Lajme

Ky shtet dëshiron të ndalojë përdorimin e telefonave nëpër shkolla

Finlanda pritet të ndalojë përdorimin e telefonave celularë nëpër shkolla për të rritur efikasitetin e mësimit tek nxënësit. Koalicioni i ri i krahut të djathtë të vendit u zotua të prezantojë masën e re për nxënësit nga mosha shtatë deri në 15 vjeç. Gjithashtu njoftoi një rritje prej 199 milionë euro në financimin për lexim, shkrim dhe matematikë.

“Qeveria do të përforcojë kompetencat e mësuesve dhe drejtorëve për të ndërhyrë në aktivitetet që pengojnë mësimin gjatë orëve të mësimit”, tha koalicioni i ri të hënën.

“Ne do të bëjmë ndryshimet e nevojshme legjislative për të mundësuar kufizime më efikase në raste të tilla, si përdorimi i pajisjeve celulare gjatë ditës së shkollës, në mënyrë që nxënësit dhe studentët të përqendrohen më mirë në mësimdhënie”, thuhej tutje.

Finlanda ka qenë një vend i fortë në testin PISA, një garë për vlerësimin e nxënësve 15-vjeçarë në matematikë, shkencë dhe lexim.