Uncategorized

Kuvendi i ngathët i Kosovës, për tre muaj miraton dy ligje

Kuvendin e Kosovës që nga nisja e konstituimit të tij, e kanë përcjellë zvarritje të shumta dhe ndërprerje të herëpashershme të punës

Kuvendi i Kosovës po vazhdon me performancën e dobët sa i përket përmbushjes së agjendës legjislative. Që nga konstituimi i tij në shtator të këtij viti e deri me tash ka arritur të miratojë vetëm dy nga tetëdhjetetetë ligjet e parapara në agjendën legjislative. Ky “fleksibilitet” nga Instituti Demokratik i Kosovës, organizatë kjo që monitoron punën e Kuvendit, konsiderohet si punë “honorar” në Kuvend.

Artan Murati nga ky institut tha për REL se janë disa arsye se pse ka vonesë kaq të madhe në shqyrtimin dhe miratimin e ligjeve.

“Arseja e parë ka qenë vonesa e konstituimin e Kuvendit. Pastaj, si arsyeja e dytë është edhe zhvillimi i zgjedhjeve lokale në vend, të cilat e kanë paralizuar në njëfarë mënyre punën në Kuvendin e Kosovës, pasi që deputetët kanë qenë në masë të madhe të fokusuar në ndjekjen e aktiviteteve të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale. Madje, disa nga deputetët kanë qenë kandidatë për kryetarë të komunave në komunat përkatës dhe arsye e tretë mosprocedimi i projektligjeve me kohë nga ana e ekzekutivit”, tha Murati.

Kuvendin e Kosovës që nga nisja e konstituimit të tij, e kanë përcjellë zvarritje të shumta dhe ndërprerje të herëpashershme të punës.

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi, anëtar i Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, tha se ndër shkaktarët kryesorë që kanë bërë që të ketë pak ligje të miratuara janë vonesa e konstituimit dhe zgjedhjet komunale.

“Kanë qenë zgjedhjet komunale, [deputetët] duke marrë pjesë, dhe realisht ka ngjarë që Kuvendi një herë në dy javë ka mbajtur seancat. Tash për çdo ditë, disa ditë edhe këto janë arsyet dhe nuk ka arsye të tjera. Nuk ka arritur të punojë dhe natyrisht që nuk punohet bash me rregull dhe si duhet”, tha Kurteshi.

Deputeti Kurteshi është vetëm njëri nga disa deputetët të Kuvendit të Kosovës i cili ka qenë edhe kandidat për kryetar komune.

Megjithatë, ai thekson se edhe pse ka qenë kohë fushate zgjedhore, ka marrë pjesë në shumicën e seancave plenar kur ato janë mbajtur, siç deklaroi ai, për dallim nga disa deputetë të partive politike në pushtet dhe të kabinetit qeveritar.

Kurse, deputeti i pavarur Korab Sejdiu, po ashtu, anëtar i Komisioni për Legjislacion, tha se vonesat e miratimin e ligjeve pas konstituimit të Kuvendit janë të pajustifikueshme.

Ai thotë se si pasojë e mbajtjes se zgjedhjeve lokale, dhe angazhimit të deputetëve në atë proces, puna në Kuvend ka qenë e vështirë.

“Kuvendi si tërësi nuk ka pasur mundësi të funksionojë dhe nuk janë caktuar takime lidhur me procedimin, jo vetëm të ligjeve, po edhe të çështjeve të tjera, të cilat tash po i shohim të grumbulluara në agjendë…”,tha Sejdiu.

Ligjet që kanë të bëjnë me integrimet evropiane, ato për sistemin e drejtësisë dhe luftimin e korrupsionit, konsiderohen si më të rëndësishmet që duhet të miratohen nga Kuvendi i Kosovës brenda një periudhe sa më të shpejtë kohor, thonë disa nga deputetët e Kuvendit. Zbatimi i ligjeve mbetet, ndërkaq një nga çështjet kryesore që sfidon institucionet e Kosovës.