Integrimi

Kuvendi të angazhohet më shumë në Zvicër

Të dielen, në një ambient konstruktiv, u mbajt në Bernë kuvendi vjetor i Kuvendit Shqiptar në Zvicër

Kryetari i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës, Jeton Kryeziu, njëherësh avokat nga Llozana, ka raportuar të dielën në Bernë para delegatëve për punën dyvjeçare të këtij organizimi të shqiptarëve të Zvicrës.

Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës që përbëhet kryesisht nga të rinj të lindur, të rritur e të shkolluar këtu, kishte zgjedhur një vit më herët për të përfaqësuar shqiptarët e këtushëm në një mandat dyvjeçar avokatin Jeton Kryeziu.

Për 1 vit sa është kryetar i këtij organizimi të ri të shqiptarëve në Zvicër, Jeton Kryeziu tha të jetë bërë mjaft punë në mbrojtje të interesave të komunitetit të cilin e përfaqëson në Zvicër, si në raport me vendin e prejardhjes, ashtu edhe në raport me vendin pritës.

Avokati shqiptar nga Llozana ka pranuar megjithatë se ka pasur mundësi edhe më shumë të bëhet për të sjellë më shumë rezultate në raportin vjetor të prezantuar të dielën para delegatëve të Kuvendit në Bernë.

„Është punuar në shumë aspekte, sidomos në përmirësimin e imazhit të shqiptarëve në Zvicër. Para dy vjetëve kemi lexuar shpesh në media që shkruhet keq për shqiptarët, sot rrallë herë ndodh, por jo që nuk ndodhin më raste të tilla, por mediat janë më të rezervuara kur shkruajnë për shqiptarët“, thotë Jeton Kryeziu në një bisedë për albinfo.ch.

Kuvendi ka reaguar sa herë që janë cenuar të drejtat e shqiptarëve në Zvicër, thotë avokati.

Por ai thotë që nuk është vetëm punë e Kuvendit, ngase të gjithë shqiptarët kanë kontribuar në përmirësimin e imazhit të tyre në Zvicër.

Megjithatë, për Kryeziun është joobjektive të thuhet se nuk ka pasur efekt puna e Kuvendit.

Ai ka vlerësuar si të suksesshëm takimin e sotëm, ku është raportuar për punën njëvjeçare të Kuvendit, duke theksuar se të pranishëm kanë qenë edhe të tjerë që nuk janë delegatë të Kuvendit.

„Anëtarësia e vogël është si rezultat i mosinformimit për ekzistimin dhe funksionimin e këtij organizimi të ri të shqiptarëve në Zvicër“, tha Jeton Kryeziu.
  Po ashtu kryetari i Kuvendit ka pranuar se janë të ballafaquar edhe me disa probleme të vogla organizative brenda tyre, ngase për disa muaj kanë funksionuar pa sekretaren e tyre që për shkak të statutit nuk kanë mundur ta zëvendësojnë me një tjetër.

Kryeziu u është përgjigjur edhe kritikave të delegatëve se Kuvendi po merret më shumë me vendet e prejardhjes sesa me përditshmërinë e shqiptarëve në Zvicër.

„Nuk mund të thuhet se Kuvendi nuk ka bërë asgjë për t‘i mbrojtur interesat e këtushme të komunitetit shqiptar. Kur reagojmë për kartonin e gjelbër, kjo e dëmton vetëm diasporën, kur reagojmë për sigurimet shoqërore, pensionet, edhe aty preket vetëm diaspora shqiptare që jeton në Zvicër. Kur kemi marrë pjesë në Prishtinë në konferencën për përfaqësimin politik të diasporës, kjo vetëkuptohet se i takon vetëm diasporës që kur të miratohen ligjet të jenë në favor të tyre“, tha Kryeziu.

Por, në strategjinë e ardhshme afatgjate që ka hartuar kryesia e Kuvendit është paraparë që në të ardhmen të angazhohen më shumë për interesat e shqiptarëve këtu në Zvicër, sesa në vendet e tyre të prejardhjes.

Megjithatë, kryetari i Kuvendit e ka vlerësuar si sukses praninë e një komisioni të Bashkimit Evropian në Luginë të Preshevës pas reagimit të tyre se atje po cenohen të drejta elementare të shqiptarëve.

Njëri prej delegatëve të këtij organizimi të ri të gjeneratës së dytë tha se shqiptarët kanë probleme edhe këtu, prandaj Kuvendi duhet të përqendrohet më shumë në përditshmërinë e diasporës në Zvicër, sesa në vendet e prejardhjes.

„Pse të merremi me 50 eurot e kartonit të gjelbër në Kosovë, kur ne si të huaj paguajmë deri 1 mijë euro më shumë për sigurimet e veturave tona në Zvicër“, tha Shpejtim Thaçi, delegat nga Cyrihu.

Edhe Bashkim Iseni, anëtar i Këshillit Mbështetës, tha se është momenti kur Kuvendi duhet të jetë më i hapur ndaj politikës vendëse zvicerane, në mënyrë që të artikulohen më mirë pritjet dhe interesat e shqiptarëve në Zvicër.

Ai i ka sugjeruar po ashtu kryesisë së Kuvendi që të afrohet më shumë me shqiptarët e Maqedonisë dhe të Luginës së Preshevës, duke përmendur ndikimin e tyre me rastin e zgjedhjes së kryetarit të Komunës së Kërçovës në Maqedoni.

Për strategjinë e ardhshme 5-vjeçare të Kuvendit në mbledhjen e përgjithshme të së dielës kanë folur anëtarët e kryesisë, Avni Binaku dhe Nazmi Jakurti.

Strategjia fokusohet më shumë në përmirësimin e komunikimit të Kuvendit me institucionet, por edhe me mediat e këtushme zvicerane.

„Duhet të intensifikohet komunikimi me mediat, komunikimi me institucionet e Zvicrës, qofshin ato komunale, kantonale apo nacionale“, tha Nazmi Jakurti.

Por jo vetëm me institucionet e Zvicrës. Po ashtu Kuvendi ka kërkuar të ketë rol aktiv në krijimin e qendrave kulturore në Zvicër nga Ministria e Diasporës, si dhe përfshirjen e tyre në regjistrimin e paralajmëruar të mërgatës kosovare. Rol aktiv ka kërkuar Kuvendi edhe në ndarjen e çmimit „Diaspora“.

Kuvendi ka themeluar edhe ekipin e futbollit FC Kuvendi. Drejtues të Kuvendit do të organizojnë në të ardhmen ndeshje miqësore futbolli në mes të parlamentarëve kantonalë dhe organizatave të tjera zvicerane.

„Ndoshta ju duket qesharake, por pasi që gati të gjitha institucionet zvicerane kanë nga një ekip futbolli dhe luajnë ndeshje miqësore, e kemi themeluar edhe ne ekipin tonë të quajtur FC Kuvendi, nëpërmjet të cilit, përveç që luajmë futboll me institucionet zvicerane, kemi edhe mundësi të mira të njoftohemi më për së afërmi me ta“, tha kryetari Jeton Kryeziu.

Detyra të tjera do të jenë edhe koordinimi i aktiviteteve me Shoqatat e Shqiptarëve në vendet e ndryshme të botës, si dhe nisma dhe mbështetja e themelimit të kuvendeve të shqiptarëve në vendet ku ende nuk ekzistojnë.

Kuvendi u tha në takimin e së dielës se do të vazhdojë të insistojë në përpjekjet që mësimi plotësues i gjuhës shqipe të institucionalizohet në kuadër të shkollave zvicerane.

Po ashtu përfaqësues të Kuvendit në strategjinë e tyre për të ardhmen do të angazhohen në nxitjen dhe stimulimin e kandidatëve shqiptarë për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet komunale, kantonale dhe nacionale në Zvicër.

Delegatët e kanë vlerësuar lart angazhimin e Sara Gretler dhe Hamit Zeqirit, të cilët për shkak të angazhimeve të tyre janë larguar nga Kuvendi.

Ndërkohë pas dy vjetëve Kuvendi bëhet edhe me logo zyrtare. Delegatët e Kuvendit kanë votuar për njërën prej logove që ishte zgjedhur me konkurs.

Po ashtu u bë e ditur se Kuvendi do të organizojë në fund të këtij muaji një takim rreth rëndësisë së gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë në Zvicër.

 

Sevdail Tahiri