Kosova

Kuvendi miratoi projektligjet për transformimin e FSK-së

Kuvendi i Kosovës i ka miratuar në parim tri projektligjet e propozuara nga qeveria për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, shkruan REL.

Përmes këtyre tri projektligjeve, po synohet që Forca e Sigurisë së Kosovës të transformohet në një forcë me kapacitete shtesë, përfshi edhe përgjegjësi të mbrojtjes, por pa prekur në emrin e saj. Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes është miratuar me 101 vota, ai për Forcën e Sigurisë së Kosovës me 98, kurse Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës me 96 vota. Këto projektligje janë mbështetur nga të gjitha grupet parlamentare, përveç deputetëve të Listës Serbe. Shumica e deputetëve po e trajtojnë këtë transformim si hap përpara drejtë formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.

Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha prezantoi fillimisht Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, për të cilin tha se hartimi dhe procedimi është mbështetur në normat kushtetuese në mënyrë që të mundësohet riorganizimi dhe kalimi nga Ministria e FSK-së në Ministrinë e Mbrojtjes.
“Ministria e Mbrojtjes do të harton dhe zbaton politikat e përgjithshme shtetërore të mbrojtjes në nivel strategjik si dhe do të ushtron funksionet dhe kompetencat e saj në përputhje me kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, tha ministri Berisha.

Ndërkaq gjatë debatit parlamentar, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se angazhimi i Kosovës për mandat të ri për FSK-në, nuk është kërkesë që tejkalon atë që tashmë vendet e rajonit e kanë, përkatësisht ushtrinë. Ai i quajti të pabaza deklaratat në Beograd kundër ushtrisë së Kosovës.

“Vetëm ata që janë kundër NATO-s, janë kundër mandatit të ri të FSK-së dhe vetëm ata që janë kundër interesave euro atlantike në Kosovë e rajon janë kundër që shteti i Kosovës ta ketë ushtrinë. Vetëm ata që promovojnë interesa tjera në Ballkan, si ato të federatës ruse apo të ngjashme, janë kundër ushtrisë së Kosovës”, deklaroi Hoti.

Transformimin e FSK-së e kanë mbështetur edhe Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Partia Socialdemokrate, Nisma Socialdemokrate si dhe partitë e komuniteteve joserbe. Kurse Lista Serbe ka kundërshtuar projektligjet për FSK-në dhe në shenjë proteste ka lëshuar seancën. Por, paraprakisht, deputeti Igor Simiq nga kjo Listë tha se ky transformim është në kundërshtim me Rezolutën 12 44 të Këshilllit të Sigurimit dhe akteve tjera ndërkombëtare.

“Këto ligje nuk janë kundër serbëve, por edhe kundër shqiptarëve”, tha Simiq, duke thënë se shpenzimet janë aq të mëdha sa do të rëndojnë edhe më shumë ekonominë e pazhvilluar të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se e mirëpret shqyrtimin e ligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ndërkohë që u ka thënë deputetëve serbë se ata duhet të ndihen të sigurt se transformimi i FSK-së nuk do të ndikojë për të keq tek komunitetet pakicë.
“Kanë arsye të ndihen të sigurta të gjitha komunitetet, pra kjo është një punë që bëhet për të gjithë qytetarët e vendit. Sa u takon funksioneve, të tri ligjet e kanë një detyrë dhe ajo është mbrojtja e integritetit territorial të Republikës së Kosovës, mbrojtja e qytetarëve dhe komuniteteve të Republikës së Kosovës, mbrojtja ushtarake e civile dhe pjesëmarrja në operacione ndërkombëtare”, tha Haradinaj.
Pas votimit në Kuvend, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shkroi vetëm një fjali në profilin e tij në Facebook. Aty ai i cilësoi pjesëtarët e FSK-së si ushtarë të Kosovës.

Duke iu referuar debateve dhe procesit të transformimin e FSK-së, Aleanca Veriatlantike ka potencuar se nëse mandati i Forcës së Sigurisë së Kosovës zgjerohet, Këshilli Veri-Atlantik do të duhet të rishqyrtojë nivelin e angazhimit në Kosovë.

“Çdo ndryshim në strukturë, mandat apo mision të Forcës së Sigurisë së Kosovës duhet të vendoset nga autoritetet e Kosovës. NATO e mbështet Forcën e Sigurisë së Kosovës me mandatin e tanishëm”, tha një zyrtar i NATO-s për Radion Evropa e Lirë.

Debati për transformimin e FSK-së përmes miratimit të tri ligjeve përkatëse po vazhdon. Ky është vetëm shqyrtimi i parë, kurse javë më pas, pritet që të procedohet edhe shqyrtimi i dytë për miratimin e tyre final, para se të mund të nënshkruhen nga presidenti dhe publikohen në Gazetën Zyrtare.

FSK-ja është themeluar në vitin 2009, sipas Planit Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, të presidentit Marti Ahtisaari, në bazë të të cilit ishte shpallur pavarësia e Kosovës. Mandati i saj i deritashëm është i një force për emergjenca civile. Ndërkaq pas transformimit, synohet që t’i jepen edhe përgjegjësi nga fusha e mbrojtjes. Aktualisht FSK-ja numëron më shumë se 2000 pjesëtarë, prej të cilëve 200 i përkasin komuniteteve pakicë, kurse një pjesë e pjesëtarëve nga komuniteti serb janë larguar nga kjo forcë pas presioneve nga Beogradi që të mos jenë pjesë e FSK-së.