Integrimi

La Austrinë për Zvicrën, për punësim e shkollim më të mirë

U lind e u rrit në Austri, por pas afro dy dekadash u shpërngul në Zvicër, ku thotë se gjeti qasje më të lehtë në punësim, kulturë të re, e mbi të gjitha, më shumë shqiptarë. Dhe jo vetëm…

Laura Beqa, me prejardhje nga Ferizaj, u lind në Kitzbühel të Austrisë, ku vijoi mësimet fillore dhe të mesme. Por pas përfundimit të maturës, ajo la prapa 19 vjet jetesë në Austri, dhe bashkë me të vëllanë vendosi të shpërngulej në Zvicër. Tash e pesë vjet, Laura Beqa jeton në kantonin Aargau të Zvicrës dhe punon si koordinatore e korporatës në LISCR.

Zvicra, motivim dhe vend i mundësive të shumta

Si një vajzë që i pëlqejnë sfidat, dhe që është në kërkim të mundësive të reja, Laura vendosi ta ndërronte vendbanimin pasi kreu shkollën e mesme. Kontaket dhe miqësitë që kishte në Zvicër, ia formuan një imazh të Zvicrës si vend i mundësive të shumta, sidomos për punësim dhe shkollim. Po ashtu, Laura u inspirua nga sukseset e njerëzve në Zvicër, sidomos ato të shqiptarëve. Ajo thotë se tash motivohet edhe më shumë me sukseset e shqiptarëve, sidomos kur sheh nëpër rrugë dyqane, firma e autoshkolla me emra shqip.

“Edhe Austria të ofron kushte të mira për edukim, mirëpo, në Zvicër mundësitë janë shumë më të mëdha për shkollim, për të arritur diçka, që të bëhesh e pavarur, të hapësh ndonjë firmë. Këtu edhe rrogat janë më të mëdha, është edhe jeta më e shtrenjtë, po ke mundësi edhe të kursesh para”, thotë Laura në një intervistë për albinfo.ch.

Sipas saj, Zvicra është vend që i kushton rëndësi të madhe shkollimit të të rinjve, pavarësisht se nga vinë. “Nëse do të shkollohesh dhe nuk ke ide se çka të zgjedhësh, ke vende ku mund të informohesh, pra ke qindra mundësi. Nëse nuk ke ndonjë farë shkollimi, ta mundësojnë të shkosh ndoshta në universitet. E kjo më ka pëlqyer shumë”, thotë ajo.

Zvicra me rroga më të mëdha, por me jetesë më të shtrenjtë

Me gjithë të mirat që gjeti në vendin alpin, Laura tregon se disa gjëra ishin më mirë në Austri. E këtu, ajo përmend disa sfida që hasi lidhur me sigurimin shëndetësor. “Sigurimi në këtë shtetet paguhet çdo muaj, por dallimi është se në Austri të  ndalet në rrogë, edhe varet sa të lartë e ke rrogën, aq edhe të ndalet, në Zvicër duhet të paguash sigurim pa marrë parasysh a je në punë ose se jo. Po ashtu, në Zvicër të vinë në shtëpi faturat e mjekut, e në Austri nuk ka ndodhur kjo”, thotë Laura.

Laura po ashtu thotë se edhe pushimet e lehonisë në Austri ishin më të gjata dhe më të përshtatshme për gratë, ndryshe nga Zvicra. “Në Austri, tetë javë para se të lindësh dhe tetë javë pas, e ke patjetër të qëndrosh në shtëpi, nuk guxon të punosh, dhe ky pushim të paguhet, pra rroga të ecë. Pastaj e ke të drejtën edhe deri në dy vite të qëndrosh dhe të kujdesesh për fëmijën. E në Zvicër nuk i ke këto, dhe mua më kanë penguar, por normalisht që duhet të mësohesh”, thotë ajo.

Cyrihu, “Kosova e dytë”

Megjithëse lindi dhe u rrit larg vendit të origjinës, Laura asnjëherë nuk e harroi Kosovën. Ajo e flet rrjedhshëm gjuhën shqipe, e madje e viziton çdo vit Kosovën dhe të afërmit e saj.

E pikërisht afërsia me kosovarët ishte ndër arsyet kryesore që e solli pikërisht në Zvicër. Si një vajzë e rritur jashtë atdheut, ajo është e lidhur emocionalisht me Kosovën dhe shqiptarët, andaj synon që edhe familjen ta krijojë në një vend ku ka shqiptarë. E në shtetin zviceran, ajo gjeti plot bashkëvendës.

“Nganjëherë dëgjoj se thonë Cyrihu është Kosova e dytë, dhe në të vërtetë nuk të lënë të mërzitesh për Kosovën, se ke shqiptarë, ke dyqane e qendra të shqiptarëve. Ka pasur raste kur kemi shkuar në universitet të Cyrihut për të ndjekur ndonjë ligjëratë si grup, dhe është mirë që rinia shqiptare të angazhohet, të mos asimilohemi. Pra ka edhe shkolla për gjuhën shqipe, që mendoj se është diçka shumë e mirë”, thotë Laura.

Ndërkaq, pas Gjermanisë, Zvicra ka diasporën më të madhe të shqiptarëve të Kosovës. Në Zvicër jetojnë rreth 113,000 persona me shtetësi kosovare. Këtu nuk llogariten ata kosovarë që tashmë kanë pasaportën zvicerane dhe sigurisht, as shqiptarët tjerë, që vinë nga Maqedonia, Shqipëria etj.

Synimet për të ardhmen dhe porosia për rininë kosovare

Pavarësisht se është e kënaqur me punën që bën, Laura ka në plan të vazhdojë shkollimin në fushën e edukimit, pasi synon të bëhet mësimdhënëse.

Ajo ka ca fjalë edhe për rininë e Kosovës. “Kurrë mos i ndalni ëndrrat, edhe nëse është vështirë, se gjithmonë ka zgjidhje. E kemi një rini me plot talente, edhe nëpër botë po bëjmë bujë. Pra, mos t’i ndalim ëndrrat vetëm pse jemi shtet i vogël dhe nuk i kemi mundësitë si shtetet e tjera”, thotë Laura përmes albinfo.ch.

Për fund, Laura thotë se nuk është penduar aspak për vendimin për t’u shpërngulur në Zvicër, dhe se tashmë është adaptuar këtu.

Përpos Laurës, kohët e fundit është vërejtur një migrim i shqiptarëve nga vendet e Europës drejt vendit alpin. Kryesisht ata po lënë vendet si Austria, Gjermania, Belgjika, Greqia, Franca e po vendosen në Zvicër.