Kosova

“Lamtumirë legjenda e futbollit”

Legjenda e futbollit kosovar, Fadil Vokrri gjatë ditës së sotme vdiq, pas një sulmi në zemër, shkruan albinfo.ch.

Për vdekjen e Vokrrit, krerët e institucioneve kosovare, ngushëlluan familjarët e miqtë e Vokrrit. 

Fadil Vokrri ishte Kryetar i Federatës së Futbollit në Kosovë. 

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në profilin e tij zyrtarë në Facebook, ka shkruar se Vokrri ishte motivues i madh. 

“I trishtë lajmi për vdekjen e hershme të legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit, i cili tërë jetën e shkriu, që t’i japë emër atdheut të tij, të cilin aq shumë e deshti dhe i qëndroi besnik deri në frymën e fundit. Fadili ishte motivues i madh yni që na dha zemër për të dalë fitues nga të gjitha betejat! Fadili kurdoherë ishte figura qendrore në fushën e blertë duke u sjellë bashkëqytetarëve buzëqeshje e gëzim edhe në kohërat më të rënda, kur pesha e dhunës peshonte mbi ta.

Ai u bë frymëzim për shumë breza sportistësh kosovarë dhe ikonë e futbollit, jo vetëm në hapësirat shqiptare, që nga vitet ’80, duke e fituar betejën e fundit, anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA. Dritë të pastë shpirti, Fadil!”, ka shkruaj Haradinaj. 

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku ka shkruar në Twitter, paa vdekjes së kryetarit të FFK-së Fadil Vokrrit. 

“Sot ndërroi jetë legjenda e futbollit tonë Fadil Vokrri. Përulësisht faleminderit për lotët e gëzimit që na i dhurove. Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës. Lamtumirë legjendë!”, ka shkruar Çitaku.

Për vdekjen e Vokrrit ka shkruar edhe Ministri i Punëve të Jashtme në Kosovë, Behgjet Pacolli.

“Sapo mora lajmin e hidhur. Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri sot ka ndërruar jetë. Prehu në paqe miku im, dhe legjenda e shtetit tonë!”, ka shkruar Pacolli.