Lajme

Ky është 70-vjeçari që mban rekordin për ngrënien e më së shumti hamburgerëve gjatë tërë jetës

Ai hyri në histori, pasi hëngri 728 hamburgerë “Big Mac” gjatë vitit 2023, Donald Gorske është bërë personi që mban rekord botëror Guinness për më së gjati në jetën e tij, përcjell albinfo.ch.

Rekordi i tij tani qëndron në një total prej 34,128 hamburgerësh të këtij lloji. 70-vjeçari nga Wisconsin e hëngri hamburgerin e parë “Big Mac” pothuaj 52 vjet më parë, më 17 maj 1972.

“Në atë moment thash: ‘Me shumë gjasë do t’i ha këta hamburgerë për tërë jetën time’. Fillova t’i numëroja kartonët që nga dita e parë”, ka thënë ai. Gorske ka mbajtur shënim për secilin hamburger të ngrënë dhe ende ka faturat e tyre. Ai theu rekordin botëror Guinness në vitin 1999.

Kur nisi të hante “Big Mac-s”, Gorske mund të hante deri në nëntë në ditë. Tani ai ha dy: një për drekë dhe një në darkë. Gorske nuk ha gjë tjetër përpos hamburgerëve, dhe në mes të vakteve ha ndonjë akullore, frutë apo çips. Pavarësisht gjithë këtyre hamburgerëve që ka ngrënë tërë jetën, ai ka thënë se nuk ka probleme shëndetësore dhe se për të qëndruar mirë fizikisht ecën përditë.

“Shumë kanë besuar se tani do të isha i vdekur, por në fakt e mbaj rekordin tashmë për të 24-tin vit – një nga mbajtësit më të gjatë të rekordeve botërore Guinness, kështu që jam i lumtur”, ka shtuar ai.