Shqipëria
Lahuta në UNESCO, ekspertët vlerësojnë komunitetin e rapsodëve
Fondacioni AADF dhe Ministria e Kulturës organizuan në Shkodër takimin e grupit të ekspertëve me komunitetin e rapsodëve dhe të trashëguesve të mjeshtërisë së bërjes së lahutës, ardhur nga Malësia e Madhe, Tropoja, Puka, Lezha e Mirdita, përcjell albinfo.ch.
Pas një prezantimi të hapave që janë hedhur nga ky fondacion për mundësimin e përgatitjes së katër dosjeve të trashëgimive kombëtare për regjistrim në listat e UNESCO-s: Xhubleta, Transhumanca, Kcimi i Tropojës dhe Lahuta nga Ilir Parangoni, foli edhe studiuesja australiane, Susane Ogge-Milou, e cila ka mbështetur që nga fillimi punën e grupit të ekspertëve. E gjithë veprimtaria u drejtua me përgjegjësi shkencore dhe profesionale nga studiuesi Rigels Halili, anëtar i grupit të punës.
Akademikët Vasil S. Tole dhe Shaban Sinani, anëtarë të grupit të punës nga Akademia e Shkencave, referuan për temën “Lahuta sot në Shqipëri: këngët me lahutë, rapsodët dhe mjeshtëria e prodhimit të instrumentit”.
Në fjalën hyrëse akademik Vasil S. Tole theksoi rëndësinë e regjistrimit të lahutës dhe këngëve të lahutës në listën e pasurive të rrezikuara të UNESCO-s.
“Puna e nisur 12 vjet më parë, me një nismë të qeverisë së Kosovës, nuk u mbyll me sukses jo për mangësi të punës përgatitore, por për shkak se Kosova ende nuk është anëtare e UNESCO-s. Kjo vonesë na detyroi të ripërcaktojmë jo vetëm emrin, por edhe listën, kjo për shkaqe objektive, sepse trashëgimia për të cilën po diskutojmë është në rrudhje”, tha Tole.
Në vijim akad. Shaban Sinani paraqiti referatin e përbashkët, që u hap me një fakt domethënës për një të ardhme me sukses: në shkurt të këtij viti (2023) lahutari shqiptar Anton Çivlaku çeli në “Berlin Philarmonie” koncertin instrumental “Siparantum Choir”. Referati përqendrohej në dy pyetje kryesore: pse duhet të mbrohet lahuta dhe si duhet të mbrohet lahuta.
Në pjesën e parë u theksua rëndësia e lahutës si instrumenti më i hershëm kordofon i traditës shqiptare, e cila bën pjesë në një familje europiane instrumentesh të ngjashëm në emër e në funksion, “kushërira” të afërme të saj, të shfaqura në gjithë kontinentin në atë periudhë që njihet si “golden age” e lulëzimit të bashkëjetesës së tre besimeve abrahamike në Spanjë e më tej në brendësi të Europës. Njëherësh lahuta është edhe vegla me më shumë mundësi interpretimi të poemave të mëdha narrative, para së gjithash të eposit heroik legjendar. Harta e arealit të lahutës dhe harta e arealit të eposit janë përputhshmërisht të mbivendosura. Ku ka epos, ka lahutë; ku ka lahutë, ka epos. Si rregull lahuta nuk zbret në qytet. Rastet e daljes së lahutës jashtë arealit të eposit janë shumë të rralla. Në mesin e shekullit XVIII një rapsod shkodran që përqeshej nga të vetët si jo shumë i talentuar shkoi në Berat dhe u bë i suksesshëm, kryesisht sepse pikërisht në atë kohë bejtexhinjtë e qytetit kishin hyrë në garë publike me njëri-tjetrin.
Lahuta është një instrument muzikor primitiv, por njëherësh misionar. U shfaq kur lindi “gojëdhâna kombëtare”, eposi heroik, dhe i qendroi besnik ekskluzivisht “kângëve të kreshnikëve”.
Në epos nuk ka histori, por legjendë, nuk ka heronj shqiptarë, as arbër, por heronj kulturorë, “të parë të tyre”. Lahuta është instrument paraosman, që u shfaq në arealin verior të arbërve në mbarim të shekujve të kapërcyellit prej ilirëve tek shqiptarët. Kjo është koha kur ndodhin disa dallime që u trashëguan deri në kohët moderne, si raportet gegnisht-toskërisht, ndarja makrokrahinore në Gegni e Toskëri, përgjithësimi i polifonisë në jug dhe i homofonisë në veri. Instrumentet e tjera kordofone me të cilat këndohen këngët historike, si çiftelia e sharkia, janë të periudhës së vonët osmane, kur elitat orientale u rehatuan në mjediset shqiptare.
Lahuta dhe eposi janë dy pasuri të pandashme, por të dyja këto nuk mund të ndahen edhe prej disa trashëgimive të tjera, materiale, shpirtërore e natyrore si: kulla, bjeshkët, plisi, oda e burrave, tërvesa, ritet dhe ritualet, festat e gëzimet, veshja tradicionale, ligjërimi etnografik. Prandaj bashkë me lahutën udhëtojnë si kontekst edhe këto vlera, të cilat më vonë mund të regjistrohen më vete.
Lahuta dhe “kângët e lahutës” janë një prej trashëgimive më jetëgjata të shqiptarëve, më së paku prej mbi njëmijë vjetësh, që karakterizohen nga primitiviteti dhe arkaizmi, çka dëshmohet edhe prej vetë mënyrës si punohej lahuta. Në koleksionin e lahutave më të vjetra ka që janë prodhuar me kafkullin e breshkës dhe me kungull.
Në këtë pjesë të parë të referimit u theksua posaçërisht larmia tipologjike dhe kronologjike e simboleve që përmban lahuta, që e bëjnë atë bartëse mendësish edhe më të hershme, prej epokash protoshqiptare e më herët. Simbolet më të hershme të zbukurimores së saj janë naiviste: gjeometrike, floreale, zoomorfe e antropomorfe. Pas simboleve antropogjenetike zanafillëse si dielli e hëna, simbolet më kuptimplotë në zbukurimoren e lahutës përmbajnë imitime të figurave totemike të shqiptarëve dhe protoshqiptarëve, të quajtura “prius parens” në studime: gjarpri dhe koka e dhisë. Sakraliteti i lahutës vjen pikërisht prej simboleve që bart me vete nga kjo lashtës. Simbolet e krishterimit si mendësi renditen në vijim të atyre totemike. Prania e kryqit të fshehur është shprehje vetëdijeje të trashëguar nga krishterimi i hershëm. Ka studiues që mendojnë edhe për shartim të miteve e riteve pagane me krishterimin, madje kanë supozuar edhe praninë e shkrimeve piktografike. Koleksionisti Jaho Brahaj veçon një prej këtyre lahutave ku simboli i diellit dhe raporti i pikëzave të gdhendura nën të lejojnë një lexim hipotetik numerologjik piktografik apo ndoshta më shumë kriptogratik, që bashkon simbolikisht Buzmin pagan me Krishtlindjen.
A është lahuta e krishterë? Kjo pyetje është bërë shpesh dhe ka një bazë objektive, duke qenë se harta e arealit të vatrës kryesore të saj me hartën e arealit të kryevatrës së eposit përputhen dhe të dyja së bashku i mbivendosen një prej zonave më koservative në pikëpamje të besimit. Por, si eposi, dhe lahuta, dalin jashtë këtij areali, duke u shtrirë në të dyja përmasat gjeografike.
Eposi shqiptar është i njëkohshëm me epopetë e mëdha europiane: me “Chanson de Roland” dhe me “El cantar de mio Cid”. Eposi përfaqëson shkallën më të hershme dhe më fillestare të vetidentifikimit etnik. Etnonimet “arbër” dhe “shqiptar”, edhe kur dalin në të rrallë, janë shtesa të kohëve modern. Kurse të tjerët identifikohen me etnonime: shkjau, jelini, maxharri, frangu, jevreu, katalani, tali, miskovi. Rapsodi flet me një gjuhë tjetër për “të vetët”: ata janë njësoj si ai dhe midis tyre, flasin “në gluhë të vet”, këndojnë “në gluhë të vet” e “në lahutë të vet”, vishen “në tesha të veta”. Lahuta i thotë audiencës sepse “jemi fis” sepse “nuk jemi si ata”.
Në epos nuk ka histori, por epope; nuk ka protagonistë të historisë, por heronj kulturorë; nuk ka varre, por zgafella. Kur në këngët popullore hyri njeriu i historisë, heroi me emër, eposi u kthye në një “opus finite” dhe ia la vendin epikës historike. Pyetja pse nuk ka këngë lahute për Gjergj Kastriotin tek arbëreshët dhe në Shqipëri e merr përgjigjen nga ky kufi që ndan eposin nga këngët historike. Kjo është dhe arsyeja pse dinastët shqiptarë Qyprillinj kanë epos tek boshnjakët, por jo në vendin e tyre të origjinës.
Në ciklin e këngëve kushtuar betejës së ballkanasve në Fushë-Kosovë (1398) vendin e pakohësisë e zuri kronologjia; në rapsodi hynë figura të historisë, si Balshajt, Jonima, Musa Arbanasi e Milosh Kopiliqi, prandaj ky quhet kufiri më i vonët i krijimit të kângëve të lahutës.
Gjuha e eposit është po aq arkaike në forma e struktura sa dhe vetë lahuta. Gjuhëtarët e konsiderojnë rezervàt të dhënash për të rindërtuar rende gjuhësorë të supozuar. Në studime të tilla eposi është trashëgimia gjuhësore që u shërben më shumë studiuesve për sqarimin e historisë së gjuhës, krahas me të folmet arkaike të arbëreshëve dhe arvanitëve.
Duke iu përgjigjur pyetjes së dytë, pse lahuta është në rrezik, studiuesit theksuan se ka së paku dy shekuj që nuk është e qetë. Sharkia e çiftelia janë rrezikueset më të hershme të lahutës dhe të eposit. Me shfaqjen e tyre lahuta fillon të humbë hapësirë dhe eposi të humbasë rrokje. Pyetje skolastike pse eposi shqiptar është herë-herë heterometrik e ka përgjigjen e sigurt tek zëvendësimi i lahutës me këto instrumente, që, për vetë mungësitë e tyre organologjike, kërkojnë tetërrokësh në vend të 10-rrokëshit. Por rreziku më i madh për lahutën dhe eposin është ai që pati paralajmëruar gati gjysmë shekulli më parë Martin Camaj, me vargjet “Lahuta pushon në trá / Pse mixha vdekë ka mot / E nipat s’dijnë me i rá”.
Kjo trashëgimi është edhe kujtesë, edhe arkiv, edhe mitologji, edhe kalendar mendësish, edhe art argëtues, edhe shkallë identifikimi. Në renditjen e faktorëve rrezikues, theksuan kumtuesit, do të lëmë mënjanë faktorët me karakter global: kufizimi i traditave të pashkruara në epokën e shoqërisë së informacionit dhe të virtualitetit; ndikimi i qytetërimit modern etj.
Kufizimi fizik i numrit të rapsodëve, humbja e traditës së trashëgimit të mjeshtërisë është rreziku numër një. Një shkak themelor është prishja e kontekstit shoqëror-kulturor në të cilin është ruajtur lahuta. Nuk ekzistojnë më ose janë kthyer në rrallësi etnokulturore kulla, audienca tradicionale, oda e burrave, rendi fisnor, rregullimi kanunor, festat dhe ritet e vjetra; Demotivimi e kompleksimi i rapsodit për shkak të qarkullimit të teksteve të shtypura tashmë prej një shekulli vjen në rend të dytë. Rapsodit i ngjan sikur nuk ka më të drejtë të këndojë versionin e vet, sepse “ata që i mblodhën e botuan këngët i dinë gjërat më mirë”. Rapsodi historikisht ka qenë i vetëmjaftueshëm në traditë, pa regji e skenar, dhe rapsodi në skenë. Sot është më ndryshe. Lahutarët gjithnjë e më pak shfaqen si në traditë se nëpër skena, biseda televizive, festivale, takime, duke kënduar për njëri-tjetrin.
Një zgjidhje për marrjen në mbrojtje të lahutës dhe të gjithçkaje që lidhet me të mund të ishte inkurajimi i rapsodëve për t’u organizuar në shoqata që mbështeten përmes politikave kulturore dhe krijimi i një amze (inventari) të përgjithshme të gjendjes së sotme të lahutës dhe lahutarëve.
A po kthehet lahuta në relikt muzeal dhe objekt ekspozimi? Në kushtet që brezat e rinj shfaqin një ftohje me traditën dhe kënaqen me mbajtjen e lahutës si një talisman, për syrin e keq, varur në mur, se kështu bënin dhe të parët; mungesa e politikave vepruese arsimore e mjegullon të ardhmen. Tingulli i lahutës, i cituar për disa sekonda në një këngë rock apo hip-hop, pëlqehet nga brezi i ri, po ashtu lahuta me tingull të amplifikuar në këngët moderne është e parapëlqyer për publikun. Mirëpo këto parapëlqime na bëjnë të ditur rrezikun e kalimit të lahutës nga jeta e gjallë në atë skenike.
“E punuemja” e lahutës nuk ka qenë zanat, mjeshtëri për jetesë. Secili prodhonte lahutën e vet ose për një mik a të afërm. Prandaj ishte e vështirë të gjeje dy lahuta njësoj. Ashtu si eposi, edhe lahuta ekzistonte dhe ekziston në variante. Në disa vise janë kënduar “kângë lahute” në tri dekadat e fundme është ngritur ndonjë punishte, por dallimi me lahutat e traditës, që kanë një standard të vetin, duket me sy të lirë. Lahutat e këtyre punishteve janë rifunksionalizuar si objekte zbukurimi kryesisht në shtëpitë e emigrantëve dhe rapsodët nuk i pëlqejnë. Sot ka më shumë lahuta në Perëndim se në Shqipëri. Në SHBA madje para disa vjetësh është organizuar një ekspozitë me lahuta dhe trashëgimi të tjera shqiptare.
Lahuta “e punueme “për mendësi, thjesht si objekt sakral, për zbukurim, besëtytni e zakon; qoftë dhe për krenari kombëtare dhe për identifikim formal, është lahutë pa rapsod. Dhe lahuta pa rapsod është jashtë funksionit, janë lahuta të prodhuara që në krye duke e ditur se nuk do të luhet me ras mbi të, madje në disa raste kanë vetëm formën dhe zbukurimet, pa tel.
Në dy punishte që “punojnë lahuta”, disa edhe dhjetëra, në mos qindra, i është zgjatur jeta stampës, jo lahutës vetë, që është e lidhur me variantin. Duke mos qenë zeje, mjeshtëria e prodhimit të lahutës ose nuk është trashëguar fare, ose kanë mbetur vetëm disa zejtarë të rrallë. Krahasuar me xhubletën, aq më pak me plisin, dijebërja e lahutës është shumë më e rrezikuar (mungojnë shoqatat dhe lobbing-u).
Mungesa e standardit, një vetëdije hiper-patriotike, ka cenuar rëndë kanonin e lahutës “në të punuem”. Simbolet që i janë mbivendosur lahutës janë vërtet shumë të dashura për shqiptarët, por kryeshenja të tilla të epokave të ngjizjes së bashkësisë etnike si gjarpri, shqiponja, dielli, kryqi, pa përjashtuar ato gjeometrike, floreale, zoomorfe, antropomorfe, nuk mund të shartohen me yllin pesëcepësh, me portrete të gdhendura të figurave historike, qoftë dhe të Ismail Qemalit e Isa Boletinit apo të komandantëve të UÇK-së dhe të heronjve të familjes Jashari. Epopeja e tyre nuk është për lahutë, por shkencë historike. Lahuta mund të tradhtohet edhe nga dashuria për historinë. Cenimi i traditës “në të punuem të lahutës” ka çuar deri në kthimin e instrumentit në një ekspozitë simbolesh epokale vendosur njëri mbi tjetrin, që nga kohërat ilire deri tek figurat e gjalla, madje ka ndonjë rast kur në vend të portretit të gdhendur mund të ngjitet një foto. Rreziku i profanimit të lahutës për shkak të përditësimit të simboleve Lahuta “e punueme për shêj”, përdorimi pragmatik, historizimi romantik; “lahuta me yrnek”, jashtë variantistikës, janë desakralizim e profanim ndaj traditës, njëherësh vrasje e traditës.
Përgjegjësia e mirëqeverisjes ishte çështja e fundme që u paraqit nga kumtuesit. Lahuta, eposi, konteksti kulturor i trashëgimisë që lidhet me to, në kushtet e globalizimit progresiv; të ndërprerjes së vazhdimësisë së brezave për shkak të zgjedhjeve të ndryshme të rezidentimit; të humbjes së interesit prej më të rinjve; nuk mund të trashëgohen më spontaneisht, duke mbajtur vetveten.
Vetorganizimi në shoqata, pa një mbështetje shtetërore me stimuj moralë, intelektualë e materialë, nuk e zgjidh dot problemin.
Studimet organologjike për lahutën dhe laurinë janë të kufizuara. Përfshirja e tyre në programet e studimeve në lëndën e muzikës në shkolla, në lëndë me zgjedhje në lice, në studimet e shkallës master e doktoratë në universitete, sidomos në UA, është e domosdoshme.
Në përfundim të debateve studiuesit propozuan miratimin e marrjes në mbrojtjes me një status të veçantë të lahutarëve dhe të mjeshtrave punues të lahutave, duke precizuar standardin e saj; nxitjen e formimit të rapsodëve të rinj në mjedisin ku jetojnë lahutarët e fundëm; marrjen e përgjegjësive nga pushteti vendor në rajonet ku mbijeton lahuta për mbështetje financiare ndaj tyre; plotësimin e një harte të arealit ku ruhet lahuta tradicionale dhe disa masa të tjera.
Pjesa më e madhe e kohës që iu kushtua kësaj veprimarie iu ruajt fjalës së lahutarëve, mendimeve dhe preokupimeve të tyre.
E-Diaspora
-
“Tri Net Film Fest”, në kërkim të historisë përmes filmit shqiptar Të shtunën që shkoi përfundoi në Spreitenbach (AG) festivali i filmit "TriNetFilmFest", i cili këtë vit...
-
13 vjet burgim për shqiptarin që hyri për të vjedhur një shtëpi në Londër
-
Leutrim Aliji, pianisti virtuoz që bashkoi muzikën klasike me shpirtin shqiptar
-
Art Julius Aurel kandidon për parlamentin e Steiermark-ut
-
Rihapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Punëdhënësit publikë nuk mund të favorizojnë kandidatët zviceranë në raport me të huajt Në përgjigje të mocionit të deputetit Piero Marchesi nga Partia Popullore Zvicerane, i cili i kërkoi...
-
Zvicër: Tri modele të reja të trenave do të fillojnë të qarkullojnë nga viti 2026
-
530 milionë franga më shumë për forcat e armatosura të Zvicrës
-
Si mund të kontrolloni për paralajmërimet e kontaminimit të ushqimit në Zvicër?
-
Në vitin 2025, shumë punëtorë zviceranë do të marrin paga më të larta