Integrimi
Ky është shqiptari nga Peja që nesër përleshet me malësorët zviceranë
Lexoni çfarë thotë ekskluzivisht për albinfo.ch shqiptari nga Peja që do të përleshet me malsorët zviceranë para 50 mijë shikuesve në garën (festën) tradicionale zvicerane “Schwingfest” që mbahet çdo tre vjet.
Bartësi i trefishtë i kurorës, në nivel kantonal, në sportin e mundjes të njohur në Zvicër si “Schwinger”, Naim Fejzaj, nga Radavci i Pejës, do të marrë pjesë për herë të parë në nivel federal në garën (festën) tradicionale zvicerane “Schwingfest” që mbahet çdo tre vjet.
Në super arenën në Estavayer-le-Lac, Naim Fejzaj është në mesin 275 gladiatorëve zviceranë që do të përleshen për emër dhe nder para më shumë se 50 mijë shikuesve në arenën e ndërtuar kryesisht nga ushtria zvicerane, e cila pritet të vizitohet nga më shumë se 250 mijë zviceranë gjatë kësaj fundjave.
Albinfo.ch ka intervistuar shqiptarin që thotë se do të luftojë edhe për njerëzit e tij, sepse ka mbështetje jo vetëm nga Zvicra, por edhe nga Kosova.
Albinfo.ch: Cila është rruga që duhet ndjekur një mundës për të pasur të drejtë pjesëmarrjeje në garën në nivel federal?
Naim Fejzaj: Në sportin e njohur si “schwinger” mund të marrësh pjesë brenda vitit në pesë festa kantonale të mundjes. Për kualifikim duhet fituar minimum dy Kränze (kurora) dhe në fund të garës duhet të renditesh në mesin e 15-18% më të mirëve.
Albinfo.ch: Sa jeni përgatitur, cila është forma juaj fizike për këtë ballafaqim, kur dihet se përballë do të keni kundërshtarë shumë më të fortë se deri tani?
Naim Fejzaj: Forma ime është më e mirë se kurrë më parë. Unë kam ushtruar fort gjatë gjithë dimrit, nganjëherë 6 der në 8 herë brenda javës. Këtë sezon gjithashtu kam arritur të bëj superstërvitje, ku kam pasur suksese të mira. Në fakt, unë asgjë tjetër nuk kam bërë, pos përgatitjeve. Gjithashtu dua të them se njeriu duhet të ndjekë rrugën në të cilën ka suksese. Prandaj, unë kam stërvitur me dy mundësit më të mirë që ka Zvicra. Me dy partnerët e mi, Michael Bless dhe Raphael Zwyssig, kam arritur në pikën më të lartë sezonale.
Albinfo.ch: Çfarë do të thotë për ju si shqiptar të jeni pjesëmarrës në këtë event që ndiqet nga më shumë se 50 mijë shikues, në një stadium të ndërtuar enkas për këtë garë që shfaq identitetin e malsorëve zviceranë?
Naim Fejzaj: Për mua ështe një nder i madh dhe njëkohësisht një njohje për atë çfarë kam treguar viteve të fundit. Vetë nuk do të kisha arritur këtu ku jam sot. Pa mbështetjen e prindërve, familjes dhe shokëve të mi, kurrë nuk do të arrija kaq lart. Natyrisht që unë në këtë event do të paraqitem si “Schwinger” nga Zvicra, por e di me saktësi që në mesin e shumë shikuesve do të ketë shqiptarë, të cilët vetëm për mua do të vijnë. Vetë kjo është një motivim i fortë për të treguar një super paraqitje.
Albinfo.ch: Cili është mesazhi i një mundësi shqiptar për kundërshtarët që e presin në fushëbetejë?
Naim Fejzaj: E di çfarë mundem dhe këtë do ta tregoj në arenën e luftimeve. Këto dy ditë unë do të jap maksimumin për vetën dhe mbështetësit e mi, dua t’i bëj të lumtur ata që më përcjellin. Megjithatë, askush nuk do ta ketë të lehtë, është një garë shumë e fortë, ku ndeshen më të mirët, por unë e kam një përparësi të madhe që të tjerët nuk e kanë. Mbështetja për mua nuk vjen vetëm nga Zvicra, por po ashtu edhe nga Kosova. Unë nuk do të luftoj vetëm për veten time, por për njerëzit e mi që i kam afër e larg.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë Suksesi më i madh i Lëvizjes që drejton Florian Haçkaj ishte fitorja në Gjykatën Kushtetuese të...
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
Jeta në Zvicër
-
84 franga në ditë, ku shkojnë paratë që paguani për biletën e skive? Mes Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, zviceranët shkojnë në pistat e skive. Por ku shkojnë paratë...
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik, por bëjnë presion mbi industrinë e hoteleve dhe restoranteve
-
Radha e trafikut arrin 10 km në tunelin Gotthard në udhëtimet pas Krishtlindjeve
-
Tarifa e urgjencës prej 50 frangash vazhdon të shkaktojë polemika
-
Posta në Zvicër: Rekord i dërgimit të pakove për Krishtlindje