Integrimi

Ky ishte viti 2019 për shqiptarët në Zvicër

Se çfarë u ndodhi e çfarë nuk u ndodhi gjatë vitit 2019 shqiptarëve në Zvicër e më gjerë, mund të lexoni në rreshtat në vazhdim

Çfarë e karakterizoi vitin 2019, në ikje, sa i përket diasporës? Ndonjë ngjarje ose zhvillim kulmor, me të cilin do të identifikohej gjithë viti, nuk mund të thuhet se kishte. Por pati zhvillime të shumta, më të vogla e më të mëdha, të shpërndara përgjatë gjithë vitit, që ia vlen të risillen në kujtesë. Po i sjellim prandaj në vazhdim, disa prej tyre, ashtu siç i ka shënuar albinfo.ch, që ka ndjekur hap pas hapi dhe ua ka sjellë në tavolina lexuesve të diasporës e më gjerë.

22 shkurt: Lejla Salahi – Ibrahimi, pronare e “Germania Schweiz”

Pas falimentimit të kompanisë gjermane të fluturimeve, Germania Flug AG, dega zvicerane e kompanisë kishte vendosur të vazhdonte e vetme tutje. Por ishte e paqartë se kush i është bashkëngjitur kompanisë Germania Flug AG. Ndërkaq, sipas gazetës zvicerane të specializuar për tregti “Handelszeitung”, mbrapa këtyre lëvizjeve diskrete të shahut qëndron Lejla Ibrahimi-Salahi. Siç dihet, afaristja shqiptarezvicerane është shefe e kompanisë “Air Prishtina”. Lejla Ibrahimi Salahi e ka konfirmuar marrjen e 100% të aksioneve të “Germania Schweiz”. E kontaktuar nga albinfo.ch, edhe vetë Lejla Ibrahimi Salahi e ka pohuar lëvizjen e saj më të re.

28 shkurt – 1, 2 mars: Mbahet Samiti i Diasporës në Tiranë

Në ditën e fundit të shkurtit dhe në dy ditët pasuese të marsit, në Tiranë është mbajtur Samiti i Diasporës, nën organizim të Qeverisë Shqiptare, gjegjësisht Ministrisë së Diasporës. Me pjesëmarrjen e një numri të madh të përfaqësuesve të shumtë nga e gjithë diaspora shqiptare dhe me praninë e pothuaj të gjithë kreut politik të Shqipërisë e të Kosovës, mund të thuhet se ky samit gëzonte përkujdesjen e niveleve më të larta të shtetit. Albinfo.ch ka raportuar nga ky samit dhe, siç mund të shihet në raportimet dhe intervistat nga vendi i ngjarjes, ka përcjellë dritëhijet e tij. Një organizim teknikisht dhe mjaft i mirë por, që, ashtu sikur shumica e aktiviteteve tona, nuk i shpëtoi manisë së (keq)përdorimit nga politika e niveleve më të larta.

21 mars: Vritet mizorisht vogëlushi 7 vjeçar, Ilias M.

Në Bazel, një grua e moshuar zvicerane ka mbytur me thikë vogëlushin shqiptar Ilias M. Vrasja ka ndodhur në rrugë të hapur, ndërkohë që Iliasi ishte duke u kthyer në shtëpi, nga shkolla. Që nga dita e vrasjes, gruaja në fjalë është mbajtur në burg për hetime. Ndaj saj ishte ngritur akuza për vrasje të rëndë. Emoshuara zvicerane pas vrasjes së kryer ka shkruar disa mesazhe telefonike, në të cilët ka informuar disa persona dhe institucione se ka vrarë një fëmijë. Vrasja mizore e Iliasit 7 vjeçar ka tronditur qytetarët e Bazelit e më gjerë dhe shqiptarët kudo janë.

24 mars: Qëndresa Sadriu zgjidhet deputete e Parlamentit Kantonal të Cyrihut

Njëra ndër kandidatet më serioze në mesin e politikanëve me rrënjë shqiptare, Qëndresa Sadriu nga Partia Socialdemokrate, ka arritur kuotën e nevojshme. Ajo, nga 24 marsi 2019 është deputete në Parlamentin e Kantonit të Cyrihut, shkruan albinfo.ch Me këtë arritje, Qëndresa bëhet e para shqiptare në përgjithësi e zgjedhur në Parlamentin  e Kantonit të Cyrihut, më të madhit dhe më të rëndësishmit në vend. “Këtë datë nuk do ta harroj kurrë edhe për shkakun se lidhet me përvjetorin e sulmeve te NATO-s mbi forcat serbe në Kosovë”, është shprehur Qëndresa Sadriu për albinfo.ch.

2 maj: Fillon shfaqja e filmit “Dy gisht mjaltë” në Zvicër

Pas suksesit që pati në kinematë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, filmi “Dy gisht mjaltë” vjen edhe në kinematë e Zvicrës. Nga 2 maji në të gjitha kinematë e Zvicrës ka filluar shfaqja e filmit “Dy gisht mjaltë”, me protagonistë nga Shqipëria, këngëtaren Elvana Gjata dhe komedianin e njohur Ermal Mamaqin. Ai ka vazhduar të shfaqet përgjatë pesë javëve në më shumë se 20 kinema, duke shënuar një rekord të llojit të vet. Albinfo.ch ka qenë partner medial i distribuimit të këtij filmi.

15 maj: Themelohet Oda Tregtare Zvicër-Kosovë

Më 15 maj u themelua në Schlieren të Cyrihut Oda Tregtare Zvicër-Kosovë. Këtë eveniment e kanë nderuar me praninë e tyre dhe e kanë përshëndetur ministri federal i Ekonomisë i Zvicrës, Guy Parmelline, zëvendëskryeministri i Kosovës,  Enver Hoxhaj dhe ministri i Ekonomisë në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka. Kështu veç tjerash ka shkruar Albinfo.ch, duke raportuar nga ky aktivitet me rëndësi. Parmelline, në një fjalë të frymëzuar, ka folur gjerësisht për marrëdhëniet mes dy vendeve, për integrimin e suksesshëm të kosovarëve në Zvicër, mbështetjen zvicerane për Kosovë, etj. Ai ka veçuar me këtë rast rolin e madh pozitiv të platformës mediale albinfo.ch në të gjitha këto rezultate. Ka folur edhe kryetari i kësaj ode, Musa Komani dhe nënkryetari i saj, politikani i njohur zviceran Alfred Heer.

5 qershor: Parlamenti Zviceran miraton Marrëveshjen për pensionet “kosovare”

Parlamenti i Zvicrës votoi me shumicë votash atë që në gjuhën popullore po quhet Marrëveshja për Pensionet, me Kosovën. Fjala është për Marrëveshjen për Sigurime Sociale në mes të Zvicrës dhe Kosovës, e cila ishte pezulluar që nga 1 prilli i vitit 2010. Si rezultat i këtij bllokimi, mijëra shtetas të Kosovës që kishin punuar në Zvicër, nuk mund t`i shfrytëzonin pensionet e tyre, në rast se ktheheshin të jetonin në Kosovë. Këtu hynin edhe pensionet e invaliditetit, shtesat fëmijërore etj. Bëhet fjalë për një rast të rëndë të diskriminimit, të cilit i ishin nënshtruar kosovarët, dhe i cili duhej të trajtohej më shpejt. Për shkaqe të ndryshme, marrëveshja u desh të priste më shumë se 9 vite deri në miratimin e saj. Sidoqoftë, ajo u miratua më 5 qershor ndërsa nga 1 shtatori ka filluar dërgimi i pensioneve në Kosovë. Një mangësi në gjithë këtë është se marrëveshja nuk ka veprim retroaktiv.

17 qershor: Ylfete Fanaj zgjidhet nënkryetare e Parlamentit të Kantonit të Lucernit

Politikania e njohur shqiptare-zvicerane, Ylfete Fanaj është zgjedhur nënkryetare e Parlamentit të Kantonit të Lucernit. Me zgjedhjen e saj nënkryetare e Parlamentit, Ylefete Fanaj ka realizuar arritjen deri tani më të madhe të ndonjë shqiptari në politikën e Zvicrës, shkruan albinfo.ch. Edhe si kryetare e Grupit Parlamentar dhe si deputete kantonale e zgjedhur disa herë, politikania e njohur e lindur në rrethinën e Prizrenit ishte prej kohësh një emër me peshë në politikën e kantonit të saj dhe më gjerë. Sipas radhës, ajo në vitin 2020 pritet të zgjidhet kryetare e këtij parlamenti, dhe me këtë, të bëhet politikania numër një e Kantonit të Lucernit.

29 qershor: Në Cyrih mbahet “Alba Festival”

Në fund të qershorit, në Cyrih është mbajtur festivali i parë open-air shqiptar për Zvicër e më gjerë “Alba Festival”. Organizimit të këtij festivali i është kushtuar hapësirë e madhe në mediat zvicerane, të cilat e vlerësojnë atë si një event unik sa i përket kulturës dhe argëtimit të komuniteteve të huaja në Zvicër. Po ashtu atij i njihet atributi i një aktiviteti që lidh dhe afron popujt mes vete. Ndër shumë këngëtarë të njohur nga skena shqiptare e muzikës, në Alba Festival ka kënduar edhe ylli i pop muzikës botërore, shqiptarja nga Anglia, Rita Ora. Albinfo.ch ka qenë partner medial i këtij aktiviteti ku kanë marrë pjesë rreth 20 mijë të rinj.

15 tetor: Zgjedhjet parlamentare të Zvicrës: Sërish asnjë deputet shqiptar…

Zgjedhjet për Parlamentin Nacional që mbahen për çdo katër vjet sollën shumë ndryshime të mëdha në përbërjen e parlamentit. Ndryshimi që mund të cilësohet pothuajse “spektakolar” është rritja mbi dyfish e Partisë së Gjelbër të Zvicrës (GPS). Ndryshimi i dytë është shtimi i madh i numrit të grave deputete. Ndërsa “ndryshimi i tretë”, ai që nuk ndodhi, ishte mungesa e sërishme në këtë parlament, e të zgjedhurve shqiptarë. Me gjithë kandidaturat serioze, angazhimin në fushata dhe praninë në media, asnjë nga shqiptarët që kandiduan nuk arritën të sigurojnë vend në parlament. Dy kandidatët shqiptarë të vlerësuar si më seriozë: Ylfete Fanaj (SP, Luzern) dhe Arbër Bullakaj (SP, St.Gallen) nuk ia dolën as kësaj here të gjejnë rrugën që i shpie në Bernë, në mesin e ligjdhënësve zviceranë. Kështu, pyetja e bërë shumë herë në mesin e komunitetit të këtushëm shqiptar nëse janë pjekur kushtet që shqiptarët të kenë një deputet në parlament, vazhdon të mbetet pa përgjigje…

20 nëntor: Don Marjan Marku zgjidhet kanonik në Ipeshkvinë e St. Gallen-it

Prifti Don Marjan Marku është zgjedhur kanonik në Kapitullin e Katedrales të Ipeshkvisë së St. Gallenit. Është prifti i parë me prejardhje të huaj dhe sigurisht shqiptari i parë në përgjithësi që zgjidhet në këtë pozitë. Kapitulli i Katedrales së Ipeshkvisë së St.Gallenit përbëhet nga pesë kanonikë rezidencialë, të cilët veprojnë si këshilltarë dhe bashkëpunëtorë të ipeshkvit në ordinariat ose në qytetin e St.Gallenit dhe nga tetë kanonikë jorezidentë, të cilët veprojnë si famullitarë në terren të ipeshkvisë, që quhen ndryshe kanonikë ruralë.