lotët. Dhe jo vetëm atë. Tronditja, dhembja dhe lotët për ata që nuk janë më, bëhen gjithëpërfshirëse në sallën ku të gjithë me pietet nderojnë të rënët ndërsa në sfond dëgjohet melodia e një kënge të dhembshur të mërgimit.
Më të prekur janë sigurisht familjarët e dëshmorëve, të cilëve u është kushtuar ekspozita “Ti je pjesë e Atdheut”, e hapur në ambientet e Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih.
Zarije Bajrami është e shoqja e Heroit të Kosovës, dëshmorit Agim Bajrami dhe ajo shprehet e emocionuar nga ky aktivitet. “Kjo ditë tregon diçka të veçantë, tregon një përkujtim. Të përkujtohen dëshmorët do të thotë të jemi afër tyre dhe në asnjë moment të mos i lëmë anash ata. Ta kujtojmë veprën e tyre është diçka që na obligon ne, që amaneti i tyre të përcillet në gjeneratat e tjera”, thotë zonja Bajrami për albinfo.ch.
- Një kontribut kundër harresës
Por, rreth asaj nëse shoqëria ka bërë mjaft për dëshmorët, ajo ka dilema. “Ajo që mua më preokupon është bashkimi kombëtar sepse dëshmorët ishin të përcaktuar për bashkimin e trojeve shqiptare. Dhe përderisa ne nuk i gjejmë përfaqësuesit e politikës të koordinuar në këtë drejtim, nuk mund të themi se jemi të kënaqur. Sidoqoftë, kjo ekspozitë është një kontribut për moslënien në harresë të dëshmorëve, të cilët dhanë jetën në moshën më të mirë dhe kur ishin më të nevojshëm për familjet e tyre, atëherë kur atdheu i kërkonte, thotë Zarije Bajrami, bashkëshortja e Heroit të Kosovës, Agim Bajrami, i cili ka rënë në luftë, pasi që ka braktisur familjen e tij të re në Zvicër.
Muret e sallës së Qendrës Kulturore Shqiptare në Cyrih janë të veshura me portretet e vizatuara të 64 dëshmorëve, aq sa janë identifikuar deri më tash, në kuadrin e ekspozitës tematike ‘’Ti je pjesë e atdheut’’.
“Mund të ketë edhe më shumë por këta i kemi identifikuar deri në këtë moment. Prandaj kërkojmë nga të gjithë që të na njoftojnë për emra të tjerë eventualë të dëshmorëve nga Zvicra”, apelon disa herë drejtorja e QKK-së, Shukrije Ramadani. Ajo saktëson se kjo ekspozitë do të vazhdojë të qëndrojë e hapur, prandaj dhe mund të pasurohet e të zhvillohet edhe më tej me portrete të reja dëshmorësh.
Edhe ministri i Diasporës, Valon Murati u ka bërë thirrje të pranishmëve që të kontribuojnë me artefakte të reja që lidhen me dëshmorët, e që do të ekspozohen në këtë qendër dhe në organizimet tjera.
- Mërgata shqiptare ka lidhje të pashkëputshme me atdheun
Duke folur për dëshmorët nga mërgata, Murati ka nënvizuar se mërgimtarët shqiptarë historikisht kanë një raport shumë specifik me atdheun. Këtë e tregon edhe numri i madh i atyre që kishin braktisur rehatinë e vendeve ku jetonin për të shkuar në luftë, prej nga mundësia e moskthimit gjallë ishte më e madhe se ajo e mbijetesës. Këtë lidhje të veçantë të diasporës shqiptare me dheun e lindjes, ministri e shpjegon me robërinë shumëshekullore në të cilën kanë jetuar shqiptarët. Prandaj nuk është rastësi se edhe Rilindja e jonë Kombëtare ka lindur dhe është zhvilluar në kolonitë shqiptare, jashtë vendeve ku shqiptarët janë autoktonë”, ka thënë veç tjerash ministri në fjalën e tij të përshëndetjes me rastin e hapjes së ekspozitës.
Në kuadër të aktivitetit, Qendra Kulturore e Kosovës (QKK) në bashkëveprim me Ministrinë e Diasporës të Republikës së Kosovës kanë bërë edhe ndarjen e çmimeve dhe mirënjohjeve për disa nga bashkëpunëtorët e dalluar të QKK-së. Çmimet, të cilat i ka ndarë ministri Murati dhe ambasadorja e Republikës së Kosovës, Nazane Breca, kanë shkuar në duart e: Skënder Hajdarit, dizajner grafist, Miradije Maliqit, shkrimtare, Shefket Hasanit, veteran i luftës së UÇPMB-së Rexhep Rifatit, gazetar veteran, Rexhep Berishës, afarist, Ramadan Morinës dhe Avdi Hamidit, aktorë të grupit “Aktrimi” si dhe Bujar Salihut, poet.
Balerinit të ndjerë, Rrustem Selca i ështüë ndarë çmimi Post Mortem.
Të pranishëm në këtë aktivitet kanë qenë edhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Gjenevë, Ramadan Avdiu, konsulli i Kosovës në Cyrih, Xhafer Ahmeti etj.
Himnin kombëtar në kuadër të këtij evenimenti e ka intonuar Naser Ballazhi, i shoqëruar me fizarmonikë nga Rafael Lishi.
Ndërkaq, ka qenë mendim i përgjithshëm i të pranishmëve se vizatimi i portreteve të dëshmorëve, të eskpozuara në këtë ekspozitë nuk ka qenë në nivelin e duhur artistik dhe as në nivelin e nderimit të veprës së dëshmorëve.
64 dëshmorët nga Zvicra
Emrat e dëshmorëve që nga Zvicra iu bashkangjitën luftës për çlirim: Agim Bajrami, Agim Ramadani, Agim Mazrekaj, Agim Zenelaj, Besim Halilaj, Elez Geci, Visar Thaqi, Ilmi Bahtiari, Vahit Ukaj, Rashit Karadaku, Maxhun Berisha, Ahmet Baqaj, Pren Lleshi, Dervish Sylaj, Kadri Syla, Xhemajl Rama, Milaim Qerimi, Limon Thaqi, Arton Hasanaj, Vezir Ademaj, Sejdi Krelani, Nuredin Gervalla, Kenan Halimi, Ismet Jashari, Hysen Rexhepi, Avdi Xhaqku, Nijazi Azemi, Sejdi Sejdiu, Bafti Haxhiu, Nexhat Fanaj, Skender Qeku, Tomë Gjokaj, Ramiz Brahimaj, Malë Zejnaj, Hamdi Ferati, Muhamet Krasniqi, Muhamet Ukshini, Adem Delija, Nexhmedin Elshani, Jahja Danuzaj, Skender Latifi, Blerim Zuqaku, Haxhi Hoti, Luan Gashi, Sami Ukshini, Ibrahim Pacolli, Nikoll Dodaj, Ibrahim Asllani, Beqir Mehmetaj, Izet Beqiraj, Emin Kryeziu, Ibër Gërgoci, Isuf Morina, Sylejman Elshani, Shefket Muhadini, Bekim Taverlani, Abit Dullovi, Driton Veliu, Safet Gjinovci, Mentor Morina, Selver Kryeziu, Halit Aliaj, Arsim Bajrami, Xhemail Ademi.
(Autor i fotografive: Armend Berisha)
E-Diaspora
-
Kosova, gati për turneun “Yellow Cup” në Winterthur të Zvicrës Më 4 janar prej orës 19:00 është ndeshja Zvicër – Kosovë...
-
Pritjet nëpër pika kufitare, 2 orë për të dalë në Merdarë e Muçibabë
-
FC Kosova Zürich: Stabiliteti, sukseset dhe ambiciet për të ardhmen
-
Rita Ora në New York për ndërrimin e moteve
-
Bekim Zogaj, kur “pensionimi” vjen në kulmin e karrierës
Jeta në Zvicër
-
Siguruesi zviceran Helvetia thotë se 500 vende pune janë prekur nga ulja e kostove Rreth 500 vende pune, duke përfshirë 200 deri në 250 në Zvicër, janë prekur nga masat...
-
Zvicër: 5% më pak shitje të veturave të reja
-
Ka gjithnjë e më pak vende parkimi publike në qytetet zvicerane
-
Fermerët zviceranë të shqetësuar për të ardhurat dhe barrën administrative
-
Subvencionet publike për transportin publik po rriten në të gjithë Zvicrën