Lajme

Lajçak për Asociacionin: Nuk dobëson funksionalitetin e Kosovës

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirsolav Lajçak, ka njoftuar se janë 16 modele për formimin e një statusi për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Sipas Lajçak, bashkësia me shumicë serbe nuk mund të shihet si dobësim i funksionalizimit të Kosovë, pikërisht për shkak të këtyre modeleve. “Po flasim me partnerët tanë për modele ekzistuese që po forcojnë funksionalitetin e shteteve dhe jo dobësimin, prandaj mendojmë se s’duhet të ketë frikë. Askush s’ka për interes të dobësojë funksionalitetin e Kosovës. Duhet ta shohim jo si kërcënim, a dënim, a kompromis, por obligim në njërën anë dhe duhet të shihet edhe si ndërtim i mirëbesimit të serbëve të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës dhe definim të qartë të raporteve të Qeverisë së Serbisë me serbët e Kosovës sipas standardeve evropiane”, është shprehur Lajçak.

Në një intervistë për “Atlantic Council”, i dërguari i BE-së u shpreh se Kosova e Serbia duhet të dakordohen se në bazë të cilit model do të mund të themelohet Asociacioni. “Kosova dhe Serbia janë palë të barabarta. Asnjëra palë s’mund të imponojë vullnetin e saj ndaj palës tjetër kundër vullnetit të saj”, deklaroi emisari Lajçak.

Ai po ashtu ka përshëndetur edhe një herë pranimin e planit bazë nga ana e Kosovës dhe Serbisë, pret konstruktivitet në negocimin e planit të implementimit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, janë takuar më 27 shkurt në Bruksel për të nënshkruar marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, por që dështoi. Megjithatë, Bashkimi Evropian synon që më 18 mars t’i bëjë bashkë përsëri Kurtin dhe Vuçiçin në Ohër për të negociuar për zbatimin e planit evropian, për të cilin u dakorduan ditë më parë.