Lajme

Ky është aeroporti më i mirë në botë sipas udhëtarëve

Skytrax, faqja për shqyrtimin dhe renditjen e linjave ajrore dhe aeroporteve në Britaninë e Madhe, ka përpiluar listën e aeroporteve më të mira në botë.

Në anketën e përpiluar nga kjo kompani, Skytrax ka kërkuar nga udhëtarët të vlerësojnë përvojën në të gjitha aeroportet nga check-in, në nisje dhe gjithçka tjetër.

Aeroporti Changi i Singaporit është zgjedhur si aeroporti më i mirë në botë për vitin 2023, duke rrëzuar Hamadin e Dohas së Katarit, sipas Skytrax.

Aeroporti Changi i Singaporit kishte kryesuar më parë listën e Skytrax për tetë vjet rresht, por më 2021 dhe 2022 ra disa vende në listë, pasi numri i pasagjerëve ra gjatë pandemisë, me aeroportin e Dohas që zuri vendin e parë në këto dy vjet.

“Aeroporti Changi në Singapor ka qenë gjithmonë i preferuari i udhëtarëve dhe sigurisht që ra gjatë COVID, kur numri i fluturimeve u zvogëlua në mënyrë drastike”, ka thënë Peter Miller nga Skytrax për CNN Travel.

Miller thotë se aeroporti Changi ofron diçka për të gjithë dhe tregon se ky është “motor kyç” i popullaritetit të vazhdueshëm.

Disa nga atraksionet e Changit përfshijnë një ujëvarë spektakulare 40 metra, një kopsht fluturash dhe një kinema IMAX, dhe ka më shumë se 280 dyqane me pakicë dhe restorante.

“Changi i Singaporit është kryesisht një aeroport tranzit dhe sipas reagimeve të klientëve, aeroporti po ecën mirë, sepse ofron një gamë kaq të gjerë lehtësish dhe komoditetesh për të gjitha llojet e klientëve – për familjet, biznesin dhe udhëtarët e kohës së lirë”, thotë Miller.

Aeroporti Hamad, i cili zuri vendin e dytë në listën e Skytrax këtë vit, ofron gjithashtu komoditete të dizajnuara për pasagjerët transitë – duke përfshirë turne në qytet për ata që kalojnë më shumë se tetë orë duke pritur për fluturim.

Këtë vit, pesë vendet më të mira të Skytrax për vitin 2023 u zunë nga aeroporti ndërkombëtar i Tokios, i njohur si Haneda, aeroporti ndërkombëtar Incheon i Seulit dhe aeroporti i Parisit, Charles de Gaulle./Koha.net