Lajme

Kuzhinieri shqiptar në Zvicër, me aksion humanitar për të ndihmuar ukrainasit

Mbështetja e refugjatëve nga Ukraina të cilët janë strehuar nëpër Evropë po bëhet në forma të ndryshme.

Shqiptari Agron Lleshi, i cili është edhe kryekuzhinier i njohur në restoranin Jägerhof në St. Gallen, ka shprehur vullnetin të mbështesë ukrainasit.

Ai ka zgjedhur që çdo të diel në restoranin ku punon të shërbehen meny speciale me 5 pjata, fondet e mbledhura nga të cilat do të shkojnë për refugjatët nga Ukraina, transmeton Albinfo.ch.

“Ngjarjet në Ukrainës më prekin shumë dhe si familjar është e vështirë të mbaj imazhet e fëmijëve të ikur. Prandaj, së bashku me ekipin tim doja të bëja diçka për njerëzit nga Ukraina dhe të dielën do të mbajmë një event për mbledhjen e fondeve, kur jemi normalisht të mbyllur”, tha Agron Lleshi për “St.Gallen24”.

Një meny speciale do të kushtojë 290 franga zvicerane dhe në të përfshihet një aperitiv, meny me 5 pjata, verë, ujë dhe kafe shoqëruese.

“Të gjitha të ardhurat shkojnë për Kryqin e Kuq zviceran. Kur ia sugjerova idenë ekipit tim, të gjithë u pajtuan menjëherë dhe madje sugjeruan të dhuronin orët e tyre – edhe pse e diela është zakonisht dita jonë e pushimit. Si shef, kjo më bën shumë krenar”, thotë ai.